Banorët e Durrësit, kanë depozituar një padi në SPAK, pasi shtëpitë e tyre preken nga projekti i rijetëzimit të bulevardit historik “Epidamn”, i njohur si TID Durrës, që parashikon shpronësimin e 74 familjeve durrsake.
Banorët depozituan padi në SPAK ndaj ministrit të Kulturës Blendi Gonxhja, ish-ministres së Kulturës Elva Margariti, kryebashkiakes së qytetit bregdetar Emiriana Sako dhe dy përfaqësuesve të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim si dhe 3 studiot e projektimit që kanë hartuar dhe miratuar këtë projekt.
Ata pretendojnë se ka shkelje ligjore në projektin urban TID.
'Rasti i padisë penale që kemi depozituar në SPAK për projektin TID në Durrës përfaqëson një hap të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve tanë.
Ne po kërkojmë një zhvillim urban që respekton ligjin, transparencën dhe njerëzit. Nuk mund të hartohen apo zbatohen plane zhvillimi pa njoftuar dhe konsultuar banorët. Nuk mund të lëvizet as një tullë apo dritare pa transparencë të plotë. Mbi të gjitha, nuk mund të kryhen shpronësime me çmime të padrejta e pa negociata të ndershme.
Ky rast synon të bëhet një model për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve në Shqipëri, dhe një mësim i qartë se zhvillimi i qëndrueshëm nuk mund të ndërtohet pa respekt për komunitetin që prek', thuhet në deklaratën e banorëve të prekur nga projekti TID.
Lidhur me këtë projekt banorët kanë protestuar më herët për ta kundërshtuar. Sipas tyre, projektit TID Durrës, favorizon interesat klienteliste, dhe kërkuan nga institucionet shtetërore pezullimin e projektit si dhe kompensim të drejtë, në përputhje me vlerën reale të tregut për pronat që zotërojnë.
Komente
