Prokuroria e Posaçme/ 33 veprat penale që i hiqen SPAK-ut, kompetencat që i mbeten

29 Janar 2019, 07:33| Përditesimi: 29 Janar 2019, 11:37

  • Share

Ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale nga Parlamenti, në janar të vitit 2017, ka reduktuar veprat penale, të cilat do të jenë në kompetencë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale. Fillimisht, Kushtetuta e ndryshuar, ligji për SPAK-un dhe Kodi i Procedurës Penale parashikonin 40 vepra penale në kompetencë të organeve të SPAK-ut. Me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, 33 vepra penale i janë hequr si objekt i veprimtarisë së SPAK-ut.

Ndërkaq, përpos veprave penale të mbetura, në ndryshimet e bëra në janar 2017, janë shtuar disa vepra të tjera penale që do të jenë në kompetencë të SPAK-ut, duke e çuar këtë numër në 18. Konkretisht ka ndryshuar neni 75/a i Kodit të Procedurës Penale. Pika 1 e nenit 8 të ligjit për SPAK-un parashikon që kompetenca lëndore të organeve të SPAK-ut përcaktohet në nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penal. Në kohën kur hyri në fuqi ligji i SPAK-ut, nenin 75/a i KPP përmbante 40 vepra penale, ndërsa me ndryshimet e bëra në 2017, u hoqën 33 vepra penale si dhe u shtuan 11 të tjera. Megjithatë, kompetenca më e rëndësishme e SPAK-ut, ajo e hetimit të çdo akuze kundër funksionarëve dhe ish-funksionarëve të lartë shtetëror, nuk ka ndryshuar, pasi është parashikuar shprehimisht në Kushtetutën e ndryshuar me 140 vota në mesin e vitit 2016.

Kompetencat që i hiqen SPAK-ut
Në bazë të ndryshimeve në janar të 2017, nuk do të jenë më në kompetencë të SPAK-ut veprat penale si genocidi, krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës , vrasja për gjakmarrje, vrasja në rrethana të tjera cilësuese, vrasja e funksionarëve publikë dhe punonjësve të policisë, rrëmbimi, trafikimi i personave të rritur dhe të miturve, atentati, komploti, kryengritja, të gjitha veprat me qëllime terroriste, bandat e armatosura, pjesëmarrja në veprime luftarake në një shtet të huaj, trafiku i armëve, trafikimi i narkotikëve etj. Pra, janë hequr të gjitha veprat e rënda penale, të cilat aktualisht janë në kompetencë të Prokurorisë për Krimet e Rënda dhe të Gjykatës për Krimet e Rënda.

Veprat penale në kompetencë të SPAK
Në kompetencë të SPAK-ut mbeten veprat penale të korrupsionit, ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike dhe shkeljes së barazisë në tendera. Më konkretisht, SPAK do të hetojë korrupsionin aktiv dhe pasive të personave që ushtrojnë funksione publike, të nëpunësve të huaj publikë funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, të dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit, korrupsionin aktiv dhe pasin të gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë.

Funksionarët objekt i SPAK
Presidenti i Republikës, ish-presidentët
Kryetari i Kuvendi, ish-kryetarët e Kuvendit
Kryeministri, ish-kryeministrat
Ministrat, ish-ministrat
Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, ish-gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese
Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, ish-gjyqtarët e Gjykatës së Lartë
Prokurori i Përgjithshëm, ish-kryeprokurorët
Inspektorit të Lartë të Drejtësisë
Kryetarit të Bashkisë, ish-kryebashkiakët
Deputetët, ish-deputetët
Zëvendësministrat, ish-zëvendësministrat
Anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor
Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë
Drejtuesit e institucioneve qendrore, ish-drejtuesit e institucioneve qendrore
Drejtuesit e institucioneve të pavarura, ish-drejtuesit e institucioneve të pavarura

Veprat penale që i hiqen SPAK-ut

  1. Genocidi (neni 73 Kodi Penal)
  2. Krime kundër njerëzimit (neni 74)
  3. Krimet e luftës (neni 75)
  4. Vrasja për gjakmarrje (neni78/a)
  5. Vrasja në rrethana të tjera cilësuese (neni 79)
  6. Vrasja e funksionarëve publikë (neni 79/a)
  7. Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit (neni 79/b)
  8. Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare (neni 79/c)
  9. Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit (neni 109)
  10. Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë (neni 109/b)
  11. Trafikimi i personave të rritur (neni 110/a)
  12. Trafikimi i të miturve (neni 128/b)
  13. Atentati (neni 219)
  14. Komploti (neni 220)
  15. Kryengritja (neni 221)
  16. Vepra me qëllime terroriste (neni 230)
  17. Financimi i terrorizmit (neni 230/a)
  18. Fshehja e fondeve dhe e pasurive të tjera, që financojnë terrorizmin (neni 230/b)
  19. Rekrutimi i personave për kryerjen e veprave me qëllimeve (neni 231)
  20. Stërvitja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste (neni 232)
  21. Krijimi i turmave të armatosura (neni 233)
  22. Prodhimi i armëve luftarake (neni 234)
  23. Organizata terroriste (neni 234/a)
  24. Banda e armatosur (neni 234/b)
  25. Pjesëmarrja në veprime luftarake në një shtet të huaj (neni 265/a)
  26. Organizimi për pjesëmarrje në veprime luftarake në një shtet të huaj (neni 265/b)
  27. Thirrja për pjesëmarrje në veprime luftarake të dhunshme në një shtet të huaj (neni 265/c)
  28. Trafikimi i armëve dhe i municionit (neni 278/a)
  29. Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive (neni 282/a)
  30. Trafikimi i narkotikëve (neni 283/a)
  31. Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale (neni 284/a)
  32. Fshehja ose asgjësimi i kufomës (neni 333)
  33. Detyrimi për të kallëzuar provën (neni 334)

Veprat penale në kompetencë të SPAK-ut

  1. Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike (neni 244)
  2. Korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë (neni 244/a)
  3. Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë (neni 245)
  4. Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike (neni 245/1)
  5. Përfitimi i paligjshëm i interesave (neni 257)
  6. Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike (neni 258)
  7. Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike (neni 259)
  8. Korrupsioni pasiv i nëpunësve të huaj publikë (neni 259/a)
  9. Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë (neni 260)
  10. Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit (neni 312)
  11. Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë (neni 319)
  12. Korrupsioni aktiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare (neni 319/a)
  13. Korrupsioni aktiv i arbitrit vendas dhe të huaj (neni 319/b)
  14. Korrupsioni aktiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja (neni 319/c)
  15. Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë (neni 319/ç)
  16. Korrupsioni pasiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare (neni 319/d)
  17. Korrupsioni pasiv i arbitrit vendas dhe të huaj (neni 319/dh)
  18. Korrupsioni pasiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja (neni 319/e)

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?