TIRANË- Prokuroria e Tiranës kërkon që vrasja e ish-deputetit Azem Hajdari të përfaqësohet në gjyq nga Krimet e Rënda pasi sipas saj vrasja e ish-deputetit nuk është kompetencë e tyre. Kërkesa është bërë sot në seancën e 7-të nga dy prokurorët ndërsa pritet që më 20 shtator Gjykata Penale të vendosë nëse do ta mbajë ajo apo do të shpallë mos-kompetencën.
Por çfarë ndodh nëse shpallet mos-kompetenca?
Në rast se më 20 shtator pranohet kërkesa e Prokurorisë së Tiranës kjo dosje pritet më pas të kalojë në SPAK, pasi vetë Krimet e Rënda do të funksionojnë edhe pak ditë duke u transformuar më pas në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Me ngritjen e SPAK, Prokuroria e Krimeve të Rënda pushon së funksionuari po ashtu edhe Gjykata e Krimeve të Rënda e cila kthehet në Gjykatën e Posaçme.
Për vrasjen e Azem Hajdarit, Izet Haxhiaj një nga tre të dënuarit ka fituar të drejtën e rigjykimit dhe procesi për të është hapur nga e para.
Një ditë më parë për ReportTv avokati Haxhisë, Bashkim Nikolli tha se ndaj klientit të tij s'ka asnjë provë dhe ata nuk do të kërkojnë gjykim të shkurtuar.
Një tjetër kërkesë e rrëzuar Haxhisë ishte edhe ajo për përjashtimin e trupës gjykuese për të cilin avokati thotë se kërkojnë gjykatës me vetting të kaluar.
Izet Haxhiaj i cili u ekstradua nga Turqia pak muaj më parë u dënua në mungesë me 25 vite për vrasjen e Azem Hajdarit, ndërsa Jahi Sali Mulosmani është i dënuar përjetë për të njëjtin krim.
Izet Haxhia ka qenë truprojë e Sali Berishës, deri në vitin 1998 gjatë kohës që Berisha ka mbajtur postin e Presidentit të Republikës. Ai është dënuar në mungesë me 25 vjet heqje lirie për vrasjen e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Pas vrasjes së Hajdarit, Haxhia u arratis për të qëndruar afro dy dekada në Turqi nga ku dhe ekstradua më 8 Maj 2018.
Pas mbërritjes në Tiranë ai kërkoi rivendosje në afat dhe rigjykim, kërkesa të cilat u pranuan dhe procesi ndaj tij është rihapur më një tjetër trupë gjykues në Dhomën Penale të kryeqytetit.