Politikë

Projekti ‘Smart City’ kalon në komisionet parlamentare, debate te ‘Siguria’, Dogjani: Pse u dyfishua vlera e huasë? Lamallari: Zbatimi për 12 muaj

11 Mars, 17:06| Përditesimi: 11 Mars, 17:21

  • Share

“Smart City”, projekti që synon rritje të sigurisë rrugore dhe publike në vend me instalimin e më shumë se 8,657 kamerave inteligjente në 20 qytete, kaloi mes debatesh në Komisionin e Sigurisë. Zv/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, foli për rëndësinë që do të ketë projekti, përfshirë detajet e zbatimit.

‘Projekti do të përfshijë një fazë zbatimi prej 12 muajsh, pjesë e marrëveshjes ka qenë edhe një fazë funksionimi dhe mirëmbajtjeje për një periudhe 48-mujore. Ministria e Brendshme është përfituese fundore përmes Policisë së Shtetit që do të sigurojë të gjithë këtë mbështetje që arrin në vlerën 118.5 milionë dollarë’, tha ai.

Megjithatë, akuzat e opozitës për këtë projekt nuk munguan. Asllan Dogjani hodhi akuza për vjedhje.

‘Huaja ka qenë vetëm për 60 milionë euro, pasi erdhi presidenti i Emirateve u dyfishua. Unë mendoj se ajo është bërë që 60 milionë euro të vidhen’, tha deputeti i PD.

Pikëpyetje u ngritën edhe nga pala socialiste. Paulin Sterkaj kërkoi të dhëna mbi tenderimin e projektit, të cilat i sqaroi zv/ministri Lamallari.

‘A është tenderuar projekti, se çfarë nuk po dëgjojmë, vijnë paratë dhe shohim shokët tanë që shkojnë në burg’, tha deputeti i PS Paulin Sterkaj.

‘Sipas marrëveshjes më EBA, palët nuk parashikohet të futen në procedura tenderimi, nuk ka zyrtarë shqiptarë që angazhohet, sepse pasi implementuesi do të përcaktohet sipas kushteve të huadhënësit. Pra, do jenë Emiratet që do të përcaktojnë kompaninë për zbatim’, tha Besfort Lamallari, zv/ministër i Brendshëm.

Implementimin e Inteligjencës Artificiale, një pjesë e ligjvënësve e konsideruan frikë për shkurtime në Policinë e Shtetit, por zv/ministri tha se kjo nuk do të ndodh. Blutë sipas tij kërkojnë të shtohen akoma në numër efektivësh, dhe synimi është rritja pasi nevoja humane është mbi atë artificiale.

Projekti “Smart City” parashikon të implementohet së shpejti dhe plani është për 12 qendra monitorimi në të gjithë vendit, të cilat do të menaxhohen nga Policia e Shtetit. Ekspertët e Emirateve kanë kryer studim fizibiliteti në të gjithë vendin, për të përcaktuar zonat apo rrugët ku kamerat do të implementohen. Një pjesë e tyre, do të jenë kamera trupi për policët, të cilat rikthehen pas disa vitesh, dhe synojnë dhënien e një shërbimi të mirë dhe të kontrolluar.

S.B/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?