Kisha ortodokse e Shen Joan Vladimirit në Elbasan

Projekt-ligji që ndalonte konvertimin fetar në vitin 1933

2 Prill 2023, 14:18| Përditesimi: 2 Prill 2023, 14:24

  • Share

1-Konteksti historik

Në fund të shekullit XIX në krahinën e Shpatit dhe në Elbasan u zhvillua një lëvizje e rëndësishme, e cila konsistonte në kalimin e banorëve ortodoksë nën varësi të kishës katolike. Kjo lëvizje, krahas arsyeve fetare, kishte në thelb edhe arsye kombëtare. Zgjerimi i protektoratit të kultit nga Austro-Hungaria përtej lumit Shkumbin, sipas patriotëve shqiptarë do ta forconte lëvizjen kombëtare dhe do ta dobësonte në mënyrë të ndjeshme procesin helenizues në Shqipërinë e Jugut. Por kjo lëvizje indirekt gjeti mbështetje edhe nga autoritetet osmane. Në Stamboll ajo shihej si një lëvizje e cila ishte në disfavor të influencës ruse.

Me krijimin e shtetit shqiptar kjo lëvizje kaloi në plan të dytë. Megjithatë në disa qarqe diplomatike përtej Adriatikut ajo konsiderohej si një kartë e rëndësishme.

2-Pse u hartua ky projekt-ligj

Ky projekt-ligj u hartua për shkak të politikës italiane e cila përpiqej që nëpërmjet klerit të interferonte në strukturën religjoze të Shqipërisë së Jugut. Roma mendonte se konvertimi i ortodoksëve shqiptarë në uniatë, siç ishin arbëreshët, do ta shtonte influencën e saj. Këtu nuk përjashtohej edhe dëshira e ndonjë prifti ortodoks.

Prandaj në këtë periudhë për të ruajtur ekuilibrat e brendshëm, për herë të parë dhe të fundit në historinë e shtetit shqiptar u përgatit një projekt-ligj që ndalonte konvertimin, duke përdorur forma të ndryshme mikluese dhe imponuese ndaj elementëve të ndryshëm religjoz.

Në raportin justifikues të përgatitur nga Ministria e Punëve të Brendshme për Këshillin e Shtetit theksohej se projekt-ligji në fjalë kishte si qëllim të ruante unitetin kombëtarë dhe të evitonte armiqësitë që mund të lindnin midis besimtarëve të komuniteteve të ndryshme fetare nga këto provokime.

Ai parashikonte masa të rrepta ndëshkuese që varionin nga gjashtë muaj deri në dy vite burgim për të gjith ata persona që duke përdorur të holla, premtime dhe favore bindnin persona të ndryshëm për të ndërruar fenë. Ky dënim ashpërsohej akoma dhe më shumë në rastet kur personi ishte i mitur; kur midis palëve ekzistonin marrëdhënie pune ose bashkë-banonin qoftë dhe përkohësisht. Në raste të tilla dënimi varionte nga një deri në tre vite burgim.

Projekt-ligji parashikonte masa të rrepta ndëshkuese për provokatorët dhe të gjith ata që duke synuar konvertimin e personave të ndryshëm shkaktonin ftohje ndërmjet komuniteteve fetare. Provokatorët në fjalë dënoheshin me dy deri në pesë vite burgim. Ndërsa në rastet kur ata bëheshin shkak të prishjes së qetësisë publike, përveç ndëshkimit për fajin e kryer, provokuesi dënohej me pesë deri në njëzet vite burgim.

Në projekt-ligj parashikohej një ndëshkim më i butë për ata persona që mbështesnin individët e konvertuar me dhurata e favore të tjera, për të vetmin fakt se ata kishin ndërruar fenë. Për këtë kategori ndëshkimi varionte nga 200 deri në 2000 fr.ari.

Ndërsa kur shkeljet e parashikuara në këtë projekt-ligj bëheshin nga klerikë të ndryshëm të seicilit komunitet fetarë ndëshkimi përshkallëzohej, duke shtuar një të tretën deri në një të dytën e ndëshkimit për fajin e kryer.

Një shenjë serioziteti e shtetit shqiptar për të parandaluar konvertimet dhe prishjen e ekuilibrave të brendshëm religjoz është fakti se shkeljet e parashikuara nga ky projekt-ligj do të gjykoheshin nga gjykatat e posaçme për fajet politike.

Projekt-ligji në fjalë nuk kishte asnjë qëllim për të ushtruar presion mbi personat që konvertoheshin me dëshirë. Ai synonte vetëm parandalimin e fushatës konvertuese të nxitur nga shtetet e huaja, në rastin konkret të Italisë. Kjo konstatohet nga fakti se shteti shqiptar asnjëherë nuk dënoi ndonjë person konkret.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?