Prokurori që i ‘ngriu’ pronat Damir Fazlliçit del para Vetingut! Edhe kandidatja e SPAK-ut njihet me rezultatet e hetimit të KPK

4 Dhjetor 2019, 10:31| Përditesimi: 4 Dhjetor 2019, 10:37

  • Share

Prokurori pranë Prokurorisë së Apelit Tiranë, Genti Xholi, do të dalë nesër para Komisionit të Vetingut për t’u njohur me rezultatet e verifikimit për ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Xholi është përzgjedhur me anë të shotit për t’iu nënshtruar Vetingut që 8 nëntor të vitit 2019, ndërsa dosja e tij po shqyrtohet nga trupa gjykuese e përbërë nga Entela Çiftja, Roland Ilia, Firdes Shuli. Në vitin 2008, prokurori Genti Xholi ka firmosur vendimin për t’i bllokuar pronat në Porto-Romano të Durrësit, biznesmenit kontrovers serbo-boshnjak Damir Fazlliç, mikut të Sali Berishës, pas dyshimeve për pastrim parash. Hetimet u pushuan, por mbeten pas shumë dyshime. sidomos për rolin e kompanisë së Argita Berishës, Malltezi & Kola në veprimtarinë e Fazlliçit në Shqipëri.

Me rezultatet e hetimit do të njihet sot edhe kryeprokurorja e Durrësit Anita Jella, e cila ka zëvendësuar në këtë post Donika Prelën, kur kjo e fundit mori drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Seanca e parë dëgjimore me zonjën Jella u zhvilluar në datën 4 tetor, por procesi i njohjen se me rezultatet e verifikimit u shty me kërkesë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili i dorëzoi të dhëna të reja Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në funksion të rivlerësimit të subjektit. Mbetet për t’u parë se cilat janë të dhënat e mbledhura nga ONM për zonjën Jella. Prokurorja Anita Jella është një ndër 15 prokurorët e zgjedhur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme. Nëse ajo konfirmohet në detyrë dhe vendimi nuk ankimohet nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, Jella do të bëhet pjesë e SPAK-ut.

Jella e ka filluar karrierën si prokurore në Elbasan në vitet 2001-2003 dhe më pas ka punuar si drejtuese e Prokurorisë së Librazhdit deri në vitin 2007. Në ndërkaq, në mars të vitit 2008, prokurori Dritan Gina, bashkëshorti i Rovena Gashit, shprehej se Jella ishte shoqja e kryeprokurores Arta Marku. Këtë deklaratë Gina e bëri pasi Arta Marku e shkarkoi si drejtues të Prokurorisë së Elbasanit, ku e kishte emëruar Adriatik Llalla. Duke iu përgjigjur pretendimeve të Ginës, Jella ka pohuar në atë kohë se “Unë kam qenë në një grup me Prokuroren e Përgjithshme por edhe me bashkëshorten e kallëzuesit. Kam qenë një brez në universitet me paditësin. Por kjo nuk përbën shkak. Kërkojmë që të mos fillojë çështja sepse vërejmë që nuk ka arsye për nisje të hetimeve. Procedimin disiplinor le ta ndjekë me rrugë tjetër. Kërkoj prishjen e vendimit dhe kalimin e çështjes prokurorisë kompetente”.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?