Prokuroria e Përgjithshme marrëveshje me Belgjikën, në fokus lufta ndaj krimit dhe pastrimit të parave

7 Nëntor, 16:34| Përditesimi: 7 Nëntor, 19:47

  • Share

Ditën e sotme Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela priti në një takim Prokuroren e Përgjithshme të Prokurorisë Federale të Mbretërisë së Belgjikës Ann Hansen. Nga palët u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi mes dy prokurorive.

Në bazë të saj, prokuroritë e dy vendeve do të Bashkëpunojnë në fushën e krimeve të rënda, trafikimit të paligjshëm dhe pastrimit të parave.

Palët do të synojnë bashkëpunimin e drejtpërdrejtë gjyqësor si dhe do të zhvillojnë konsultime dypalëshe në mënyrë periodike me qëllim që të monitorojnë zbatimin e kërkesave për ndihmë të ndërsjellë juridike – të diskutojë/konsultojë për vështirësitë operative që dalin në lidhje me zbatimin e këtyre kërkesave për ndihmë të ndërsjellë juridike në kuptimin e gjerë; të koordinojnë veprimet e marra për të luftuar krimin transnacional që mund të ketë pasoja në të dy vendet brenda objektit të kësaj marrëveshje, të lidhura veçanërisht me krimet e rënda, trafikimin e paligjshëm dhe pastrimin e parave.

Gjatë takimit palët vlerësuan shumë pozitivisht nivelin e deritanishëm të bashkëpunimit dhe ranë dakord për nevojën e intensifikimit të mëtejshëm të tij sidomos në drejtim të luftës ndaj pastrimit të produkteve të veprës penale. Në këtë kuadër do të ketë një qasje më proaktive në koordinimin e hetimeve në këtë fushë, duke synuar kryerjen e hetimeve paralele dhe shkëmbimin e shpejtë spontan të informacionit.

Gjithashtu me shumë rëndësi u vlerësua edhe hetimi e ndjekja penale nga pala shqiptare e personave që kanë kryer vepra penale në territorin belg si dhe njohja e vendimeve të dënimit.

Ora 19:45
Ulsi Manja takim me kryeprokuroren belge: Partnerë në luftën kundër krimit të organizuar

Foto: Ann Fransen dhe Ulsi Manja

Ministri i drejtësisë Ulsi Manja takoi sot Ann Fransen, Drejtuesen e Prokurorisë Federale të Belgjikës, dhe delegacionin e saj në Shqipëri.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale Manja thekson se gjatë takimit kanë diskutuar bashkëpunimin e mëtejshmë mes dy vendeve për luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.

Postimi i plotë:

Diskutuam për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet dy qeverive tona, ministrive dhe agjencive të zbatimit të ligjit për të forcuar përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.

Si ish-Prokuror dhe Ministër i Drejtësisë, ishte kënaqësi të dëgjoja nga miqtë belgë vlerësimin më të lartë për profesionalizmin, integritetin dhe punën e kolegëve të tyre në SPAK, në luftën kundër krimit të organizuar dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme. E sigurova znj. Fransen për përkushtimin tonë të palëkundur në ofrimin e ndihmës juridike reciproke dhe mbështetjen e hetimeve penale.

Shqipëria mbetet e angazhuar për një sistem drejtësie të fortë dhe për një shoqëri më të sigurt, në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?