Evis Kushi

Projektligji për Shkencën, Kushi: Konsultimet intensive të MAS me aktorët e fushës do të vijojnë edhe gjatë korrikut

27 Qershor 2023, 12:28| Përditesimi: 27 Qershor 2023, 12:31

  • Share

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi organizoi takimin e parë të konsultimit publik për projektligjin për Shkencën, i cili u zhvillua në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit me anëtarë të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor.

Kushi në një postim në rrjete sociale nënvizoi se në këtë takim u dhanë sugjerime me vlerë për ta përmirësuar më tej draftin e parë, ndërkohë që procesi i konsultimit do të vijojë të jetë intensiv edhe gjatë muajit korrik me aktorë të fushës së kërkimit shkencor.

“Ligji i ri për Shkencën synon që t'i japë një frymë të re dhe bashkëkohore kërkimit shkencor, duke e përafruar me legjislacionin e BE-së dhe duke reflektuar zhvillimet e kohës, duke synuar zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe rritjen e mirëqenies sociale, ngritjen e kapaciteteve të personelit shkencor; Fuqizimin e lidhjeve ndërkombëtare me zonën evropiane të kërkimit; rritjen e përdorimit të infrastrukturës kërkimore shkencore; nxitjen e bashkëpunimit midis institucioneve të kërkimit shkencor, biznesit, institucioneve publike, shoqërisë civile, si dhe palëve të tjera të interesuara në veprimtari kërkimore shkencore dhe inovacion”, u shpreh Kushi.

 

M.T/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?