Projektligji për bujqësinë e zhvillimin rural, kreu i sindikatës: Skemat që po aplikohen, diskriminuese për fermerët

6 Qershor 2022, 21:24| Përditesimi: 6 Qershor 2022, 21:42

  • Share

Sindikata e fermerëve e konsideron diskriminuese skemën për mbështetjen e bujqësisë. Në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese kreu i sindikatës Eduart Sharka tha se kriteret në skemat janë përjashtuese, por këto shqetësime u hodhën poshtë nga Ministria e Bujqësisë.

Skema e mbështetjes së fermerëve për naftë pa taksa, dhe skema për subvencionimin e blegtorëve për krerë bagëtish kanë kritere diskriminuese dhe nuk mbështesin të gjithë fermerët që aplikojnë.

Ky ishte shqetësimi i ngritur në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, nga kreu i sindikatës së fermerëve Eduart Sharka, që mori përgjigje nga Ministria e Bujqësisë.

"Skemat ekzistuese që po aplikohen sot janë diskriminuese për fermerët. Për vitin 2022 kanë aplikuar 6 mijë fermerë në skemën e blegtorisë, dhe fondi mjafton vetëm 3 mijë fermerë, vija e kuqe është tek kufiri 3 mijë. Të gjithë i plotësojnë kushtet dhe i vetmi kriter që ndan përfituesin nga jo përfituese është koha dhe minutat kur kanë aplikuar."- tha Eduart Sharka kreu i Sindikatës.

"Ministria e Bujqësisë me vendim e Këshillin e Ministrave do të shpërndaj aq burime financiare sa ka në dispozicion dhe në këtë kuptim nuk konsiderohet diskriminim ndaj një grupi apo një tjetri. Përmendet kriteri kohë, por natyrisht kur ke një fond të caktuar je i detyruar të vendosësh një kriter që nuk është diskriminues. Nga ana tjetër ka edhe probleme infrastrukturore sepse përfitimi i një numri shumë të madh fermerësh nuk mund të bëhet me kontrollin drejtpërdrejt në fermë që ne zbatojmë sot."- tha Irfan Tarelli drejtor në Ministrinë e Bujqësisë

Sharka kreu i Sindikatës: Kanë aplikuar rreth 55 mijë fermerë për naftë pa taksa, dhe deri tani janë shqyrtuar vetëm aplikimet deri në 9 mars afati aplikimit ka qenë deri në 25 prill, dhe s’do përfitojë as gjysma prej tyre. Dhe këtu ka diskriminim për fermerët.

"Brenda datës 2 qershor u është shpërndarë nafta rreth 20 mijë fermerëve. Kanë qenë ata që duhet të mbillnin kulturat bujqësore të pranverës. Uroj që të kemi më shumë fonde në dispozicion që të përfitojnë të gjithë dhe për këtë po punojmë edhe me qeverinë."- Enio Civici ZV/ministër i Bujqësisë

Sharka ngriti edhe problemin e kriterit të sipërfaqes së tokës që duhet të kesh për të përfituar mbështetje nga skema.

Kemi 2 mijë hektar sera. U parashikua fondi për 2 mijë hektarë që të përfitonin nga 400 mijë për dynym, dhe kanë aplikuar vetëm 50% sepse u vendos kriteri që të kishe mbi 1 hektar tokë, ndërkohë që 95% e fermerëve kanë nën 1 hektar sera. Justifikimi ishte që ky nxit kooperimin,por ne kemi argumente që ky nuk nxit kooperimin por është diskriminues.- tha Sharka kreu i Sindikatës

Këto diskutime u bënë teksa në komision shqyrtohej nisma e deputetit Agron Duka për disa ndryshime në ligjin për bujqësinë e zhvillimin rural, që synonte mbështetjen e bujqësisë dhe zgjidhjen e disa problematikave të sektorit. Por kjo nismë nuk u votua nga deputetët.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?