Hapja e basteve online shkaktoi sërish debate në Komisionin e Ekonomisë, kur deputeti Erion Braçe kërkoi filtra më të fortë kontrolli për ata që do të marrin licencat. Braçe tha se bastet mbeten në duart e krimit ndërsa propozoi edhe mundësinë që fjalën e fundit për miratimin ta japë Prokuroria e Posaçme.
Miratimin përfundimtar për dhënien e licencës për organizimin e lojërave të fatit për deputetin socialist Erion Braçe mund ta japë SPAK.
‘Po sikur këtë sistem shtrëngues të verifikimit të të ardhurave për këta që do të organizojnë lojërat e fatit ka ndonjë problem? Ky sistemi i kontrollit për çdo qeveritar, deputet e kështu me radhë ka ndonjë problem? A ka mundësi që miratimin përfundimtar ta japë SPAK. Më ka rënë në vesh që miratimin e fundit të kazinove e jep FBI.’- tha Braçe.
Në mbledhjen e radhës të Komisionit të Ekonomisë për projektligjin për rikthimin e basteve online, Bracce ripërsëriti qëndrimin e tij nuk garantohet ato nuk do të bien sërish në dorën e krimit të organizuar.
‘Problemet kanë qenë kriminalizimi i këtij sektori dhe prezenca e krimit të organizuar në këtë sektor. Ky ishte shqetësimi im i parë, me çkriminalizimin e këtij sektori. Ishte dhe vazhdon të jetë. Me aq sa ka sjellë ligji unë nuk mendoj se janë të mjaftueshme që ky sektor të çkriminalizohet.’- deklaroi Braçe.
Deputeti socialist kërkoi edhe një herë tatim më të madh për organizatorët e lojërave të fatit, ndërsa tha se propozimin do ta paraqesë me shkrim.
‘Që ne të marrim një çdo 100 lek i luajtur vetëm 1.5 lekë, unë mendoj se nga e gjithë kjo sipërmarrje e madhe për t’i legalizuar është thuajse e papërfillshme. Mbi të gjitha që ne duhet të pranojmë që në çdo 100 lekë ata shpërndajnë 90 lekë për çdo lojtar, që këta vrasin njëri-tjetrin dhe grabitur njëri-tjetrin për 4. 3 lekë në 100 lekë duhet të jesh i çmendur që ta besosh. Unë kam bërë një propozim nga qeveria nëse është pro apo kundër para se ta paraqesh me shkrim kur të votohet.’- u shpreh Braçe.
Qëndrimin e qeverisë dhe ekspertëve se lojtari nuk duhet të taksohet, Braçe e komentoi kështu:
‘Është një analist i famshëm shumë, që gjithë ditën luajnë e kuqe e zeze, kuqe e zezë dhe del pastaj në darkë dhe bën analiza politike. Dhe të mos paguajë ai asnjë lloj fitimi. Ndërkohë që brenda asaj studios ka njerëz profesionistë të lirë që do të paguajnë. Kjo s’ka më asnjë lloj kuptimi.’- tha Braçe.
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Shalsi njoftoi se grupet e punës janë drejt paraqitjes një drafti të ri, që t’i japë përgjigje shqetësimeve.
“Jemi të vetëdijshëm që me amendimet që do t’i bëjmë ligjit do të jenë të mjaftueshme. Bota flet sot për e-game për shembull, ku pjesë janë edhe bastet online apo lojërat e fatit”- u shpreh Shalsi.
Ndryshimet në projektligjin për lojërat e fatit parashikojnë rikthimin e basteve sportive vetëm online, dhënien e së drejtës për ta ushtruar këtë aktivitet vetëm për 10 operatorë dhe përzgjedhja e tyre nëpërmjet një komisioni të veçantë.