Ish-zyrtarja Alda Klosi, e cila akuzohet nga autoritetet për fshehje e mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash, do ta mësojë masën e sigurisë nesër në spital. Gjykata ka njoftuar se masa do të bëhet në QSUT për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.
“Ju njoftoj se seanca lidhur me personin nën hetim A.K., do zhvillohet nesër në orën 10:30, në ambientet e spitalit për shkak të gjendjes shëndetësore të saj”, ka njoftuar gjykata.
Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për të. Ndërkohë që pastruesja Rozeta Dobi është marrë sërish në pyetje sot dhe ka dhënë shpjegimi mëngjesin e sotëm. Dobi është marrë në pyetje nga Oficerët e Policisë Gjyqësore dhe Prokuroria në Komisariatin nr. 3 në Tiranë. Rimarrja në pyetje është bërë për shkak të disa paqartësive në lidhje me dëshminë që ka dhënë më parë.
Kujtojmë se që prej ditës së shtunë ish-zyrtarja Alda Klosi është shtruar në spital për shkak të problemeve kardiake. Ajo u shtrua një ditë pasi u arrestua nga policia nën akuzën për pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Arrestimi i Klosit erdhi pasi pastruesja Rozeta Dobi që vodhi paratë në shtëpitë e saj pranoi të bëhet e penduara e drejtësisë, duke pranuar për herë të parë se edhe 400 mijë eurot e gjetura në tubin e aspiratorit të shtëpisë së saj, i përkasin zyrtares Alda Klosi, ish shefe kabineti e ish-ministrit Arben Ahmetajt. Pra në total Dobi pretendon se ka marrë nga shtëpia e Klosit 520 mijë euro plus sendet me vlerë. Kjo dëshmi e saj, ka bërë që Policia e Tiranës t’i vërë pranga zyrtares Alda Klosi mbrëmjen e së premtes, ndaj së cilës rëndojnë 3 akuza, ajo e ”pastrimit të parave”, “mosdeklarimi i pasurisë” dhe deklarim i rremë para policisë”. Dëshmia e pastrueses, ka tjetërsuar të gjithë historinë që ishte raportuar deri më tani, ku nga grabitje siç u fol më herët, tani më bëhet fjalë për një inskenim të ngjarjes.
Rozeta Dobi ka treguar se ka bashkëpunuar me Alda Klosin duke e inskenuar si grabitje, pasi zyrtarja ka dashur që t’ia hidhte fajin ish-bashkëshortit, me të cilin pas ndarjes kishte pasur konflikte. Rozeta thotë se me Alda Klosin kishin një marrëdhënie shoqërore me njëra-tjetrën, që kishte filluar që nga koha kur ajo kishte nisur që të punonte në shtëpinë e saj. E pikërisht për shkak të kësaj marrëdhënie të mirë shoqërore, sipas Rozetës, Alda i ka thënë që të marrë mijëra eurot nga kasaforta, t’i fshihte në shtëpinë e saj dhe të gjithën ta inskenonte si grabitje.
Ajo që është më e fortë në dëshminë e pastrueses, është fakti që sipas Rozeta Dobit, në shtëpinë e zyrtares Alda Klosi vinin para me çanta gjatë gjithë kohës, por është shprehur se nuk e njeh personin që i sillte ato. Nga ana tjetër, Alda Klosi në dëshminë e saj pak pas arrestimit ka mohuar që të ketë pasur marrëdhënie shoqërore me pastrueses e saj, Rozeta Dobi.
Policia ka dyshime për të dyja dëshmitë. Kjo sepse ka dyshime se Rozeta Dobi mund të ketë dalë në këtë alibi për t’ia hedhur fajin zyrtares, për të shpëtuar pozitat e djalit të saj, Havier, edhe ky i fundit i arrestuar. Ashtu sikurse me rezerva merret edhe dëshmia e zyrtares, e cila i qëndron deklaratë së saj se është “e pafajshme”, dhe se "paratë ishin të familjes së xhaxhait të saj që rrinte në Amerikë, i cili ia ka lënë për të kompletuar shtëpinë dhe për nevoja pasi ai ishte i sëmurë me kancer" .
Deri më tani për këtë ngjarje që ka tronditur opinionin publik, janë vënë në pranga Rozeta dhe Havier Dobi (nënë e bir), të arrestuar në janar 2023, si edhe zyrtarja Alda Klosi, së cilës iu vunë prangat dy ditë më parë. Mbetet për t’u parë nëse çështja do të mbetet në Prokurorinë e Tiranës, apo do t’i kalojë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), meqenëse Klosi ka mbuluar funksione të larta në administratë. Deri më tani Prokuroria e Tiranës, thotë për Report Tv se hetimi është kompetencë e tyre.
Çfarë kishte marrë nënë e bir, Rozeta dhe Havier Dobi në shtëpinë e Alda Klosit:
7 Janar
Në njoftimin e parë të bërë nga policia datë 7 janar, thuhet se Rozeta Dobi së bashku me djalin e saj kanë vjedhur në shtëpinë e Alda Klosit shuma të konsiderueshme parash dhe sende me vlerë, të cilat arrijnë në vlerë totale, rreth 120 mijë euro. Gjatë kontrollit të banesës së nënë e bir, janë gjetur 58 150 euro, 7000 dollarë, 368 000 lekë të rinj, sende me vlerë (aksesorë floriri), 3 automjete, 2 prej tyre të blera nga paratë e vjedhura.
8 Janar
Në vijim të këtij operacioni, në 8 janar, policia bëri një njoftim të dytë ky deklaroi se në shtëpinë e Rozeta Dobit janë gjetur dhe sekuestruar edhe 404 800 euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri. Në njoftim nuk specifikohet se këto para i përkasin Alda Klosit, por ka qenë dëshmia e pastrueses e cila ka konfirmuar se i ka marrë te shtëpia e saj.
Historia e parave kesh në shtëpinë e Alda Klosit, vijon në 2021 dhe 2022 sipas Rezeta Dobit. Sipas saj, paratë vinin nga njerëz që nuk i njihte.
“Nuk i numërova, por ishin shumë para. I mora ato dhe i vendosa në sirtarin e komodinës që ndodhej në krevatin ku flinte Alda. Më pas e mora atë në telefon, ku i tregova edhe vendin se ku i kisha futur, ku ajo më falenderoj për veprimin. Kam gjetur në dollape shumë të mëdha me euro, që nuk e di prejardhjen dhe nuk e di se kush i kishte sjellë, apo ku i çonte Alda këto para. Këtë konstatim e kam bërë në vitin 2021, ndërsa kutitë me euro kanë qëndruar aty deri në fund të vitit 2022. Pranova ta kryeja këtë veprim pasi kisha vite që punoja me të. Alda më tregoi se kasafortën e kishte futur tek dollapet. Shkova atje e mora kasafortën e futa në një çantë dhe e dërgova në shtëpinë time tek "Unaza e Re". Më shoqëroi djali, por ai nuk dinte gjë, veprimet i kam kryer e vetme. Shkova në banesë, e kasafortën e futa në dollap. Nuk kisha dijeni për shumën e parave. Të nesërmen thash t’ i sistemoja paratë, ku shumën të madhe të tyre i futa në tubin e aspirimit”, ka thënë Rozeta Dobi.
Tamahi i madh te len pa gja e vertetume brez mas brezi!
PërgjigjuDo i teprojne dromca sa te duash per pasardhesit or teeeejjjjj
CFARE SHERBETOREJE ESHTE AJO? VETEM PESHA E SAJ NUK E LEJON TE BEJ PUNE????PO VETRATAT E SHTEPIVE SI I LAN? ka qene bashkepunetore dhe pike. nga ana tjeter si mundet e zonja e shtepise ti vinin pako me leke dhe te lejonte ti shihte pastruesja...
Përgjigju