Ligji i ri për shërbimin spitalor, deputetja e PS Spahiu në 'Report Tv': Kush do shërbim më të shpejtë dhe cilësi më të mirë do paguajë më shumë

16 Qershor 2022, 18:00| Përditesimi: 16 Qershor 2022, 20:13

  • Share

Qytetarët që duan shërbim më të shpejtë dhe cilësia më të mirë do duhet të paguajnë, kështu u shpreh deputetja e PS-së, Klodiana Spahiu në 'Studio Live', Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj. 

Në kuadër të projektligjit të ri për shëndetësinë, deputetja foli rreth autonomisë spitalore. Ajo u ndal tek projekti më i ri i cili do të funksionojë në 4 pole rajonale ku do të përmblidhen në disa zona.

'Reformë tepër e rëndësishme. Është vendosur që të kemi një plan kombëtar, për shembull ku duhet të investohet në bazë të zonave dhe sëmundshmërisë.

Përveç spitaleve po punojmë fort të krijojmë 4 pole rajonale. Si shembull, spitali rajonal. Spitale që do të jenë qendra në disa zona.

Ne t'i ofrojmë shërbim qytetarëve  më pranë.'- tha Spahiu.

Deputetja u ndal edhe te e ashtuquajtuara, 'Autonomia spitalore', ku fokusi kryesor sipas saj ishte cilësia. Natyrisht, sipas saj, për të pasur një cilësi të mirë shërbimi dhe më të shpejtë, nga pacientët që kanë dëshirë, do të ofrohet kundrejt një shumë të caktuar. Spahiu u ndal edhe te pagat e mjekëve ku tha se do ketë një vlerësim në bazë të performancës.

'Rritja e cilësisë. Nëse një spital ka funksionuar nga menaxhimi i shtetit, tashmë do të ketë një kriter tjetër, nëse një spital plotëson kriteret dhe arrin të marrë një kartë për shërbimet e  caktuara, ai mund të ketë të ardhura dytësore.

Për shembull nëse një pacient i cili për një shërbim të caktuar nuk do të presë një muaj por do të marri shërbimin sot, padyshim që do të ketë një kosto shtesë. Ose nëse do të ketë kushte më të mira, kushte hotelerie më të mira, atëherë ai pavion do të ketë kushte të tjera.  Vlerësimi i punës së mjekëve nuk bëhet i njëjtë për të gjithë, por në bazë të kriterit të përformancës.'

E pyetur nëse bie kjo ndesh me 'shëndetësinë falas' që u nënshkrua në 2013, deputetja u shpreh se duhet të kalojnë në një model të ri.

'Nuk besoj se kjo bie ndesh, kjo rrit konkurrencën midis spitaleve. Duhet të kalojmë në një model të ri, ku nevojat të varen nga kërkesat që ka rajoni. të mos mbetemi në buxhete historike, është e pamundur, nuk e kërkojmë dot cilësinë.'- tha Spahiu.

Projektligji u miratua më 29 prill nga Këshilli i Ministrave, ndërsa për Ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliun, do të sjellë transformim të shërbimit spitalor. 

Në një komunikim për mediat pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, Manastirliu shpjegoi se kjo autonomi do të vijë përmes kartës së performancës, pra do ta marrin spitalet që do të plotësojnë kriteret e vendosura.

Çfarë parashikon autonomia spitalore:

 ‘Autonomi spitalore’ është një formë e decentralizimit, që adreson delegimin gradual të të drejtave të vendimmarrjes financiare dhe administrative nga strukturat e qeverisjes së përgjithshme te spitalet, si institucione të kujdesit shëndetësor publik.

Ligji parashikon “Kartën e Autonomisë Spitalore”, e cila garanton dhënien e autonomisë spitaleve publike, e cila jepet nga ministri përgjegjës për shërbimin spitalor, sipas kritereve të përcaktuara në këtë ligj dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij.

Projektligji nënvizon se Autonomia, si pjesë integrale e menaxhimit të sistemit spitalor publik, garanton barazi, aksesueshmëri, cilësi, siguri dhe ofrimin e shërbimit shëndetësor në kohë për pacientin.

“Spitalet autonome organizohen në formën e personit juridik publik, me të drejta, detyrime dhe përgjegjësi të përcaktuara në këtë ligj dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij”, thuhet në projektligj.

Qeveria parashikon 2 modele të autonomisë së spitaleve : a) Modeli i autonomisë menaxheriale garanton dhënien e autonomisë administrative, organizative dhe rregullatore të spitaleve publike, bazuar në përcaktimet e kartës së autonomisë spitalore; b) Modeli i autonomisë financiare garanton transformimin e spitaleve publike në institucione që vetëfinancohen, financohen nga buxheti i shtetit për shërbime të caktuara nga Këshilli i Ministrave dhe nga burime të tjera të ligjshme, bazuar në përcaktimet e kartës së autonomisë spitalore.

Karta e autonomisë do të aplikohet në mënyrë të përshkallëzuar dhe të diferencuar për çdo spital, bazuar në plotësimin e kritereve për përfitimin e autonomisë spitalore, sipas një sistemi pikëzimi, që do të përcaktohet me urdhër të ministrit. Spitalet autonome aplikojnë modelin e pagesës, në bazë performancë për personelin shëndetësor, bazuar në rregullat e përcaktuara me urdhër të ministrit.

Në nenin 18 të ligjit përcaktohen kriteret për përfitimin e autonomisë spitalore dhe thuhet se spitalet publike përfitojnë autonominë spitalore, pas përmbushjes së kritereve, të përcaktuara në rregulloren e autonomisë spitalore, që miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Rregullorja e autonomisë spitalore përcakton: a) kriteret specifike, që duhet të plotësojë një spital publik, që të përfitojë autonominë për secilin nga modelet e parashikuara në këtë ligj; b) procedurën e vlerësimit të plotësimit të kritereve për të përfituar autonominë; c) fushëveprimin dhe fushat e autonomisë që jepen; ç) periudhën e dhënies së autonomisë, sipas modelit.

Aplikimi pёr autonominë spitalore bёhet nga ana e spitaleve publike nё Ministrinё e Shёndetёsisё, nëpërmjet një formulari të veçantë, të miratuar me urdhër ministri, në të cilin pasqyrohen elementet formale të kërkesës. Dhënia e autonomisë spitalore bëhet në mënyrë të përshkallëzuar dhe mbështetur në kërkesën e vetë spitalit dhe miratohet nga ministri.

Spitalet publike autonome kanë të drejtë të lidhin kontrata me palët e treta, me kompani private të sigurimeve, si dhe me spitalet jopublike për shërbime specifike mjekësore. Gjithashtu të lidhin marrëveshje me shërbimet diplomatike të huaja, organizatat ndërkombëtare dhe korporatat e huaja që veprojnë në Shqipëri, për të ofruar shërbime për personelin e tyre vendor dhe të huaj.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?