Foto ilustruese

Ekonomi

Projektrregullorja, ulen komisionet edhe për transfertat kombëtare në Euro

22 Korrik, 09:06| Përditesimi: 22 Korrik, 09:07

  • Share

Banka e Shqipërisë ka përgatitur disa ndryshime në rregulloren “Për funksionimin e sistemit AIPS EURO për shlyerjen e transfertave vendase për klientë në Euro”, që parashikojnë ulje të nivelit të komisioneve që klientët e sektorit financiar do të paguajnë për kryerjen e transfertave në Euro brenda vendit.

Projektrregullorja ul nivelin e komisionit minimal që bankat mund të aplikojnë për transfertat në sistemin AIPS Euro, në 4 euro, nga 6 euro që ishte më parë.

Ndërkohë, totali i komisioneve për çdo transfertë me vlerë deri në 150 mijë euro nuk mund të jetë më i lartë se 0.02% e vlerës së transferuar.

Me rregulloren aktuale, komisioni maksimal është 10 herë më i lartë, në masën 0.2%.

Gjithashtu, ky komision maksimal është i detyrueshëm vetëm për transfertat me vlerë më të ulët, deri në 10 mijë euro; për pagesat më të mëdha se 10 mijë euro, aktualisht nuk parashikohet një tavan për komisionin në përqindje, por vetëm një komision maksimal në vlerë, pavarësisht shumës së transferuar.

Ashtu siç ndodh me transfertat në Lekë, edhe rregullorja për transfertat në Euro do të stimulojë përdorimin e kanaleve elektronike për kryerjen e transfertave, duke parashikuar komisione të përgjysmuara për veprimet që kryhen nëpërmjet këtyre kanaleve. Komisioni minimal që bankat mund të aplikojnë për transfertat kombëtare në monedhën europiane, të kryera nëpërmjet e-banking, nuk mund të jetë më i lartë se 2 euro. Ndërsa totali i komisioneve për çdo transfertë me vlerë deri në 150 mijë euro nuk mund të jetë më i lartë se 0.01% e vlerës së transferuar.

Ndërkohë, komisionet maksimale që bankat mund të aplikojnë, pavarësisht shumës së transfertës, propozohen të jenë të njëjta si në rregulloren aktuale, përkatësisht 50 euro për transfertat e kryera në degë dhe 25 euro për ato të nisura nëpërmjet kanaleve elektronike.

Sistemi i pagesave kombëtare AIPS Euro nisi funksionimin në fillim të vitit 2022, me qëllim lehtësimin e kryerjes së transfertave në Euro brenda vendit dhe uljen e kostos të tyre. Më parë, këto transferta kryeheshin nëpërmjet bankave të huaja korrespendente, rrugë që sillte komisione shumë më të larta dhe kohë më të gjatë për finalizimin e transaksionit.

Ndërkohë, këtë vit edhe transfertat në Euro me jashtë vendit pritet të pësojnë një transformim madhor, pas anëtarësimit të Shqipërisë në Zonën Unike të Transfertave në Euro (SEPA), vitin e kaluar. Duke filluar nga muaji tetor, pritet që bankat tregtare shqiptare të fillojnë kryerjen e transfertave nëpërmjet sistemeve të SEPA, çka do të sjellë ulje drastike të komisioneve dhe shkurtim të kohës për kryer transfertat në Euro jashtë vendit.

Së fundmi, Banka e Shqipërisë ka përgatitur gjithashtu një projektrregullore që parashikon uljen edhe të komisioneve për transfertat kombëtare në Lekë.

Çmimi i komisioneve të aplikuara nga institucionet financiare për klientët e tyre për transfertat vlerë nga 40 mijë lekë deri në 1 milion lekë, nuk duhet të jetë më i lartë se 100 lekë për transfertat e kryera në degët e bankave dhe 50 lekë për ato të kryera nëpërmjet e-banking. Ndërsa vlera maksimale e përjashtuar nga komisionet për transfertat e kryera në formë elektronike do të rritet nga 20 mijë lekë në 40 mijë lekë./Monitor
 

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se ka pasur rezultat aksioni për lirimin e hapësirave publike?