Kolegji i Posaçëm i Apelimit, shkalla e dytë e Vetting-ut, lë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që pati shkarkuar nga detyra prokurorin e Gjirokastrës Emror Kasaj, më datë 09.05.202, pas hetimit në të tri kriteret e rivlerësimit.
Gjatë procesit në KPK, Kasajt, i cili u hetua fillimisht vetëm për kriterin e pasurisë dhe më pas për dy kriteret e tjera, iu vunë në dukje disa transaksione të komplikuara dhe mungesë burimesh për të mbuluar pasurinë. Komisioni, që i kishte kaluar prokurorit barrë prove për deklarim të rremë dhe mungesë burimesh financiare, pati analizuar se përfshirja e prokurorit në këto transaksione kishin sjellë “cënim të besimit të publikut te drejtësia”.
Emror Kasaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000, si oficer i Policisë Gjyqësore. Prej vitit 2015, ai ushtronte funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Rrethit Gjirokastër.
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Albana Shtylla relatore, Ina Rama, Natasha Mulaj, Sokol Çomo anëtarë, vendosi dje unanimisht lënien në fuqi të vendimit nr. 529, datë 09.05.2022 të KPK-së.
Njoftim vendimi
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Albana Shtylla relatore, Ina Rama, Natasha Mulaj, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 31/2022, datë 13.07.2022, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Emror Kasaj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 529, datë 09.05.2022.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
· Lënien në fuqi të vendimit nr. 529, datë 09.05.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Emror Kasaj.
· Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall në Tiranë, më datë 23.04.2025.
Komente
