SPAK

Kronikë

Aida Hajnajt i mbaron mandati në gusht, SPAK çel garën për kreun e ri të BKH! Dumani drejton Komisionin, ja kriteret! Të mos jetë i lidhur me politikën, spiunazhin dhe Komunizmin

22 Prill, 16:42| Përditesimi: 22 Prill, 17:20

  • Share

Teksa Aida Hajnajt i mbaron mandati në 31 gusht, SPAK ka çelur garën për drejtuesin e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Komisioni i përzgjedhjes së kandidaturave përbëhet nga kreu i SPAK, Altin Dumani dhe prokurorët e posaçëm Arben Kraja dhe Behar Dibra.

Kriteret që duhet të plotësohen nga kandidati:

-Ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi me diplomë të barasvlershme me “Master i shkencave”, ose arsimin e lartë policor;

-Ka eksperiencë pune si prokuror, punonjës i Policisë së Shtetit apo Policisë Gjyqësore ose hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit;

-Ka përvojë pune të paktën 5 vjet në çështje që kanë të bëjnë me veprat penale në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar apo krimeve të rënda;

-Nëse ka qenë apo është punonjës i Policisë së Shtetit, të ketë mbajtur për jo më pak se 3 vjet gradën “Komisar”, “Kryekomisar”, “Drejtues” apo “Drejtues i Parë”;

-Të mos jetë në hetim apo gjykim për një vepër penale, të mos ndodhet në kushtet e pazgjedhshmërisë në një funksion publik, sipas ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar, si dhe të nënshkruajë formularin e vetëdeklarimit në zbatim të atij ligji;

-Nuk ka mbajtur funksione politike në administratën publike ose funksione drejtuese në partitë politike të paktën gjatë dhjetë viteve të fundit përpara momentit të kandidimit;

-Ka marrë vlerësim maksimal për aftësitë e tij profesionale, etike dhe integritetin moral, nëse i është nënshtruar vlerësimeve të mëparshme, sipas legjislacionit në fuqi;

-Ndaj tij nuk është marrë masa disiplinore e “shkarkimit nga detyra”, ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi sipas legjislacionit në momentin e kandidimit;

-Të mos ketë qenë dhe të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i ndonjë shërbimi inteligjent;

-Në periudhën 29.11.1944 – 2.7.1991 të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i degëve të punëve të brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaçme;

-Të japë pëlqimin për t’iu nënshtruar testit të poligrafit. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit mbahet në konsideratë gjatë procesit të përzgjedhjes.

Kandidati duhet të paraqesë dokumentacionin e nevojshëm brenda datës 07 maj 2025 që vërteton plotësimin e të gjitha kushteve që parashikohen në nenet 34 dhe 38 të ligjit nr.95/2016.  Dokumentacioni duhet të dorëzohet pranë Sektorit të Arkiv-Protokollit të Drejtorisë së Dokumentacionit dhe Burimeve Njerëzore të Prokurorisë së Posaçme në një zarf të mbyllur, i cili i drejtohet Komisionit të Përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. 

Komisioni i Përzgjedhjes pasi verifikon dhe vlerëson nëse përmbushen kriteret sipas neneve 34 dhe 38 të ligjit nr.95/2016, vendos nëse do të vijojë ose jo me rekomandimin për procedurën e riemërimit pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Procesi i riemërimit do të kryhet duke kaluar në shtatë faza si vijon:

-Shqyrtimi i aplikimit;

-Testi i arsyetimit logjik

-Kontrolli mjekësor;

-Testi fizik;

-Ese me shkrim;

-Intervistë;

-Verifikim figure, deklarim i aseteve dhe testi i poligrafit;

S.B/A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni tonet e përdorura deri më tani në fushatën e 11 majit?