KMSH shpreh shqetësim për projektligjin e ri për “Barazinë Gjinore”, duke theksuar se nuk është konsultuar dhe se termi “gjini gjithëpërfshirëse” rrezikon të sjellë konfuzion dhe të dobësojë institucionin e familjes.
***
Një përkufizim më i gjerë i termit “gjini”, duke përfshirë identitete të tjera përtej atyre klasike, burrë dhe grua, nuk është mirëpritur nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Në një reagim për Report Tv, KMSH thekson se nuk ka dijeni për mënyrën e hartimit të tij dhe as është pyetur për të dhënë mendim
“Ky projektligj nuk është konsultuar me ne dhe ne nuk kemi asnjë informacion mbi mënyrën dhe bazat e ndërtimit të tij”.
KMSH shton se këto ndryshime, që sipas tyre nuk marrin parasysh traditën, natyrën biologjike dhe moralin shoqëror, mund të krijojnë më shumë probleme sesa zgjidhje.
“Përfshirja e një nocioni të paqartë, që nuk jep kufij të qartë dhe hap rrugë për interpretime të shumta, rrezikon të sjellë konfuzion si në zbatimin praktik të ligjit, ashtu edhe në strukturën shoqërore. Një shoqëri ka nevojë për norma të qarta, të kuptueshme dhe të zbatueshme”.
Përfshirja e termit “gjithëpërfshirës” në përkufizimin e gjinisë, sipas KMSH, mund të ketë një ndikim të gjerë negativ
“Përfshirja e nocioneve të paqarta mbi gjininë, dhe sidomos dhënia e tyre e statusit juridik, rrezikon të dobësojë institucionin e familjes, duke i hapur rrugë keqinterpretimeve në arsim, në punësim dhe në jetën shoqërore”.
Report Tv ka kërkuar qëndrim edhe nga komunitetet e tjera fetare, Kisha Katolike, Kisha Ortodokse dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane, por deri në momentin e publikimit të kronikës, ato nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar.
Si e vlerësoni përfshirjen e përkufizimit “gjithëpërfshirës” të gjinisë në këtë projektligj?
Fillimisht më lejoni t’ju informoj se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është njohur mbi këtë projektligj me anë të këtij emaili dhe më pas nga disa lajme në median online. Ky projektligj nuk është konsultuar me ne dhe ne nuk kemi asnjë informacion mbi mënyrën dhe bazat e ndërtimit të tij.
KMSH e sheh me shqetësim përfshirjen e termit “gjithëpërfshirës” në përkufizimin e gjinisë. Ky ndryshim përbën një largim nga kuptimi fetar islam dhe nga kuptimi natyror dhe i qartë i gjinisë, si burrë dhe grua, i cili ka qenë gjithmonë baza mbi të cilën është ndërtuar shoqëria njerëzore.
Përfshirja e një nocioni të paqartë, që nuk jep kufij të qartë dhe hap rrugë për interpretime të shumta, rrezikon të sjellë konfuzion si në zbatimin praktik të ligjit, ashtu edhe në strukturën shoqërore. Një shoqëri ka nevojë për norma të qarta, të kuptueshme dhe të zbatueshme. Ndryshime të tilla, të cilat nuk marrin parasysh traditën, natyrën biologjike dhe moralin shoqëror, krijojnë më shumë probleme sesa zgjidhje.
Nga këndvështrimi i fesë që përfaqësoni, si shihet koncepti i identiteteve gjinore përtej burrë-grua?
Sipas fesë islame, gjinia është e përcaktuar nga Zoti në dy kategori: mashkull dhe femër. Ky parim është i qartë në Kuran dhe në traditën profetike, dhe ai lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si funksionon natyra dhe shoqëria.
Më poshtë po ju sjellim disa ajete nga Kurani famëlartë që e tregojnë qartë përcaktimin e gjinisë:
“O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise...
e prej tij bëri çiftin: mashkullin e femrën?! (75:39)
Ne ju kemi krijuar në çifte. (78:8)
Dhe për çdo lloj fruti, Ai ka krijuar nga një çift. (13:3)
Allahu ju ka krijuar së pari prej dheut (Ademin), pastaj (pasardhësit e tij i ka krijuar) nga pika e farës dhe më në fund ju ka bërë çifte. (35:11)
Qoftë lavdëruar Ai që i ka krijuar çift të gjitha llojet: çka mbin prej tokës, ata vetë dhe ato që nuk i dinë! (36:36)
Ai, që ka krijuar çifte për çdo lloj krijese… (43:12)
… se Ai krijon çiftet, mashkull e femër… (53:45)
A s’ka qenë një pikë fare që derdhej, pastaj u bë droçkë gjaku e më pas Allahu e krjioi dhe i dha formë e përmasa të caktuara, e prej tij bëri çiftin: mashkullin e femrën?! (75:37-38-39)
(Në kllapa gjendet numri i Sures dhe numri i ajetit nëse ju duhet për orientim.)
Nisur nga këto ajete, përpjekje për të shtuar apo shpikur identitete të tjera gjinore përbën një devijim nga e vërteta e krijimit.
A mendoni se ky ndryshim përputhet me parimet dhe vlerat mbi familjen?
Familja në traditën islame dhe në kulturën shqiptare është ndërtuar mbi bashkimin natyror të burrit dhe gruas. Ky bashkim është themeli i krijimit, vazhdimësisë së jetës dhe edukimit të brezave. Çdo koncept që e relativizon apo mohon këtë realitet, bie ndesh me parimet mbi të cilat është ndërtuar familja.
Përfshirja e nocioneve të paqarta mbi gjininë, dhe sidomos dhënia e tyre e statusit juridik, rrezikon të dobësojë institucionin e familjes, duke i hapur rrugë keqinterpretimeve në arsim, në punësim dhe në jetën shoqërore.
Një shoqëri ku dobësohet familja, është një shoqëri që humb kohezionin dhe stabilitetin. Për këtë arsye, ne besojmë se ndryshime të tilla nuk përputhen me vlerat themelore të familjes, por përkundrazi, mund të cenojnë seriozisht të ardhmen e saj.
A mendoni se institucionet fetare duhet të kenë rol më aktiv në diskutime dhe konsultime për çështje të tilla sociale?
Institucionet fetare kanë një rol të rëndësishëm në shoqëri, pasi ato përfaqësojnë besimin, traditën, moralin dhe vlerat shpirtërore të një populli. Çështje kaq të ndjeshme, që lidhen drejtpërdrejt me familjen, moralin dhe rendin shoqëror, nuk mund të trajtohen vetëm në nivel teknik apo politik, pa marrë parasysh dimensionin shpirtëror dhe kulturor të tyre.
Për këtë arsye, është e domosdoshme që institucionet fetare të përfshihen në procesin e konsultimeve për të dhënë kontributin e tyre në ruajtjen e ekuilibrave shoqërorë. Përvoja ka treguar se ligje që nuk marrin parasysh këtë dimension, shpesh sjellin ndasi dhe pakënaqësi në shoqëri.
Fjala “gjithëpërfshirëse” është futur edhe në disa nene të tjera të projektligjit duke treguar se nuk bëhet fjalë vetëm për një ndryshim gjuhësor, por për një zgjerim të qëllimshëm që i jep status juridik kategorive të reja gjinore. Këtë e përforcon dhe termi, po në të njëjtin nen “shprehje gjinore”, që nënkupton se gjithkush mund të deklarojë gjininë që dëshiron.
Megjithatë, projektligji nuk jep një listë konkrete të gjinive jo-binare, pra atyre që shkojnë përtej konceptit të deritanishëm burrë-grua. Në debatet ndërkombëtare për identitetin gjinor, disa studiues numërojnë deri mbi 70 identitete të ndryshme, çka do e bënte edhe më të ndërlikuar zbatimin praktik të ligjit.
Nga ana tjetër, projektligji i ri për barazinë gjinore parashikon përfaqësim të detyrueshëm të gjinisë nga 30% deri në 50% në pozitat drejtuese, dhe jo vetëm në sektorin publik por edhe në privat.
Komente

Po pse ku jemi,ne Afganistan,Iran,Arabi qe t'ju pyesin juve?! Jemi ne nje shtet laik,perendimor,ku nuk sundojne as Ulemat,as Sheriati.Dhe institucioni i familjes nuk do te dobesohet,perkundrazi do pasurohet me shume.
PërgjigjuMe këtë projektligj familja dobësohet ndjeshëm. Dhe qe ta kesh të qartë, sipas Kushtetutës së Shqipërisë, pyetën edhe të gjitha komunitetet fetare, (në rast se s'e ke parasysh kushtetuten).
Nqs eshte e vertete atehere myslimane,ortodokse dhe katolike duhet te ngrihen e te protestojne.Kur bashkia e Tiranes dha lejen qe ne tarracen e bashkise te kryhej ceremonia e marteses se dy lesbikeve e drejtuar nga njefare pastori, nuk u ngrit njeri te flasi.Keshtu keta plehra politikane thone e bejme dhe kete ligj se s'do ndihet njeri.
PërgjigjuPo he pra flisni se na cmendet. Allahu Krishti Muhamedi. Ku jane Katoliket dhe Ortodokset? Ore jeni ne vete ju? Nxirrni njerezit rrugeve se nuk ka shance qe ky ligj i ndyre te kaloj. Po kalohet cdo mase.
PërgjigjuDmth tani do na shperbeni si komb fare , ate plan keni ? Vetem referendumi popullor vendos ne rast te kundert duhet te ngrihemi kundra qelbesirave qe duan shkatterrimin e familjees
Përgjigju