Pronat e Ushtrisë nuk do të mbrohen më nga Policia Ushtarake, por vetëm nga strukturat që e administrojnë pronën ushtarake. Ky është një nga ndryshimet ligjore në projektligjin e hartuar nga Ministria e Mbrojtjes për “Policinë Ushtarake”, që u diskutua mes debatesh në Komisionin e Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë. Ndryshimi tjetër i parashikuar në ligj është edhe marrja në mbrojtje nga Policia Ushtarake e Ministrit të Mbrojtjes.
Opozita e cilësoi një akt tjetër korruptiv. Ndërsa deputetja demokrate Dhurata Çupi kërkoi informacione se si do mbrohen pronat e ushtrisë, pasi ndryshimi i këtij ligji e cenon këtë.
“Ligji i miratuar në vitin 2015 ishte risi për strukturën e policisë ushtarake. Ishte hera e parë që u krijua një kuadër ligjor për policinë ushtarake. Por, ky projektligj ka hasur vështirësi në zbatimin e tij. Qëllimi i ndryshimeve ligjore është që e gjithë struktura të realizoj misionin në mbështetje të ligjit dhe e gjithë struktura të ketë një trajtim të barabartë”, tha Zv/Ministrja Dallëndyshe Bici.
“Ka karakter Teknik, s’lidhet me programin e Këshilli i Ministrave. Lidhet me projekt aktet e Ministrisë së Mbrojtjes. Ky projektligj vjen në kuadër edhe të krijimit të institucioneve të reja të drejtësisë. Do të mundësojë rregullimin e marrëdhënieve ligjore mes policisë ushtarake dhe agjencive të tjera ligjzbatuese. Ka efekte financiare shtesë për Ministrinë. 135 milionë lekë, nga ky ndryshim 27 mln lekë nga buxheti i ministrisë së mbrojtjes”, tha Denis Deliu, deputet PS.
“Siç është bërë tashmë e udhës edhe ky është ligj me interesa korruptive. Është një ligj që vetëm interes publik nuk ka. Është ligj i varfër në terminologji. Është ligj me 15 nene, që gjithë atë që e kam thënë, që ju në 15 nene, vetëm një nen ju intereson, pra neni 10. Të tjerat janë zbukurime. Ka theks të fortë korruptiv. Neni 10, shkronja A, ndryshon ‘mbron pronën shtetërore policia ushtarake’ në ‘mbështet pronën shtetërore’. Nuk duhet të kaloj në komisionin e ligjeve. Kush i mbron tanimë pronat ushtarake, nëse nuk e bën policia ushtarake? Në shkronjën k, pas fjalëve “në mbrojtje të personaliteve ushtarake”, dhe ato civile. Pse u dashka ministri të mbrohet me ligj të veçantë?”, tha Çupi.
Ndryshimet ligjore në ligjin për Policinë Ushtarake kaluan me 12 vota pro dhe 4 kundër. Ndryshimet parashikojnë rregullimin e marrëdhënieve ligjore Policisë Ushtarake dhe agjencive të tjera ligjzbatuese, si edhe trajnimin e kësaj strukture pranë forcave ushtarake të NATO-s
“Autoriteti i Dosjeve duhet të listojë emrat e funksionarëve publikë që kanë qenë pjesë e ish-sigurimit të shtetit”. Ishte kjo kërkesa e opozitës në Komisionin e ligjeve, që gjeti përkrahjen e mazhorancës.
‘Partia Demokratike kërkoi në Komisionin e Ligjeve, hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të Shtetit për të gjithë funksionarët publike. Propozimi, u pranua nga kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotiolda Ferhati, e cila pati një sugjerim.’- tha Çupi.
‘Ndërkohë, rezoluta për veprimtarinë vjetore të Këshllit të Lartë Gjyqësor, u miratua vetëm me votat e mazhorancës, mes së cilës pati edhe debate. Nga ana tjetër, kërkesa e PD që dokumenti të hidhej për miratim pas raportimit të KLGJ në komision, nuk gjeti mbështetje.’Tha Gjiknuri-Xhafaj
Punimet në Komisionin e Ligjeve u mbyllën me ironi mes deputetes Çupi dhe kryetares së Komisionit Klotilda Bushkës.
Gjatë punimeve në Komisionin e Ligjeve, deputeti Demokrat Gazment Bardhi solli në vëmendje edhe rastin e ushtarakut të ndaluar në Holandë për trafik droge. Bardhi ngriti disa pyetje në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes se çfarë hapash ka ndërmarrë për këtë rast dhe a kanë dijeni për raste të tjera.
Zv.ministrja e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici tha se Ministria do të ndjekë të gjitha hapat ligjorë ndërsa theksoi se ai mban përgjegjësi individuale dhe nuk mund të njollosë uniformën e Forcave të Armatosura.
Gazment Bardhi: Një oficer i ushtrisë shqiptare që është atashuar pranë operacionit të NATO në Holandë, që veç detyrës së tij si ushtarak, pasi mbaronte punën e hiqte veshjen ushtarake ishte angazhuar në trafikim të lëndëve narkotike. Pra kemi çuar në bazë të lartë të NATO, një ushtarak të lartë, të arrestuar në Holandë për trafik droge. Ka patur një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes, që në fakt nuk sqaronte asgjë, vetëm se i kishte bërë thirrje ushtarakut të kthehet në atdhe. Ishte administrator ai i shtëpisë së barit në Holandë. Dua të di cilat ishin veprimet e policisë ushtarake? A ka patur Ministria informacion mbi veprimtarinë kriminale të ushtarakut? Çfarë veprimesh ka kryer SHIU, a keni informacione për zyrtarë të tjerë të përfshirë në veprimtari të tillë? Si apo sa ndikon kjo çështje në raportet me NATO? A është cenuar siguria e shtetit shqiptarë?
Kotilda Bushka: Sllini lajm gazetash pa lexuar. Qasja se si reagohet ndaj veprimeve të gabuara është ajo që gjykohet. Cila është lidhja me projketligjin që po shqyrtojmë sot?
Dallëndyshe Bici: Forcat e Armatosura, në respekt të uniformës s’mund të identifikohen më këtë rast. Do ndiqen hapat ligjor. Përgjegjësia individuale.
Gazment Bardhi: Në fakt nuk është përgjegjësi personale por dështim i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shërbimit Informativ Ushtarak se për këtë paguhen këta dhe këtë të përgjegjësisë personale lërjani dikujt tjetër. E mbani mend atë rastin kur ushtaraku në detyrë transportonte drogë me helikopterin e ushtrisë dhe u zbulua kur iu prish helikopteri. Ministria duhet të kryejë hetime pro aktive që të mos çojmë këta ushtarakë që ruajnë shtëpi bari në bazat e NATO-s. Ka dështuar Ministri i Mbrojtjes, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, policia ushtarake dhe Shërbimi Informativ i Ushtrisë.
Klotilda Bushka: S’kemi pse diskutojmë çështje që si përkasin rendit të ditës.
Pandeli Majko: Zoti Gazi i shërben atij brezi që nuk e ka shërbyer ligjin e detyrimit ushtarak ndaj nuk e njeh mirë strukturën. S’kemi të bëjmë me ngjarje që prek të gjitha strukturat e ushtrisë.
Deputeti demokrat Gazment Bardhi i referohet lajmit, ku Majori Ermal Dinoshi me detyrë specialist stërvitje, është vënë në hetim nga autoritetet holandeze pasi në bashkëpunim me disa persona të tjerë kanë ngritur shtëpi bari. Ushtaraku shqiptar ka qenë i përzgjedhur për të qenë pjesë e një misioni bashkëpunimi me ushtrinë e Holandës, në kuadër të NATO-s.
Ministria e Mbrojtje s’ka reaguar për këtë rast, duke thënë se janë marrë të gjitha hapat e nevojshëm, dhe Dinoshi është pezulluar nga detyra, madje është kërkuar rikthimi i tij në atdhe.