TIRANË- 22-vjeçarja keniane Joy Ayoko ndërroi jetë 6 ditë më parë në Kenia, por Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet pasi e reja u dhuna barbarisht dhe u hodh nga kati i dytë i banesës ku jetonte në rrugën "Pandeli Evangjeli" në Tiranë. Mësohet se Prokuroria e Tiranës ka dërguar letërporosi prokurorisë së Kenias dhe i ka kërkuar që t’i vërë në dispozicion autopsinë që i është bërë 22-vjeçares në morgun e spitalit ku ndërroi jetë. Kjo kërkesë vjen në kuadër të hetimeve të prokurorisë së Tiranës për vdekjen e Joy Ayoko.
22-vjeçarja ndërroi jetë në Kenia ndërsa lajmi u konfirmua nga nëna e saj Ruth Abongo për Report Tv. 22-vjeçarja u largua nga Shqipëria më 25 janar të këtij viti, drejt vendlindjes për t’u mjekuar në spitalin Kenyatta, në Kenia. Joy u largua nga spitali i Traumës në “half coma”, pra gjysmë koma, e pavetëdijshme.
Kujtojmë se që prej 14 gushtit të vitit 2022 vajza nga Kenia u shtrua për kurim në spitalin e Traumës, pasi u dhunua brutalisht dhe u hodh nga kati i dytë i banesës ku jetonte në rrugën "Pandeli Evangjeli" në Tiranë, megjithëse ngjarja është ende e mbuluar me mister. Rasti i dhunimit të 22-vjeçares solli në Tiranë edhe përfaqësues të ambasadës keniane në Itali. Ata diskutuan me nënën e Joy, mjekët që kujdesen për të renë në spital dhe më pas u takuan me efektivët e policisë që po hetojnë ngjarjen, të cilët i kanë çuar në banesën ku ndodhi dhunimi brutal i 22-vjeçares.
Deri më tani, askush nuk është arrestuar në lidhje me rastin, por policia pretendoi se ata janë në ndjekje të autorëve. 22-vjeçarja keniane prej 14 gushtit ndodhej në koma e shtruar në spitalin e Traumës me brinjë e kocka të thyera, lëndime në dorë e stomak dhe dëmtime në tru. Dyshohet se 22 vjeçarja është hedhur nga ballkoni i dhomës së pallatit ku qëndronte, dhe denoncimin në polici e bëri nga një prej shoqeve. E reja punonte në një kazino të Tiranës ku jetonte prej kohësh së bashku me disa shoqe të saj gjithashtu nga Kenia. Nëna e vajzës keniane, që jetonte në Tiranë me disa shoqe të saj, u njoftua nga kompania e kazinosë që vajza e saj kishte përfunduar në spital. Sipas saj vajza u kishte treguar shoqeve se përndiqej nga një shofer taksie i cili vazhdimisht i kërkonte të krijonin raporte intime.