Botuesja Irena Toçi ngre disa nga problematikat që çdo ditë has në fushën e librit. Ajo rrëfen, se dhjetë muaj (janar 2019) pas vendosjes së 6 përqindëshit të tatimit të librave mbi vlerën e shtuar, efektet e para duken pozitive në formalizmin e tregut, por negative në rritjen e çmimit të librave, gjë që rëndon drejtpërdrejt mbi lexuesit. Një tjetër shqetësim i madh, sipas botueses, është që kjo taksë e vendosur nga qeveria shqiptare pa u konsultuar me atë të Kosovës, krijon pengesë artificiale në librat e autorëve shqiptarë të Kosovës.
Zonja Toçi, kanë kaluar dhjetë muaj pas vendosjes së 6 përqindëshit të tatimit të librave mbi vlerën e shtuar. Por cilat janë efektet e kësaj iniciative?
Dhjetë muaj pas vendosjes së kësaj takse mendoj se ka efekte pozitiv edhe negativ. Efekti pozitiv shkon drejt formalizmit të tregut, sepse libraritë edhe botuesit janë më të ndërgjegjshëm, se kjo gjë duhet bërë ashtu siç duhet, me fatura të rregullta dhe me kupton tatimor. Deri këtu shkon më mirë, por në një farë mase rëndohet shumë herë çmimi i librit, gjë që nuk eksitonte para një viti. Jemi të detyruar që të ndryshojmë çmimet e librave të rinj, qoftë edhe me një përqindje më të lartë. Ndërkohë, që për blerësin është një rëndesë më e madhe. Por nga ana tjetër ka rritur shumë edhe punën burokratike brenda zyrave. Kjo do të thotë se duhet të kemi më shumë financierë, që duhet të merren me këto hollësi të TVSH-s. Por ky nuk është justifikim, le të shihet efekti në një largësi kohore në buxhetin e shtetit edhe pastaj le të riflasim për TVSH-n. Mund të ishte ulur TVSH-ja edhe në shtypshkronjë. Por ende nuk kemi një pasqyrë nga tatimet me shifra, se çfarë ka ndryshuar në buxhetin e shtetit në lidhje me këtë taksë. Nga ana tjetër kjo taks e vendosur edhe e pakonsultuar me qeverinë e Kosovës pengon ardhjen e librave nga Kosova në Shqipëri. Sadopak që të prodhohet në Kosovë aty jeton një popullsi, që do të donte shumë që librat që prodhohen atje të tregtohen edhe në Shqipëri. Ky gjashtë përqindësh krijon një pengesë artificiale në ardhjen e librave që tregtohen këtu.
Sa i përket projektligjit për librin që ministria e Kulturës ka botuar në faqen e saj zyrtare, a jeni njohur me të?
Unë e kam parë në media si problematikë, kjo do të thotë se nuk kisha asnjë lloj informacioni për projektligjin për librin, në të cilin ka disa ndryshime që nuk janë esenciale. Nuk është e rëndësishme që nuk e di unë, por Shoqata e Botuesve duhet që të ishte në dijeni të tij.
Një prej neneve të këtij projektligji është që për çdo libër nga pesë kopje në tre do të dorëzohen në Bibliotekën Kombëtare, ndërsa dy në ato publike. Si e vlerësoni ju këtë?
Një nga pikat kryesore ishte një nen që detyron me ligj që botuesit të dorëzojnë një numër kopjesh falas në Bibliotekën Kombëtare edhe atë Publike. Një nen që ka ardhur edhe është mbartur që nga koha e diktaturës. Ka mbetur aty si një mbetje rutinore, duke na detyruar që të çojmë në Bibliotekën Kombëtare 5 kopje falas, në momentin që flasim edhe deri në tre kopje në vazhdim. Unë di se Biblioteka Kombëtare ka nevojë për hapësira të reja bashkëkohore, që do të ruanin librin që ka në fondin që ka, e më pas të pasurohej me libra të tjerë në kushte të përshtatshme. BK jonë nuk i plotëson këto kushte. Ne dorëzojmë me mijëra libra çdo vit edhe në BK nuk ka fare kushte për ruajtjen e tyre.
Puna jonë shkon dëm duke u ruajtur në ato kushte. Në lidhje me dy kopjet e Bibliotekës publike është një tjetër absurditet i madh. Jetojmë në Tiranë. Cilës bibliotekë publike do t’ja dhurojë këto kopje? Mos vallë duhet që t’i dorëzojmë çdo biblioteke nga dy kopje. Shtëpia nuk mbahet me miell hua. Unë po e bëj këtë veprimtari për idelaizimin tim, por përse duhet që t’i dhuroj me ligj Bibliotekës Publike dy libra. Mund ta bëja me kënaqësi, por më duket absurditet. Nëse i dhurojmë dy libra Bibliotekës Publike në Tiranë. Po në Himarë kush do jap libra? Atje Biblioteka Publike nuk ekziston. Kush do t’i dhurojë libra kësaj biblioteke, ku nuk ka asnjë subjekt libri, që vepron në atë bashki. Po kështu janë edhe vendet e tjera.
Po, ju sjell një shembull. Sllovenia fqinje është një vend si ne, që ka zhvilluar veprimtarinë ekonomike edhe shoqërore mbi bazën e ligjeve të socializmit, sot e zhvillon këtë veprimtari në bazë të kapitalizmit. Por në Sllovenin fqinje, një autori që i çohet libri nga Biblioteka Kombëtare tek ajo Publike nderohet në mënyrë të tillë, duke i shtuar të ardhurat e tij vjetore. Si bëhet kjo? Nëse unë marr një libër, si lexues. Kjo shënohet. Edhe në fund bëhet një bilanc, edhe në bazë të këtyre leximeve autori shpërblehet. Ky është ndryshimi.
Ndërsa, në vendin tonë çdo krijues taksohet mbi veprën që bën me 15 për qind. Si rëndon ky taksim mbi këta autorë?
Nga ana tjetër, nëse ne do të donim që t’i përkushtoheshim asaj shtrese intelektuale, që janë edhe krijues, përse kjo shtresë të mos stimulohet? Nëse ne do të vazhdojmë që ta taksojmë këtë shtresë me 15 për qind interesi i tyre për të krijuar do të ulet. Përveçse atyre që kanë bërë një karrierë, edhe nuk e lënë më dot. Por pas kësaj çfarë do të vijë? Do të vijë terri. Ne nuk po i stimulojmë fare këta krijues. Nuk stimulojmë ata që krijojnë vepra edhe na përfaqësojnë. Specialistët e financave mund që t’i llogarisin këto efekte në buxhetin e shtetit.
Përpos taksave të shtuara, projektligjit të pakonsultuar fillimisht me Shoqatën e Botuesve, numrit të paktë të lexuesve në vendin tonë (1 mln njerëz, që s’kanë lexuar asnjë libër për vitin që lamë pas), a ka pasur nisma pozitive në fushën e librit?
Mendoj se në sektorin privat ka pasur shumë zhvillime pozitive. Ndërsa, në atë publik edhe në mënyrën se si menaxhohet libri veprimtaria lë shumë për të dëshiruar. Ndoshta, fajin e kemi edhe ne nuk kemi pas fuqi që të lobojmë sa duhet. Libri edhe veprimtaritë artistike krijojnë opinione. Ne jemi të ndryshëm në sytë e të tjerëve vetëm për kulturën që kemi dhe krijojmë. Është shumë më e thjeshtë të përkthesh edhe të përshtatesh kulturën e të tjerëve, por dalëngadalë do të humbasësh kulturën tënde, duke i shtrënguar taksat edhe tatimet. Mendoj se duhet të pasurohen bibliotekat, jo vetëm me libra, por edhe me tableta. Krahasuar edhe me Kosovën jemi pas në këtë drejtim. Po njësoj ndodh edhe në Serbi, ku me projekte të ndryshme libri ka shkuar në edhe në fshatrat më të largët. Ne nuk mundur të krahasohemi as me Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Kroacinë etj. Prandaj mendoj se stimulimi i bibliotekave të bashkive nga buxheti i shtetit edhe jo nga buxhetet e bizneseve, është mënyra më e mirë për të stimuluar librin tek shtresat sociale që nuk e prekin dot librin. Nëse kjo nuk bëhet, edhe botuesit do të humbasin interesin për t’u marrë me këtë biznes.