Vdekja e Diego Armando Maradonës vazhdon të jetë e diskutueshme pothuajse tre vjet e gjysmë pas ndarjes nga jeta të ish-legjendës së futbollit. Të gjithë fëmijët e Maradonës vazhdojnë të thonë se ishte një "vrasje" e orkestruar mes mjekëve dhe avokatëve të tij për qëllime financiare. Ndërkohë që Prokuroria në Argjentinë kërkon të hetojë në banesën e ish-futbollistit për të mësuar më shumë.
Dy vajzat e tij, Dalma dhe Gianinna kanë reaguar si asnjëherë më parë. Këtë e kanë bërë përmes avokatit të tyre, Fernando Burlando: “Këtu duket se ka shumë interesa të të gjitha llojeve, e kam të vështirë të kuptoj që të gjithë këta persona që morën pjesë në vrasje janë mobilizuar vetë për të vrarë Diegon”, tregoi avokati. "Ata ishin mjeti dhe kishte një çështje ekonomike," tha ai më pas.
Menjëherë pas kësaj, vetë Gianinna u shpreh përmes rrjeteve sociale duke mbështetur këto fjalë: "Dalma dhe unë nuk do të ndalemi! Asnjëherë! Ata do të më vrasin që të hesht. Ju vazhdoni të veproni në media me pagesën e tyre. Kllounë, të cilët e vetmja gjë që i lënë të dukshëm janë mjetet që kanë për të zbuluar organizimin dhe fatkeqësinë që kanë bërë ”, ka shkruar një nga vajzat e Maradonës.
Prokuroria kërkoi këtë të enjte hetime dhe kontrolle të shtëpisë ku humbi jetën ish-lojtari legjendar Diego Armando Maradona , në kuadër të çështjes që kërkon zbardhjen e vdekjes së tij, gjykimi i të cilit nuk ka ende një datë të caktuar.
Për fëmijët e Diegos, ai nuk u nda nga jeta pa një ndërhyrje nga palët e tjera që kishin interesa financiare dhe e dërguan drejt operacionit, aty ku ditë më pas (25 nëntor 2020) ai nuk ia doli të mbijetonte dhe ndërroi jetë në moshën 60-vjeçare.