Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë mbajti sot (9 Shtator) mbledhjen e radhës, ku u diskutua projektligji “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
Nuk munguan debatet mes deputetëve të të dy kampeve politike, për shkak edhe të dyshimeve që ngritën deputetët e opozitës, se projektligji ka mangësi dhe hapësira që lënë vend për abuzime, sidomos ato të përzgjedhjes së inspektorëve, organizimit dhe profesionalizmit.
Deputeti i PL, Petrit Vasili, ngriti shqetësimin për ndërhyrjet politike te Inspektoriatet e Inspektimit, por edhe shqetësimet që u sjellin inspektorët e inspektoriateve të ndryshme ndaj bizneseve.
Madje deputetja Albana Vokshi ngriti dhe akuza në lidhje me “patronazhistët në administratë”, siç e quajti ajo. Madje edhe për emërimet politike në riorganizimin e inspektoriateve. Por deputetët e mazhorancës e kundërshtuan, duke kujtuar se para 11 vitesh situata ishte më keq, kurse tani po hartohen projektligje për ta rregulluar me ligj.
Më tej pati edhe debate për ndërhyrje apo pretendime për fyerje, mes kryetares Zheni Gjergji dhe disa anëtarëve të mazhorancës. Deputetët socialistë i kërkuan kryetares që të mos ndërpriste fjalën dhe mendimin e kolegëve, kurse deputetja demokrate kërcënoi edhe me prerje të fjalës.
“Nuk fyeu njeri. Është mëngjes dhe ndoshta si ka dal gjumi”, u shpreh një nga deputetët e mazhorancës.
“Me del herët. Mos fyej mund se mund të heq edhe fjalën, merru me ligjin!”, iu kthye Gjergji, duke shkaktuar debate të tjera.
Kjo solli reagimin e mazhorancës, duke i kujtuar palës tjetër që “të mos kujtojnë kohën kur drejtuesit e tyre të institucioneve bënin fushatat”.
Një tjetër diskutim ka qenë për bizneset që ankohen për kontrollet e shpeshta dhe bezdisjen nga inspektoriatet. Vasili kërkoi specifikime me të sakta për projektligjin dhe qe inspektorët. Kurse deputetja Albana Vokshi iu rikthye çështjes së akulloreve kanceroze në treg dhe mungesës së masave, duke iu drejtuar ministres së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, si dhe kërkuar shpjegime përse nuk ishin marrë masat e duhura.
“Kryetari i KLSH ngriti shqetësimin për 13,2 tonë akullore të konsumuara. Nuk u mor asnjë masë. Madje Prokuroria e pushoi. Çfarë është bërë me këtë çështje, pasi njeriu që e hetoi dhe denoncoi u akuzua e sulmua nga mazhoranca. A mendoni ju dhe prokurorët për fëmijët, a kanë fëmijë ata. Duhet të mendojmë për fëmijët tanë. Nga informacionet që kemi ka ende produkte të tjera si mishi apo të tjera, me substanca të dëmshme për qytetarët. A keni një qëndrim për këtë çështje, përdorimin dhe konsumimin e produkteve për fëmijë e jo vetëm, të dëmshme dhe të tjera në tregun ushqimor, a keni ndërmarrë juve ndonjë hap si institucion në lidhje me situatat alarmante?”, tha Vokshi.
Ministrja Ibrahimaj iu përgjigj se ishin marrë masat e duhura, se një pjesë e mirë e këtyre akulloreve janë bllokuar dhe nxjerrë nga tregu dhe se kontrollet për këto çështje janë periodike dhe vijojnë në çdo biznes.
“Në kuadër të ligjit ushtrohen kontrolle për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit”, tha ajo.
Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën së Biznesit, Delina Ibrahimaj, shpjegoi në Komisionin Parlamentar ditën e sotme (9 Shtator) pse duheshin ndryshimet në Projektligjin e ri të propozuar dhe hedhur në diskutim, për Inspektoriatet Shtetërore.
Dyshimeve të opozitës për punësime politike dhe kontroll të institucioneve, ajo iu përgjigj duke shpjeguar se tani të gjitha emërimet, përzgjedhjet dhe ndëshkimet për shkeljet do bëhen me anë të Komisioneve të posaçme monitoruese.
Ibrahimaj, duke kujtuar se vjen dhe vetë nga fusha e biznesit, nënvizoi se edhe disa inspektoriate do bashkohen në një, si ato te Shëndetësia, teksa theksoi se ndryshimet duheshin bërë edhe për faktin se koha ka evoluar dhe tani gjithçka është online, teknologjia ka avancuar dhe shërbimet për qytetarët në pjesën më të madhe janë po online.
“Shërbimet janë bërë online, por për Inspektimet s’kemi pasur avancime. Jo se ligji ishte i keq, por kanë kaluar 13 vite dhe gjithçka ka ndryshuar. Kemi eliminuar korrupsionin në shërbimet publike. Kemi rritur inspektimet për mbrojtjen e konsumatorit dhe fëmijëve. Ky ligj e rrit cilësinë inspektorëve dhe inspektoriateve. Ka nevojë për përmirësim, duke pasur parasysh zhvillimet e fundit si ato dixhitale dhe të fushës informacionit”, tha Ibrahimaj.
Më tej ajo përmendi edhe databazat elektronike, aksesin tek to dhe privilegjimin e bizneseve me rekordet historike që do shënohen në sistem.
“Jemi ndër vendet e vetme që ofrojmë pjesën më të madhe të shërbimeve online. Do përqendrohemi te burimet njerëzore dhe aty ku ka nevojë apo rrisk te shëndeti i qytetarëve, fëmijëve por edhe te punësimi dhe ushqimet”, tha Ibrahimaj.
Dyshimeve të opozitës për punësime politike, të ngritura nga kryetarja Zheni Gjergji dhe deputetja Albana Vokshi, ministrja iu përgjigj:
“Rekrutimet do jenë të paanshme, projektligji përcakton përzgjedhjen sipas procedurave. Do jenë 12 komisioneve pranë inspektoriatit qendror për këtë proces, për përzgjedhje me kritere dhe standarte të garantuara, për të gjithë. Procesi i karrierës do jetë i bazuar në këtë ligj dhe nuk do bëhen nga asgjëja. Por do jenë specialistë të fushës, të trajnuar dhe s’do merren nga rruga”.
Një tjetër temë ishte ajo e komisioneve për ndëshkimin e shkeljeve, që gjithashtu do të ndryshojnë. Inspektoriati Qendror do të ketë në varësi këto komisione me përbërje nga disa institucione dhe madje Dhoma e Biznesit.
“Nëse ka ankesa për shkelje apo korrupsion, s’do jetë institucioni që i ka në listpagesë që do japë ndëshkimin apo masën, por institucioni i paanshëm që do ngrihet, Komisioni, i cili do ndëshkojë inspektoret që venë për shembull gjoba padrejta”, shpjegoi Ibrahimaj.
Ajo garantoi se zëri i biznesit do dëgjohet dhe qëllimi është “rritja e besueshmërisë te procesi i paanshëm”, teksa “do ketë pjesëmarrje në Komisionet e Inspektoriatit edhe nga Dhomat e Biznesit, por jo biznesmenë”.
Gjithashtu edhe një Bord për “mirkordinim inspektimesh”.
“Ky ligj hap rrugën e reformimit inspektoriateve, duke afruar inspektoriatet që kryejnë të njëjtin funksionon, si i shëndetësisë që ka 4 inspektoriate dhe që do bashkohen në një të vetëm; si shëndeti publik, rrezatimi, barnave dhe shërbimit ndaj kujdesit shoqëror. Do jetë strukturë e vetme, për ta bërë më të lehtë për publikun”, tha ministrja, teksa shtoi se shembuj ishin marrë nga vende të tjera si Kroacia.
Nuk munguan edhe debatet për shkak se ministrja kërkoi leje që të merrte pjesë në një tjetër Komision parlamentar, por kryetarja Zheni Gjergji dhe deputetja Albana Vokshi e akuzuan për mbërritje me vonesë, duke i përmendur edhe “kopshtin” ministres, e cila i kundërshtoi duke u thënë se kishte shkuar që në orën 09:30 në Komision, por nuk kishte gjetur askënd aty.
Gjergji i kujtoi ministres “çështjet e saj personale”, kurse kjo e fundit iu përgjigj se ishin “çështje profesionale”.