Sociale

Projektvendimi/ Qeveria synon të ndalë skandalet me mbetjet spitalore; kontroll më i rreptë, përgjegjësi e detyra inspektuese të qarta

18 Korrik, 11:02| Përditesimi: 18 Korrik, 15:17

  • Share

Pamje të shpeshta në spitalet e vendit, në Tiranë apo rrethe, të raportuara me shqetësim, për skandale në trajtimin e mbetjeve, qeveria kërkon t’i japë fund. Përmes një projektvendimi, të hedhur për konsultim publik, ministria e Mjedisit synon të përcaktojë qartë, në mënyrë të detajuar, të gjitha rregullat e trajtimit të mbetjeve spitalore, për të mos lënë asnjë hapësirë abuzimi, siç shpesh ka ndodhur.

Projektvendimi i ri prej 35 faqesh, që shfuqizon atë të mëparshmin 15 faqe të të vitit 2010, përcakton standarde më të rrepta për menaxhimin e këtyre mbetjeve të rrezikshme për shëndetin, në të gjithë vendin.

Çdo prodhues i mbetjeve do të duhet të sigurojë ndarjen e mbetjeve që në momentin e krijimit në dy kategori kryesore: të rrezikshme dhe jo të rrezikshme. Mbetjet do të vendosen në enë të posaçme dhe të etiketuara qartë përpara se të transportohen për trajtim.

Projektakti detyron çdo prodhues, institucion spitalor ose jo, të hartojë një plan menaxhimi të mbetjeve, i cili do të përditësohet rregullisht përmes një regjistri të posaçëm. Risi e rëndësishme është detyrimi për regjistrimin e të dhënave të kontaktit, numrave të licencave dhe lejeve për subjektet që merren me trajtimin dhe asgjësimin e mbetjeve. Kjo, synon projektvendimi, që të garantojë një zinxhir menaxhimi më transparent dhe të kontrollueshëm.

Parashikohet që prodhuesit të kenë të drejtën të kontraktojnë subjekte të licencuara për menaxhimin e mbetjeve, por mbeten përgjegjës për përzgjedhjen dhe monitorimin e tyre. Subjekti i licencuar që merret me trajtimin duhet të sigurojë dokumentacion të plotë për trajtimin brenda 2 muajve.

Gjithashtu, projektvendimi përcakton standardet teknike për kontejnerët, vendet e ruajtjes, mënyrën e etiketimit dhe kushtet për ruajtjen frigoriferike të mbetjeve biomjekësore. Projekti përcakton me qartësi strukturat inspektuese në fushën e mjedisit dhe shëndetësisë, duke ndarë në mënyrë precize detyrat dhe përgjegjësitë e secilës.

Projektvendimi përmban edhe 9 shtojca, që japin të detajuar detyrat dhe standardet që duhen respektuar në për kodifikimin e mbetjeve spitalore, kërkesat që duhet të përmbushin kontejnerët, etiketimin e kontejnerëve, ruajtjen e përkohshme të mbetjeve, kushtet që duhet të përmbushin mjetet e transportit, metodat e trajtimit të përkohshëm apo të mbetjeve spitalore etj.

Vetëm 2 muaj më parë një skandal i trajtimit të mbetjeve spitalore përfundoi në gjyq pasi hetimeve të prokurorisë së Tiranës, e cila zbardhi një skemë mashtrimi të 3 firmave dhe 10 zyrtarëve. Vale Recycling kishte arritur të përfitonte deri në 65 milionë lekë tenderë pa pasur asnjë pajisje për trajtim mbetjesh, dhe inspektorët mbyllnin sytë.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

K.T./A.A/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Akademi për trajnimin e administratës lokale, si e vlerësoni?