Banorët e Bërxullës të cilët prej muajsh protestojnë kundër çmimit të ulët shpronësimeve të pronave të tyre nga projekti Thumanë-Kashar kanë protestuar edhe këtë të dielë. Protesta e tyre vijon tashmë prej 7 muajsh, duke përshkallëzuar herë pas here në bllokimin e njërit kah të rrugës së Rinasit dhe përplasjeve me policinë.
Në protestën e ditës së sotme, banorët u shprehën se nuk pajtohen me çmimin e shpronësimeve dhe se nuk do të pranonin asnjë projekt nëse firma ndërtuese apo vetë kryeministri Edi Rama nuk takohet me ta për tu garantuar çmimin e drejtë për shpronësimin e pronave dhe ndërtesave të tyre.
“Aq sipërfaqe sa na merret për zhvillimin e këtij projekti të kemi mundësi të na e kompensojnë diku tjetër. Dhe çmimi i apartamenteve, nuk mund të ketë teka të sekserëve të vendosim çmime. Sepse këtu ka korrupsion, nuk ka ardhur asnjëherë shteti apo ndërtuesit, janë thjesht disa sekserë dhe matrapazë që sillen sa në një derë në tjetrën dhe merr në qafë banorët e Bërxullës. I bëjmë thirrje kryeministrit të marrë masa për ne banorët që prekemi vërtet. E kemi vendosur, deri në frymën e fundit që ao prona dhe banesa ne do i mbrojmë me gjak dhe çdo lloj çmimi. Unë nuk do dal më në protesta, do tërhiqem në banesën time për sulmin apo mrbojtjen e fundit. Derisa të jem gjallë, unë atë banesë do e mbroj me gjak”- u shpreh njëri prej banorëve.
Ndërsa një tjetër prej banorëve tha se as për fushatën e zgjedhjeve vendore, asnjë politikan qeveritar nuk ka shkuar t’u kërkojë votën për shkak se kanë qëllime të tjera ndaj tyre.
“Nuk lanë vend të Shqipërisë për të shkuar për të kërkuar vota kurse këtu tek ne nuk u ka rënë rruga. Nuk e kanë qëllimin se nuk duan të vijnë jo, por që duan të vjedhin”-theksoi një tjetër banor.
Banorët pretendojnë se nuk kanë marrë asnjë njoftim lidhur me projektin, e as për shpronësimet. Sipas tyre, kompania Gener2 që ka fituar koncesionin, ka nisur punën në terren pa pasur një leje ndërtimi dhe në kundërshtim me ligjin duke theksuar se dëmshpërblimi i ofruar është qesharak. Ata kanë kërkuar që Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të nisë hetimet për projektin.