Prokuroria e Lezhës, ka rihapur hetimet për vrasjen e 30-vjeçarit Shkurt Boci, në vitin 1999 në Fan të Mirditës. I riu u ekzekutua gjatë një operacioni policor, por ngjarja nuk është arritur të zbardhet. Sipas burimeve dosja hetimore prej muajsh është në duart e prokurorit Erjon Shehaj, i cili prej disa javësh është emëruar edhe si drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë. Gjatë 3 muajve të fundit organi i akuzës ka kryer hetime intensive, duke mbledhur prova e marrë në pyetje shumë persona.
Mes personave që ka dëshmuar për këtë ngjarje është edhe Drejtori i Policisë së Lezhës Zef Laska, pasi në periudhën kur është vrarë i riu mbante postin e komandantit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Laçit. Në deklarimet e tij në polici, Laska ka thënë se nuk ka qenë në krye të operacionit ditën kur ka ndodhur ngjarja, por në Tiranë.
Prokuroria ka arritur të provojë arritur se Shkurt Boci është vrarë nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Laçit, por duke qenë se provat janë të pakta ende nuk është arritur të zbulohet autori i kësaj vrasje. Familjaret e 30-vjeçarit i kanë denoncuar me emra personat që kanë qëlluar në drejtim të tij, por për shkak se nuk ka prova të mjaftueshme ende nuk është marrë asnjë person i pandehur në lidhje me këtë ngjarje. Ekzekutimi i 30-vjeçarit Shkurt Boci erdhi pas një kontrolli policor në zonën e Fanit në Mirditë. Referuar dosjes hetimore, rezulton se Shkurt Boci është konfliktuar dhe përplasur fizikisht me njërin nga efektivet e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Laçit dhe më pas ka tentuar të largohet me shpejtësi.
Në atë moment polici ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të 30-vjeçarit Boci, duke e lënë të vdekur në vend. Trupi i pajetë i të riut është marrë nga policia të cilët e kanë hedhur tek shkallet e spitalit dhe më pas janë larguar me shpejtësi. Nga kqyrja i kanë bërë bluzat e bardha kanë konstatuar se 30-vjeçari ka qenë pa shenja jetë dhe pas verifikimeve është konstatuar se i riu në anën e majtë të shpinës kishte tre plagë tejshpuese me një largësi prej 5 cim distance me njëra tjetrën dhe plumbat ishin të një arme të kalibrit të lartë. Menjëherë pas ngjarjes efektivet e policisë të përfshire kanë dhënë dorëheqjen e dorëzuar armët. Por duke qenë se armët i kanë pasur me numra zbardhja e ngjarjes, duket mjaft e vështire, pasi sipas organit të akuzës nuk disponohen as gëzhoja të armen që është kryer qitja. Ndërkohë familjaret e Shkurt Bocit vijojnë të jenë në kërkim të drejtësisë për djalin e tyre prej afro 20-vitesh, duke shpresuar se një ditë kjo ngjarje e rëndë do të zbardhet dhe autoret do të marrin dënimin për krimin që kanë kryer.
Familjarët e Shkurt Bocit, vetëm para pak javë më parë në emisionin ‘Pa Gjurmë’ në Report Tv, bën përgjegjes duke thënë se ka dijeni mbi të vërtetën, një nga oficerët e shërbimit. Sipas kushëririt të viktimës, nisur nga dëshmitë ka pasur një urdhër për të qëlluar në drejtim të 30-vjeçarit dhe se në librin e shërbimit janë edhe emrat e policëve prezent në atë ngjarje.
Ndërkohë babai i viktimës, Gjon Boci deklaroi se djali i tij ishte i pafajshëm. Ndërsa theksoi se i ka dërguar letra dhe Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe Prokurorit të Përgjithshëm në ato vite, për zbardhjen e plotë ngjarjes.