Operacioni i Prokurorisë në Kosovë

Kosovë/ Prokuroria bastis Ministrinë e Mjedisit, 2 të dyshuar për korrupsion dhe fshehje pasurie! Sekuestrohen kompjutera dhe dosje

8 Tetor, 22:21| Përditesimi: 8 Tetor, 22:34

  • Share

Prishtinë- Hetuesit policorë kanë bastisur sot (8 Tetor) Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Kosovës.

Raportohet për disa materiale, kompjuterë, dosje e dokumente të sekuestruara gjatë kontrollit. Dy persona janë të dyshuar për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Policia e Kosovës konfirmoi se shkoi që në orët e para të mëngjesit, në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë në fjalë, Izedin Bytyqi, nën shoqërimin e policisë është larguar nga objekti i këtij institucioni.

Prokuroria Speciale ka konfirmuar se aksioni lidhet me dy personat e dyshuar për shpërdorim të detyrës, e veprat penale që lidhen me “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, “pastrim parash” dhe “mosraportim ose raportim i rremë të pasurisë, të ardhurave, të dhuratave, të dobisë a detyrimeve financiare”, shkruan "Zëri".

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës është duke u zhvilluar një aksion në MMPHI. Janë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale që lidhen me ‘Keqpërdorimin e detyrës zyrtare’, nga Neni 414 i KPK-së, ‘Shpëlarjes së parasë’ nga Neni 302 i KPK-së dhe veprën penale të ‘Mosraportimit ose raportimit të rremë i pasurisë, të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare’, nga Neni 430, paragrafi 2 i KPK-së”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Prokuroria ka thënë se “pas përfundimit të aksionit do të ketë njoftim”.

Momenti i shoqërimeve nga policia

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?