Zhdukja e Ervis Martinajt, Prokuroria e Kurbinit kërkon marrjen në pyetje të ish-policit! Rekurs në Gjykatën e Lartë: Mos të lirohet nga burgu

6 Janar 2023, 20:28| Përditesimi: 7 Shkurt 2023, 12:50

  • Share

Prokuroria e Kurbinit i është drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë me dy kërkesa për Jeton Lamin, ish-efektivin e operacionales të arrestuar për shpërdorim detyre, pasi shoqëronte të shumëkërkuarin Ervis Martinaj. Njëra prej kërkesave është ajo e lejimit për ta marrë në pyetje të ndaluarin, në lidhje me hetimet që organi i akuzës po bën pas kallëzimit të familjarëve të Ervis Martinajt se kanë humbur kontaktet me të. Ndërkohë që Lami ishte personi i fundit referuar të dhënave që kanë autoritetet hetimore, që është parë në shoqërinë e Martinajt. 

Jeton Lami, vijon të mbahet në qeli ndërsa gjatë kësaj kohe prokurorët e kanë vizituar tri herë me shpresën se ai do pranojë të flasë rreth asaj që di për Ervis Martinajn. Lami ka dhënë arsye kontradiktore para prokurorëve, duke shtyrë dëshminë e tij. Edhe në momentin kur Lami doli para gjykatës së Laçit për tu njohur me masën e sigurisë, ai nuk pranoi të flasë, megjithëse nga ana e gjykatës, ju dha mundësia për të komentuar akuzat.

Kërkesa e dytë në rekursin e Prokurorisë së Kurbinit është ajo e lënies në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë dhe të Apelit, në caktimin e masës shtrënguese 'arrest me burg' për Lamin. Ky i fundit ra në pranga më 24 gusht të vitit që shkoi me kërkesë të Prokurorisë së Laçit, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, ndërsa prokuroria ka shtyre edhe me 3 muaj hetimet për ish-oficerin e policisë Jeton Lami. Ky i fundit bëri kërkesë në Apel për t'u liruar nga burgu, por gjykata e refuzoi. 

Më 5 dhe 7 gusht, Lami ka transportuar ndërmjet Durrësit dhe Tiranës biznesmenin Ervis Martinaj. Lami u kap nga kamerat e sigurisë së një hoteli në Durrës, ku ka qenë i shoqëruar me Ervis Martinajn. Për herë të parë hetuesit kanë mundur të zbulojnë se më 5 Gusht 2022 Lami e merr Martinajn në zonën e veriut në një automjet luksoz ‘Audi “A8” dhe e transporton atë drejt Durrësit në një hotel në praninë edhe të një vajze ende të paidentifikuar. Më 7 Gusht policia ka imazhin e fundit nga Ervis Martinaj në qytetin e Durrësit dhe të Tiranës tek një hotel ndërsa më 10 Gusht xhaxhai i tij Faik Martinaj ka bërë denoncimin në polici për humbjen e kontakteve me nipin.

Ervis Martinaj është një prej njerëzve më të njohur të botës së krimit në vend. Ai është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin.

Këekesa e Prokurorisë Kurbin

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?