Prokuroria e Lezhës kërkoi për herë të dytë mbylljen e hetimeve për ndërtimin e katër hidrocentraleve në zonën e Kaçinarit në Mirditë.
Sipas organit të akuzës, nuk janë gjetur shkelje ligjore, dhe procedurat janë ndjekur në përputhje me rregullat.
Ky përfundim u kundërshtua nga banorët e zonës, të cilët kanë protestuar përpara ambienteve të Prokurorisë së Lezhës.
“Nuk jena thirr, nuk na ka marrë askush në telefon për të folur për këtë gjë. Unë mendoj se prokuroria ka anashkaluar çdo falsifikim të dokumenteve në këtë proces. Nëse dëshiron, çdo dokumentacion i kena në rrugë ligjore edhe mund t’ja japim në dispozicion se mos mërzitet apo të lodhet shumë”.
“Projekti prek në mënyrë direkte burimin e ujit të pijshëm që është burim kryesor për jetesën e komunitetit. Dëmtimi i lumenjve edhe pyjeve, janë të pazëvendësueshme. Banorët nuk janë dëgjuar, nuk kanë konsultuar me ne. Ndërtimi i HEC-it prek edhe bujqësinë”.
“Ne jemi këtu për t’i treguar prokurorisë se nuk kanë pyetur. Jo vetëm se po na shterojnë ujin, por na kanë kërcënuar me jetë. Ne kena merak se kena edhe fëmijë që u vlojnë gjaku një ditë”.
“Ata duan të na marrin ujë me dhunë, së bashku me Policinë e Shtetit. Më ka ardhur policia më ka kërcënuar edhe më ka rrethuar shtëpinë, kam edhe pamje filmike. Të më bëjnë presion që mos dal të mbroj tokën time”.
Avokati i tyre, Marash Logu, akuzoi Prokurorinë se ka zvarritur hetimet.
“Kanë kaluar 6 vite që banorët presin drejtësi, edhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore zyrtarët publik por edhe privat që kanë qenë të interesuar për këtë ligj. Në 6 vite nuk kryhet asnjë hetim por vetëm përpiqen si e si ta mbyllin këtë çështje duke fshehur shkelje të rënda”.
Ndërkohë, mësohet se kompania koncesionare “Shpërdhaza Energji” ka depozituar një kallëzim penal në Prokurori dhe një padi civile në Gjykatë ndaj dy individëve, të cilët i konsideron si organizatorët kryesorë të fushatës kundër projektit.
Kompania i akuzon ata për përhapje të informacionit të rremë dhe pengimin e një projekti të ligjshëm dhe të miratuar nga institucionet përkatëse.
Koncesioni për ndërtimin e 4 HEC-eve të vogla në zonën e Kaçinarit në Mirditë është dhënë në vitin 2018, dhe pas rinovimit të lejeve, kompania “Shperdhaza Energji” ka nisur punën në terren për zbatimin e këtyre projekteve, sipas planit dhe në përputhje me lejet dhe miratimet ligjore.
Komente
