Janë miratuar në parim nga Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese 2 projektligje që synojnë të rrisin cilësinë dhe sigurinë e ndërtimeve. Projektligji “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” të ndryshuar që synon të ndalohen të gjitha ndërtimet pa leje në vend, të ndëshkohen me gjobë, konfiskim të objektit e deri në shembje të gjithë ata që shkelin lejen e ndërtimit. Por kryetari i Komisionit Niko Peleshi shkon më tej dhe kërkon forcim të sanksioneve dhe të kemi Kod të posaçëm vetëm për Ndërtimet, pasi sipas tij ligjet deri më tani nuk kanë funksionuar.
“Ka ardhur koha për të miratuar një Kod të ri ndërtimi, që ta kemi me kod dhe jo ligj ndërtimin në Shqipëri atëherë kjo vije e kuqe do të betonohej dhe do të ishte e vështirë të ndryshohej nga një qeveri tek tjetra. Që në vitin 2004 kemi trashëguar 200 mijë ndërtime pa leje por duhet ta pranojmë që nuk është shoqëruar me një vijë të kuqe. Amnistia normalisht duhet të shoqërohej me një vijë të kuqe përtej së cilës nuk duhet të lejohet më të ndërtohet pa leje nuk është bërë mirë që nga viti 2004, mund të them që është inkurajuar ky proces i ndërtimeve pa leje dhe në këtë mënyrë nga 200 mijë që kishim në vitin 2004 kemi arritur në 450 mijë. Sanksionet e ndërtimeve pa leje mendoj se duhet të ashpërsohen edhe më shumë”, u shpreh Peleshi.
Ndërsa projektligji i dytë i miratuar ishte ai për “Disiplinimin dhe Kontrollin e Punimeve”. Ku në të dy nismat bëhet e detyrueshme lidhja e kontratës së sigurimit që nga projektuesi deri tek ndërtuesi për të gjitha godinat e reja.
“Vlera e shumës së siguruar është përcaktuar gjithsesi që të mos jetë më e madhe sesa vlera e objektit sipas preventivit përkatës. Kontrata e sigurimit nuk është vetëm për ndërtuesit por edhe për projektuesit. Sa do të jetë ngarkesa 1% ose 2% do të jetë primi, pra % e primit mbi vlerën e sigurimit. Ndërtuesit kërkojnë të jetë më pranë 1% ndërsa entet shtetërore mbi 2%”, deklaroi zëvendësministri i Infrastrukturës Artan Shkreli.
Për të gjitha ndërtimet do të kontraktohet edhe mbikëqyrësi i cili do të mbajë edhe përgjegjësi ligjore.
“Edhe objektet private e kanë të detyrueshme që të kenë mbikëqyrësin e punimeve i cili garanton cilësinë në pikëpamjen e zbatimit të projektit por edhe sigurinë dhe merr përgjegjësi ligjore për problemet që kanë të bëjnë me sigurinë e tij. Sidomos pas tërmetit këto janë kushte që ne duhet ti forcojmë. Ligji nuk ka fuqi prapa vepruese”, pohoi zëvendësministri Shkreli.
Të dy projektligjet janë hartuar si domosdoshmëri për të rritur sigurinë e objekteve, pas tërmeteve të vitit të kaluar. Po ashtu në vazhdim komisionet do të diskutojnë edhe ndryshimet në kodin penal, duke propozuar dënimin me deri në 15 vjet burg të ndërtuesve dhe projektueseve që abuzojnë me cilësinë e ndërtimit.