Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, në përfaqësim të pesë komuniteteve fetare në vend (Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike në Shqipëri, Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë), i është drejtuar me një shkresë zyrtare institucioneve më të larta të shtetit përfshirë Presidentit Bajram Begaj, Kryeministrit Edi Rama, Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komisionit për Punën, Evis Sala dhe Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, kryetarit Bardh Spahia për të shprehur shqetësimet dhe argumentet e tij lidhur me projektligjin e ri “Për Barazinë Gjinore”.
Këshilli ka theksuar rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit institucional për garantimin e barazisë, respektimit të vlerave fetare dhe mbrojtjes së kohezionit shoqëror.
Në këtë dokument, i cili shoqërohet me raportin analitik të Grupit të Ekspertëve të Këshillit Ndërfetar, theksohet se disa nga ndryshimet e propozuara ndryshojnë ndjeshëm krahasuar me ligjin aktual, duke përfshirë përkufizime të paqarta. Sipas raportit, këto formulime sjellin pasiguri ligjore, rrezik interpretimi të gabuar dhe mund të krijojnë vështirësi në zbatimin praktik të ligjit nga institucionet publike dhe private.
Këshilli Ndërfetar thekson se është plotësisht në favor të respektit dhe barazisë së çdo individi, por thekson se çdo ndërhyrje ligjore duhet të ruajë ekuilibrin midis të drejtave individuale, vlerave shoqërore dhe natyrës biologjike të njeriut. Në shkresë theksohet se ligji nuk duhet të bëhet instrument imponimi ideologjik apo kulturor, veçanërisht në fushën e edukimit të fëmijëve.
Në përfundim, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë i bën thirrje institucioneve shtetërore të zhvillojnë një proces të gjerë konsultimi publik përpara miratimit të çdo nisme të re ligjore, duke përfshirë të gjitha palët e interesuara. Komunitetet fetare shprehin gatishmërinë për të kontribuar në një dialog të hapur e konstruktiv, me qëllim mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, forcimin e paqes dhe mirëkuptimit në shoqëri.
Shkresa e Plotë
Duke ju shprehur respektin dhe mirënjohjen tonë për punën tuaj, komunitetet fetare në Shqipëri riafirmojnë vlerësimin e tyre për parimet e barazisë dhe të mosdiskriminimit, si vlera themelore që pasqyrojnë dinjitetin e barabartë që çdo njeri gëzon përpara Zotit.
Në vijim të shqetësimeve të ngritura mbi projektligjin e ri për Barazinë Gjinore, dhe bazuar në të drejtat e tij statutore, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, i përbërë nga pesë komunitetet fetare të vendit:
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë,
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë,
Kisha Katolike në Shqipëri,
Kryegjyshata Botërore Bektashiane,
Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë
- dëshirojmë të nënvizojmë se çdo rregullim ligjor duhet të ruajë dinjitetin e njeriut, të respektojë natyrën njerëzore dhe të mos cenojë themelet morale të shoqërisë.
Jeta njerëzore, në të gjitha përmasat e saj fizike e shpirtërore, është një dhuratë nga Zoti, që duhet pranuar me përgjegjësi, me mirënjohje dhe me ndjenjë të thellë për detyrën që kemi ndaj brezave të ardhshëm. Në këtë kuptim, çdo ndërhyrje ligjore që prek kuptimin e jetës, të familjes dhe të identitetit njerëzor, duhet të bëhet me kujdes të madh dhe me vetëdijen se ligji nuk është thjesht një instrument administrativ, por një pasqyrim i vlerave të një populli.
Në analizën tonë, disa prej dispozitave të këtij projektligji, krahasuar me ligjin ekzistues, shkojnë përtej barazisë gjinore dhe rrezikojnë ta fusin shoqërinë në një proces
relativizimi moral. Shprehja gjinore, e ngritur mbi dëshirën për vetëpërcaktim personal gjinor, siç parashtrohet nga “teoria gjinore”, mohon ndryshimin më të madh që ekziston ndërmjet qenieve të gjalla: dallimin gjinor.
Duke e ndryshuar kuptimin për gjininë dhe duke e ngritur atë në një përmasë tërësisht të vetëpërcaktueshme, projektligji e shkëput njeriun nga natyra e vet biologjike dhe e zëvendëson me një koncept të ndryshueshëm, subjektiv dhe të pasigurt identitar.
Kjo qasje nuk e ndihmon integrimin shoqëror të individit, por e izolon atë në përjetime të brendshme psikologjike, duke thelluar individualizmin dhe dobësuar lidhjet familjare
e shoqërore, që janë baza e një jete të shëndetshme komunitare. Shumëllojshmëria e perceptimeve nuk mund ta zëvendësojë realitetin themelor: njeriu është krijuar mashkull dhe femër, të thirrur për t’u përplotësuar e për të ndërtuar së bashku një shoqëri të drejtë dhe të shenjtë. Siç dëshmon përvoja në vende të tjera, ndryshimi i kuptimit mbi gjininë hap rrugën për krijimin e identiteteve të pafundme, që e largojnë personin nga kuptimi dhe uniteti i vet themelor bio-psiko-shpirtëror.
Jeta njerëzore është e shenjtë, sepse buron nga Zoti. Duke e njohur këtë fakt, të gjitha besimet tona fetare bëjnë thirrje për baraznderim të burrit dhe gruas, që gëzojnë të njëjtin dinjitet njerëzor në ndryshmërinë e tyre. Kështu, duke ruajtur të dyja gjinitë identitetin e vet përkatës, dallimi gjinor nuk është pengesë, por themeli i jetës bashkëshortore dhe vatra e ngrohtë e jetës së re, që buron prej dashurisë së burrit dhe gruas në martesë.
Përfshirja e koncepteve si “përkatësi e shumëfishtë”, “identitet gjinor” dhe “shprehje gjinore” me natyrë “gjithëpërfshirëse”, të shkëputura nga realiteti biologjik dhe antropologjik i mashkullit dhe femrës, e orienton projektligjin drejt një ndërhyrjeje në ndërgjegjen dhe formimin moral të individit. Kjo është veçanërisht problematike në fushën e arsimit, ku ai parashikon edukim mbi këto çështje pa respektuar rolin parësor të familjes dhe të drejtën natyrore të babait e nënës në procesin edukues të fëmijëve të tyre në përputhje me bindjet morale dhe besimin fetar përkatës, duke krijuar kështu pasiguri e pështjellim në formimin e fëmijëve.
Familja mbetet institucioni themelor i shoqërisë dhe vendi më i përshtatshëm për t’u folur fëmijëve për çështje të identitetit dhe edukimit seksual. Prindërit, nëna dhe babai, e njohin më mirë se kushdo tjetër fëmijën e tyre dhe e dinë kur dhe si mund të trajtohen me maturi këto tema delikate.
Ekspozimi i të miturve ndaj këtyre koncepteve që në moshë të hershme, në mjedise të hapura si shkollat dhe në praninë e njerëzve të panjohur, mund të sjellë më shumë dëme sesa dobi për ta. Madje, prindërit, si edukatorët parësorë të fëmijëve të tyre, duhet të ruajnë edhe të drejtën e patjetërsueshme të vendimmarrjes mbi përmbajtjet e kurrikulave shkollore. Po ashtu, ne shprehim shqetësimin tonë se masat e parashikuara nga projektligji për zbatimin e këtyre parimeve janë të ngarkuara me mekanizma kontrolli dhe sanksione që mund të kthehen në mjete shtrënguese e ndëshkuese, që synojnë një riformësim shoqëror përmes imponimit të koncepteve që nuk burojnë nga tradita juridike, kulturore dhe morale e shumicës së popullsisë.
Në thelb, projektligji kërkon barazi në rezultate, jo në mundësi, duke vendosur kuota gjinore të detyrueshme, që cenojnë parimin e meritokracisë. Një ligj që synon mbrojtjen e një pakice, por e imponon botëkuptimin e saj mbi shumicën, rrezikon të kthehet në instrument diskriminues në vetvete, duke cenuar parimin e lirisë së ndërgjegjes dhe bashkëjetesës demokratike, duke e zëvendësuar dialogun me detyrimin. Ligji duhet të jetë mjet bashkimi e drejtësie, jo imponimi apo ndëshkimi ndaj atyre, që mendojnë ndryshe.
Prandaj, edhe ky projektligj duhet të rishikohet në përmbajtje dhe frymë, duke u kthyer në një kornizë mbrojtëse, jo imponuese, që respekton identitetin biologjik, familjar dhe kulturor të shoqërisë shqiptare dhe që vendos meritën dhe dinjitetin njerëzor përpara çdo kuotimi artificial.
Komunitetet fetare qëndrojnë në unitet në parimin se çdo person, pavarësisht orientimit apo bindjeve të veta, ka dinjitet të barabartë dhe duhet trajtuar me respekt e konsideratë.
Çdo formë dhune, urrejtjeje apo diskriminimi duhet dënuar pa mëdyshje. Mirëpo, respekti ndaj diversitetit nuk mund të arrihet duke relativizuar natyrën njerëzore, apo duke mohuar dallimin e lindur ndërmjet burrit dhe gruas, që është themeli i jetës, dashurisë dhe bashkëjetesës shoqërore.
Për këtë arsye, bëjmë thirrje që çdo ndryshim ligjor të ndërmerret me përgjegjësi, në frymën e dialogut shoqëror dhe të respektit për moralin publik, për të siguruar që barazia gjinore të mos shndërrohet në ideologji, por të mbetet një mjet për drejtësi, bashkëjetesë dhe zhvillim të qëndrueshëm njerëzor.
Bashkangjitur gjeni raportin e Grupit të Ekspertëve të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, përfaqësues të të gjitha komuniteteve fetare në vend.
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Me respekt,Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë!
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente
