Nëse SPAK ankohet dhe e sheh shqetësim përgjysmimin e rasteve të referimeve nga Policia e Shtetit, tjetër qasje ka Prokuroria e Përgjithshme, e cila në raportin e vitit 2024 i konsideron uniformat blu si organin kryesor të referimeve, madje me rritje prej 6,69%, krahasuar me vitin 2023. Për të gjitha veprat penale, Policia e Shtetit referoi 34,587 materiale në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm. Nëpunësit publikë dërguan 802 kallëzime në prokurori, me shifra në rritje, ndërsa qytetarët 1933 kallëzime, me një ulje prej 17% në krahasim me vitin paraardhës. Interesante është se që prej vitit 2020 e deri më 31 dhjetor 2024 nuk ka pasur nëpër prokurori asnjë kallëzim të vetëm nga personel mjekësor.
Vitin që lamë pas, u dhanë 6291 vendime të formës së prerë nga gjykatat në vend. Pjesa më e madhe e këtyre vendimeve, 83%, janë ekzekutuar nga policia. Bëhet fjalë për 5201 vendime, por pjesa tjetër e mbetur prej 1090 vendimesh akoma presin të ekzekutohen. Në mesin e atyre që ende nuk janë ekzekutuar janë edhe 298 vendime për burgim. Në pjesën më të madhe të rasteve përfshirë edhe ato për vrasje apo trafik narkotikësh, bëhet fjalë për individë që policia nuk ka mundur t’i gjejë brenda vendit dhe mundësia që të jenë jashtë kufijve është më e madhe.
Ndërkohë, gjatë vitit 2024, sipas raportit të Prokurorisë së Përgjithshme, nga totali i të pandehurve të dërguar në gjykatë, vetëm 2,46% prej tyre mundën të marrin pafajësi, me një rritje të lehtë krahasuar me vitin 2023, ku pafajësi morën 1,75%.
Vitin e shkuar ka një rritje të koeficientit të kriminalitetit për të gjitha hetimet penale të regjistruara për 100 mijë banorë, krahasuar me vitin 2023. Bëhet fjalë për 1037 hetime të regjistruara për 100 mijë banorë, në krahasim me 872 që ishte raporti për vitin 2023.
Komente
