Foto ilustruese

Politikë

Zgjedhjet e 11 majit/ Prokuroria e Përgjithshme udhëzues për hetimin e krimeve elektorale, prioritet verifikimi i figurës së kandidatëve! Me policinë sigurohen vëzhgime e përgjime (DOKUMENTE)

19 Shkurt, 10:34| Përditesimi: 20 Shkurt, 21:18

  • Share

TIRANË- Në çdo prokurori rrethi në vend do të ngrihen seksione të posaçme të përkohshme për hetimin e krimeve zgjedhore.

Në udhëzimin e firmosur sot nga prokurori i Përgjithshëm Çela thuhet se seksionet do të ngrihen brenda 10 ditëve dhe do të funksionojnë deri në fund të majit. Ato do të drejtohen nga drejtuesit e prokurorive në 13 prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dhe do të kenë në përbërje të tyre prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore.

‘Sipas marrëveshjes së lidhur mes Prokurorit të Përgjithshëm dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Policia e Shtetit do të vendosë të dispozicion të seksioneve të posaçme të përkohshme oficerë të policisë gjyqësore, ekspertizë, pajisje logjistike si dhe grupe operacionale për mbështetjen e hetimeve. Bashkëpunimi me Policinë e Shtetit synon hetimin e shpejtë dhe tërësor të veprave penale, reagimin e shpejtë ndaj informacioneve dhe denoncimeve që lidhen me krimet zgjedhore, duke kryer verifikimet paraprake e procedurale dhe referuar çështjet në prokurori’, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Prokuroria bënë me dije se për të siguruar bashkëpunim institucional efektiv për procesin zgjedhor do të koordinohet veprimtaria edhe me Prokurorinë e Posaçme, SPAK dhe KQZ në të gjitha nivelet, me qëllim transmetimin në kohë të shpejtë të kallëzimeve penale, procedimeve penale dhe çdo të dhëne tjetër.

Prokurorëve u kërkohet të kryejnë hetime proaktive, duke ndjekur një politikë penale rigoroze lidhur me kërkesat për caktimin e masave të sigurimit dhe masat e dënimit.

Në udhëzim saktësohet se sektori i Dekriminalizimit pranë Prokurorisë së Përgjitshme trajton me prioritet kërkesat e KQZ-së për verifikimin e integritetit të personave kandidatë për t'u zgjedhur, kërkesa të shoqëruara me formularët e vetëdeklarimit dhe relacionin/dokumentacionin përkatës, për verifikimin e thelluar në zbatim të ligjit nr.138/2015 "Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike", në bashkërendim me prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm dhe me agjencitë e zbatimit të ligjit, si brenda vendit, ashtu dhe ato ndërkombëtare, për të shmangur zgjedhjen e atyre kandidatëve që i ndalohet të ushtrojnë funksione publike.

Marrëveshja me policinë, vëzhgime e përgjime
Ndërkohë Prokuroria ka firmosur dhe një marrëveshje bashkëpunimi me policinë e shtetit ku saktësohet dhe metodat e punës për të hetuar krimin zgjedhor mes tyre dhe “veprime të posaçme si kontrolle, sekuestrime, vëzhgime, përgjime, dhe ndalime/arrestime në raste të nevojshme”. Marrëveshja mban datën 13 shkurt 2025 dhe u firmos nga Olsian Çela dhe Drejtori i policisë, Ilir Proda. 

Angazhimet e Prokurorisë së Përgjithshme
1. Prokuroria angazhohet për krijimin e seksioneve të posaçme për hetimin e krimeve zgjedhore në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm.
2. Kompetencat dhe veprimtaria e seksioneve do të ushtrohet deri në datën 31.05.2025, ndërsa çështjet në verifikim apo hetim do vijojnë të ndiqen nga prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore që u janë caktuar, deri në përfundimin e tyre.
3. Prokuroria e Përgjithshme, në kuadër të kësaj Marrëveshjeje, angazhohet të caktojë një prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme për bashkëpunim dhe koordinim në nivel qendror. 4. Prokuroria angazhohet të ndjekë dhe hetojë në mënyrë të menjëhershme gjithë veprat penale të raportuara që lidhen me zgjedhjet.
5. Prokuroria angazhohet që në kuadër të hetimeve:
a) të koordinojë veprimet me Policinë, duke dhënë udhëzime për procedurat hetimore dhe veprimet e mëtejshme që do kryejë ajo për çështjet e referuara pranë këtij organi;
b) të sigurojë mbështetje ligjore për Policinë, duke e autorizuar të kryejë veprime të posaçme, si kontrolle, sekuestrime, vëzhgime, përgjime dhe ndalime/arrestime në rastet e nevojshme;
c) të ndërmarrë masa për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe denoncuesve të veprave penale zgjedhore;
d) të informojë publikun për rastet e ndjekura, duke ruajtur konfidencialitetin e hetimeve.
Angazhimet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit
1. DPPSH angazhohet të caktojë pranë çdo seksioni të posaçëm një numër të nevojshëm oficerësh të policisë gjyqësore nga shërbimet e Policisë së Shtetit, sipas kërkesës së drejtuesit të prokurorisë së shkallës së parë, si dhe dhe garantojë palëvizshmërinë e tyre.
2. DPPSH angazhohet të sigurojë palëvizshmërinë e oficerëve të caktuar sipas pikës 1 të këtij neni.
3. DPPSH angazhohet që përzgjedhja dhe caktimi i oficerëve të policisë gjyqësore të bazohet në kriteret si vijojnë:
a) të kenë eksperiencë në punë jo më pak se 4 vjet;
b) të kenë eksperiencë ose të kenë marrë pjesë në trajnime për hetimin e veprave penale që cënojnë procesin për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike;
c) të mos kenë lidhje të njohura apo të ngushta miqësore ose familjarë me politikanë, deputetë, kandidatë në zgjedhje apo financues të fushatave zgjedhore.
4. DPPSH angazhohet të vendosë në dispozicion të seksioneve të posaçëm, ekspertizë, pajisje logjistike dhe grupe operacionale.
5. DPPSH angazhohet që në kuadër të parandalimit dhe hetimit të krimeve zgjedhore:
a) të forcojë masat e sigurisë pranë qendrave të votimit dhe institucioneve të përfshira në procesin zgjedhor, me qëllim garantim e integritetit të procesit zgjedhor;
b) të monitorojë dhe raportojë në kohë reale veprime të dyshimta që mund të përbëjnë vepra penale në fushën e zgjedhjeve;
c) të bashkëpunojë ngushtë me Prokurorinë për mbledhjen dhe administrimin e provave me qëllim dokumentimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve, duke informuar në kohë atë;
c) të reagojë shpejt ndaj informacioneve dhe denoncimeve që lidhen me krimet zgjedhore, duke kryer verifikimet paraprake e procedurale dhe referuar çështjet në Prokurori;
d) të ruajë paanshmërinë, të veprojë në përputhje me Kodin zgjedhorë dhe aktet e tjera nënligjore, pa ndikuar në procesin zgjedhor.

 

Kliko ketu per te lexuar udhezimin e Prokurorit te Pergjithshem per zgjedhjet

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

S.B/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Primaret në PD, a mendoni se do të jetë një proces i drejtë?