Sali Berisha

Prokurori amerikan, BE-ja dhe berberi shkodran!

1 Mars 2023, 22:37| Përditesimi: 1 Mars 2023, 22:40

  • Share

“Një malësor prej Hoti bie një herë në qytet për miting dhe shkon me u rruejtë te një berber. Ky fillon tu i zbutë mjekrën me sapun e merr briskun me e rruejtë. Malsori, për me i tregu se ishte burrë i fortë, i thotë berberit: -Sa të mundesh pak shpejt se kam punë; edhe s’ka gajle me e lagë mjekrën, se jam prej Hotit unë!

Edhe berberi filloi me e rruejtë pa e lagë fare e zu me kërcitë mjekra: gërr, gërr! Kur filloi me i djegë faqja malsorit, i tha berberit: -Shiko këtu, unë nuk jam bash prej Hotit brenda, rri pak nën Hot…”.                                                    

Tek rrëfente bukur e ne qeshnim pas debatit miqësor për 3 Marsin te “Brryli”, mëhallaliu ynë shkodran na tha se kjo anekdotë jo e mocme qarkullon sot e gjithë ditën jo vetëm nëpër Malësinë e Madhe. Disa mbështetës të thekur të Doktorit, pjesmarrës në atë “protestë kombëtare” po fërkojnë barkun e duart për poste e kolltuqe të pamerituara. (Sa shumë u këputet shpirti për Kombin, sidomos pasi dalin liderët nga vilat dhe veturat luksoze të siguruara nga “rroga” e shtetit, bashkë me dhjetra bodiguardë e mercenarë, e pa dy gishta dinjitet e nder në ballë !). Rrodhën mbi 30 vjet Pluralizëm rrumpallë. C’i kanë punuar këtij kombi të pafat e të sfilitur në emër të Lirisë e Demokracisë ! Sidomos ata që deri dje “linin kokën” për PPSH-në e udhëheqësin e saj dhe nuk rendnin me kaq vrap drejt favoreve e privilegjeve të regjimit monist. Një tjetërsim e “revolucionarizim” brenda natës në bindjet politike e në moral dhe një ditë arritën të pushtojnë majat e shtetit “të së Drejtës”! 

Postulati i Havelit të madh, vazhdon të vezullojë ende : Komunistët më të rrezikshëm janë komunistët “antikomunistë” ! Ata që do na shesin dëngla e vëngla edhe në mitingun e 3 Marsit. Një kolegu ynë penëmprehtë ia vuri bukur kapakun : Ai miting “ nuk vlen si betejë, vlen si një miting për të ikur nga beteja. Si një tufë bashibozukësh të shpartalluar “…Thonë se do marrin bukë me vete ose qofte tek dyqani i ish ministrit bërxhuk të Drejtësisë, që e mori kolltukun fët e fët pasi shiti ndyrësisht gjakun e 4 të rënëve krejt të pafajshëm te trotuaret e Kryeministrisë(?!) në 21 Janarin e zi. Familjarët e të rënëve nuk po trokasin akoma te zyrat e tij mondane në “kullat binjake” pranë gjakut dhe selisë së Qeverisë. Por Zoti është i madh. Thoshte mirë dikur Persefoni e mikut tim Viktor Lamani (Londo) në Përmet : Perëndia mban vesh, nuk tjerr lesh, o djema!

Së pari, përse vallë ky yrysh i paparë, gjoja për të dhënë dorëheqjen Rama pas kakofonisë bajate nëpër foltoret ambulante e arrogante ? Dhe kur ? Në ditën kur Gjykata do marrë vendimin tepër të vonuar për legjitimimin e drejtimit të PD-së cyryke e copë-copë ! Po të kishte votat Doktori, as që do bëzante për “revolucion”. Mbase do gjente shpejt e do kalëronte ndonjë tank si në ’98-ën në Bulevard, që Gjykata të mos pipëtinte as me gojë e as me shkrim ! Por…harro mushkë Valarenë ! Ky “ujk qyteti” më kujtoi atë titullin “Poema e njeriut-ujk”(Vërtet jetojmë në botën e ujqërve me dy këmbë ?! ). Dhe prapë në 3 Mars, c’do na dëgjojnë veshët e carë ! Që Drejtësia e vërtetë të kycë gojën. Dhe ne do mërmërijmë nofullashtrënguar përballë ulërimave e klithmave të “njeriut – ujk”, atë vargun therës : “Ulërij e ulërima tund bulevardet, sheshet, hendekët…”. Pak orë pas fjalës së Ramës në Parlament dhe diskutimeve të pakufizuara të deputetëve në tempull. Përse ky padurim furtunë në gotë ?

Së dyti, disa drejtues opozitarë, realisht i kanë vënë dhe po i vënë pleshtit zile, duke e bërë edhe mizën buall. Pse nuk presin verdiktin e Drejtësisë Amerikane, por u bien daulleve të grisura pëdëiste nëpër Shqipërizën tonë ? Sepse përballë fatit të liderëve “pushkëplasur”, tashmë nuk u hyn asgjë në sytë e buhavitur nga ulërimat e thirrjet provinciale pa pikë qytetarie. Dhe nuk janë thjesht “vesveselinj rebelë” (Ah, të ish gjallë shkrimtari e piktori refugjat, Aleksandër Babe, miku im që nuk bëri asnjë kompromis me të keqen djathtas e majtas ! Novela e tij e famshme “Vesveseliu”, dikur u kthye pa mëshirë në karton si “frojdiste” me urdhër nga Kupola lart. Dhe pagoi kosto jo të vogël Alekua ynë i talentuar, që nuk qëndroi asnjë cast lepe-peqe në Vlorë e gjetkë. Djali i Thanasit antifashist i orëve të para, që e la vetëm 7 muajsh në djep dhe u tret e u shkrumbua në Mathauzenin shfarosës të nazizmit…). Këta “vesveselinj” kallp nuk begenisin as Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-së, kur flet para Komitetit Gjyqësor të Senatit për cështjen McGonigal etj. Sepse mbi të gjitha, liderëve kryesorë opozitarë u ka hyrë lepuri në bark. Dhe tabori me kokëtulë nuk ua beson as pleqërinë, nuk i quan “pushkë e lagur” dhe as “dyfek me cark”(me vizion të vjetruar e të prapambetur). Duke ia shtuar përditë votat Ramës. Forcat politike opozitare, tani për tani mund të bëhen bashkë, me sa bëhen bashkë “një grusht pleshta” ! Ky është realiteti i hidhur, të tjerat janë dokrra pa kokrra. Në një kohë që vendi ka tepër nevojë për një opozitë të mencur, serioze, frymëzuese e dinjitoze dhe aspak për militantizëm shterpë e lëpirëse lapanjoze. Ndezja e fitilëve antidrejtësi amerikane, në fund të fundit, është antikombëtare…

Së fundi, mësojmë se BE po harton listat e “non gratave” për korrupsion. Me të njëjtin standard si Uashingtoni e Londra. Dhe ky fakt i ka tronditur e cakërritur jo pak liderë-kalanderët e molepsur në pasuri e konto bankare. Sekuestrimi i pasurive i tmerron edhe më tepër se prangat e qelitë. Po nuk bëri këtë hap të domosdoshëm BKH-ja dhe SPAK-u, mendoj se Drejtësia e vërtetë është në rrezik. Të tjerat janë fjalë, imzot, fjalë ! Kam bindjen se ky është edhe verdikti i opinionit të shëndoshë publik në Shqipëri e jashtë saj. “Korrupsioni në vendet e treta mund të ndikojë gjithashtu në funksionimin e demokracisë së BE-së me fluks parash që blejnë ndikim politik në BE “. Dhe jo rastësisht sanksionet po bëhen gati…

Sa për Doktorin, fiks mbi 30 vjet më parë, unë e kam mbështetur me një shkrim të botuar në faqen e parë të gazetës së dashur “Bashkimi”. Dhe nuk jam bërë hic pishman. E botova pasi Berisha bëri deklaratën – betim se nuk do lëvizte kurrë me shtëpi nga “Brraka” dhe as do transferohej në Pallatin e Brigadave, për të zënë triumfues krevatin e Perandorit si partizani Meke. Ka dalë në atë gazetë ku Doktori botoi edhe shkrimin e parë “opozitar” kundër regjimit monist ! Po sot ? No koment … Sinqerisht, nuk e di me kë i pleqëron hallet e problemet sot. Se ata të fillimeve demokratike e nderuan, e cuan në buzë të greminës, bashkë me shtetin në rrokullimë ! Dhe tani e shikojnë si iriqin “që gjembat nxjerr e bëhet një lëmsh i fortë,/ Unë e kam detyruar të mblidhet nga frika qyqari”. Jam ujk qyteti…Nuk e di, a është falur ndonjëherë te ai berberi shkodran apo do të presë fundin e mocionit debat të Edit në Parlament ?!

Se ndodh që kur ka shumë këndeza, nuk merret vesh kur gdhihet. Mirëpo, atë që ta bën populli, nuk ta bën as Perëndia!    

 

 

Komento

Komente

  • Agim: 02/03/2023 04:57

    Ndonese me shume gjase i ka ngelur ora ne komunizmin enverist, dhe PPSHne e ka ne maje te gjuhes, harron te rendise nder besniket e partise "udheheqesin" e ri te tij te vegjelise. Qe ploteson dhe tejkalon cka deften per pseudo kuadrot: i biri antarit te byrose, nip i dainjeve sigurimse, me diplome dhe rroge fale "partise", i betuar egersisht me 90 kunder "babes", edhe nje stazh degjenerimi ne France dhe hopa me gjithe thonjte e paprere partia e rimorri ne krahet e saj per ta nxjerre lider por te dhjere!!!

    Përgjigju
    • Sara: 02/03/2023 13:41

      Opozita shqiptare dhe Sali Berisha si minues i demokracisë dhe shantazhues i drejtësisë dhe i implikuar në korrupsion madhor, si përfitues familjarisht është shpallur "non grata" nga DASh,tregon se ju ka hyrë lepuri në bark . Me zemër të ngrirë po presin verdiktin e drejtësisë. E dinë se sido që të jetë verdiki do të jenë të humbur. E dinë mirë se çfarë i kanë punuar këtij populli e këtij vendi. Prandaj i janë futur revolucionit...Mjere opozita në duart e kujt kanë rënë.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?