SPAK heton bandën e Laert Haxhiut, prokuroria e Elbasanit shpall moskompetencën: Grup i strukturuar kriminal! Nën akuzë për 18 krime, mes tyre 6 vrasje e 5 atentate

20 Tetor 2023, 08:51| Përditesimi: 20 Tetor 2023, 12:37

  • Share

ELBASAN- Një muaj pasi pendoi Artan Tafanin, duke zbardhur 16 vepra penale, prokuroria e Elbasanit hoqi dorë nga hetimet ndaj Laert Haxhiut dhe ia kaloi dosjen SPAK-ut, me akuzat për grup të “strukturuar kriminal” dhe “Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale”. Vendimi është marrë me datë 18 tetor. 

"Duke vlerësuar se në rastin konkret janë konsumuar elementet e veprës penale të parashikuar nga neni 333/a i K.Penal “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334 të Kodit Penal, kemi çmuar të ri-vlerësohet çështja e kompetencës lëndore për këtë procedim penal. Më datë 18.10.2023 është vendosur deklarimi i moskompetencës lëndore për hetimin e procedimit penal nr.1559 të vitit 2021 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan", njofton prokuroria. 

Sipas prokurorisë së Elbasanit, pas arrestimit të Artan Tafanit, i njohur edhe si Marjus Tafani, në muajin shtator, me akuzën e vjedhjes në pikën e këmbimit në zonën e Astirit në Tiranë, ai u identifikua si një prej autorëve të vrasjes së Alban Semakut, i njohur edhe si Elton Mermali, më 17 tetor 2021, rreth orës 10:00, në lagjen “Çezmë” në Peqin.

Prokuroria thotë se implikimi i Marjus Tafanit në këtë krim doli në dritë nga pamjet e kamerave të sigurisë në Lushnje ku ai kishte marrë në makinë viktimën që u vra më pas në Peqin. I përballur me akuzën e faktuar për këtë vrasje, i vetëdijshëm për dënimin që e priste dhe në kushtet kur kishte humbur lidhjen me Laert Haxhiun që prej majit 2023 kur kreu i bandës u arrestua në Greqi, Marjus Tafani vendosi të flasë. Deri në këtë fazë të hetimit, pasi u bë bashkëpunëtor i drejtësisë, ai është marrë në pyetje tri herë nga prokuroria e Elbasanit.

Përveç 6 vrasjeve, 5 rasteve të shkatërrimit të pronës me eksploziv, 2 rasteve të vjedhjes me dhunë, 3 rasteve të sigurimit të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, 1 rasti të kanosjes së punonjësve të Policisë dhe dy vrasjeve në Greqi, të cilat sipas tij janë kryer nga grupi i Laert Haxhiut, i penduari zbuloi edhe krime të tjera. Ai tregoi se pas masakrës së Lushnjes më 11 tetor 2017 ku vrau Zamir Latifi e Jurgen Hoxha dhe plagosi Marjus Xhepexhiu e Bujar Turku, në përpjekje për të vrarë nipin e Aldo Bares, Laert Haxhiu ka synuar të vrasë edhe dy prokurore.

Sipas Tafanit në shenjestër të Haxhiut kanë qenë prokuroret që hetuan masakrën, fillimisht Merita Selimi në Lushnje e më pas prokurorja e SPAK, Doloreza Musabelliu që po përfaqëson akuzën në gjyqin në mungesë ndaj Laert Haxhiut në GJKKO. Laert Haxhiu është I dënuar me 18 vjet burg edhe për vrasjen e shtetasit Gerti Lala më 8 korrik 2010 në Lushnje.

Artan Tafani dha detaje të vrasjeve që kishin mbetur të pazbardhura nga autoritetet, por ajo që tronditi më shumë ishte planifikimi i Haxhiut për të vrarë persona të drejtësisë. Në mesin e tyre ishte prokurorja e SPAK, Doloreza Musabelliu, dhe ajo e Lushnjës, Merita Selimi, për të cilat me urgjencë të madhe u mor vendimi për mbrojtjen e tyre. Në muajin korrik Haxhiut iu provua edhe autorësia e një tjetër vrasje, ajo e Besnik Hidës, i afërm i Zamir Latifit, njërit prej viktimave të masakrës së Lushnjës në 2017-ën. Për këtë të fundit Haxhiu po gjykohet në Gjykatën e Posaçme, ndërsa me burgim të përjetshëm janë dënuar më herët bashkëpunëtorët Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili.

Vrasje në Shqipëri
1-Vrasja e Fridmand Xhaferrajt, 13 Maj 2021 në Korçë
2-Vrasja e Çajup Selimit, 1 Qershor 2021 në Tepelenë
3-Vrasja e Alban Semakut, 17 Tetor 2021 në Peqin
4-Vrasja e Albi Bashaliut, 27 Dhjetor 2021 në Elbasan

Vrasje në Greqi
1-Vrasja e Lulzim Qorrit, 12 Dhjetor 2018 në Athinë
2-Vrasja e Dikens Halilit, 3 Tetor 2021 në Athinë

Akuzat për anëtarët e bandës së Laert Haxhiut

  1. -Artan (Marjus) Tafani akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, (3 herë, në dëm të viktimave Çajup Selimi, Fridman Xhaferaj dhe Alban Semaku), “Vrasja për gjakmarrje” e kryer në bashkëpunim (në dëm të viktimës Albi Bashaliu), “Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim (në dëm të viktimës Kujtim Meta), “Shkatërrim i pronës me eksploziv” e kryer në bashkëpunim (4 herë, me të dëmtuar shtetasit Erion Çoku, Bashkim Rajku, dhe Bujar Turku [2 herë] ), “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” e kryer në bashkëpunim (3 herë, ndaj shtetasve Adriatik Guri (Doga), Rexhep Gina dhe Genci Hida), “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim (2 herë, me të dëmtuar shtetasit Gëzim Çepele dhe Marjus Zejneli)
  2. -Lulzim Spahija (Arapi), akuzuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, (3 herë, në dëm të viktimave Çajup Selimi, Fridman Xhaferaj dhe Alban Semaku),  “Vrasja për gjakmarrje” e kryer në bashkëpunim (në dëm të viktimës Albi Bashaliu), “Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim (në dëm të viktimës Kujtim Meta), “Shkatërrim i pronës me eksploziv” e kryer në bashkëpunim (3 herë, me të dëmtuar shtetasit Erion Çoku, Bashkim Rajku dhe  Arjan Aliço), “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” e kryer në bashkëpunim (ndaj shtetasit Adriatik Guri (Doga), “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim (me të dëmtuar shtetasin Gëzim Çepele).
  3. -Ligor Romacka, i akuzuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, (2 herë, në dëm të viktimave Çajup Selimi dhe Fridman Xhaferaj) dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
  4. -Erisiano Abedini i akuzuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, (në dëm të viktimës Çajup Selimi), “Shkatërrim i pronës me eksploziv” e kryer në bashkëpunim (3 herë, me të dëmtuar shtetasit Bashkim Rajku dhe Bujar Turku).
  5. -Bledar Berberi i akuzuar për veprën penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, (në dëm të viktimës Frdiman Xhaferaj).
  6. -Maringlen Topuzi i akuzuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, (në dëm të viktimës Frdiman Xhaferaj), “Vrasja për gjakmarrje” e kryer në bashkëpunim (në dëm të viktimës Albi Bashaliu)
  7. -Idriz Manej, i akuzuar për veprën penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, (në dëm të viktimës Fridman Xhaferaj), të parashikuar nga neni 78 e 25 të Kodit Penal.
  8. -Fatjon Veliu, i akuzuar për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” e kryer në bashkëpunim (ndaj shtetasit Rexhep Gina).
  9. -Bujar Abedini, i akuzuar për veprën penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, (në dëm të viktimës Çajup Selimi).
  10. -Enriko Xhahysa, i akuzuar për veprën penale “Vrasja për gjakmarrje” e kryer në bashkëpunim (në dëm të viktimës Albi Bashaliu)
  11. -Klea Gjata e akuzuar për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

 

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 21/10/2023 01:02

    Sa here qe behet fjale per grupe kriminelash vrasesh,ose kriminele me kollare te rangut te larte,ose politikane te rendesishem,prokurorite e gjykatat shpallin gjithemone /moskopompetence/! Cila eshte aryeja e vertete,frika,apo korrupsioni i njerezve te drejtesise,se per mendimin tim,nje vrases qe ka vrare 10 veta nuk ndryshon ne akt nga nje qe ka vrare vetem nje dhe nje hajdut me kollare e me post ministri qe ka vjedhur miliona nuk ndryshon ne akt nga nje hajdut qe ka vjedhur nje konserve,apo 100 leke? Pse per cironkat jane te gatshem te hetojne e denojne,kurse per barakudat jane te gjithe /jokompetente?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?