Prokuroria e Shkodrës

Kronikë

Pastrim parash/ Sekuestrohet apartamenti në Shkodër, ishte blerë nga një grua me paratë e Leonard Mnellës, shqiptarit që falsifikoi vdekjen e tij

13 Tetor, 15:08| Përditesimi: 13 Tetor, 17:46

  • Share

Prokuroria e Shkodrës, me vendim të Gjykatës, ka vendosur nën sekuestro një apartament 103.4 m2 në lagjen “Vasil Shanto”.

Banesa ishte blerë nga një grua me iniciale J.N., por paratë dyshohet se ishin dërguar nga Leonard Mnella, i cili përdor edhe identitetet e tjera Leon Kolmnela e Leonard Kolmnela.

Siç thotë Prokuroria e Shkodrës, gruaja që kishte blerë apartamentin nuk rezulton të ketë të ardhura të mjaftueshme për atë pasuri. Nga hetimet rezulton që paratë të jenë transferuar nga Leonard Mnella. Të dy akuzohen tashmë për pastrim parash.

Kush është Leonard Mnella?

Leonard Mnella është një personazh i njohur, i cili kishte arritur të falsifikonte vdekjen e tij në vitin 2003.

Mnella ka qëndruar i fshehur për vite me radhë në SHBA deri sa u arrestua aty kur u zbulua se kush ishte. Ai u ekstradua në vendin tonë më 16 korrik të këtij viti.

Njoftimi i Prokurorisë së Shkodrës

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër sekuestron një apartament në Shkodër, në kuadër të hetimeve për pastrim parash

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, në kuadër të hetimeve që janë zhvilluar për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal, ka vendosur masën e sekuestros preventive mbi një pasuri të paluajtshme.

Masa e sekuestros është vendosur mbi pasurinë e paluajtshme:

* Lloji: Apartament

* Sipërfaqja: 103.4 m²

* Adresa: Lagjja "Vasil Shanto", Shkodër

Nga hetimet e deritanishme rezulton se shtetasi L. M (alias L. K alias L.K alias L.M), i datëlindjes 14.03.1969, në bashkëpunim me shtetasen J. N, dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprës penale të sipërcituar. Sipas provave të administruara, pasuria është blerë nga shtetasja J. N me fonde të dyshuara të ardhura nga veprimtari kriminale, të transferuara më parë nga shtetasi L.M. Po ashtu, kjo shtetase nuk rezulton të ketë burime të ligjshme të të ardhurave që të justifikojnë investimin. Shtetasi L. M është denuar nga Gjykata e Distriktit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Distrikti Jugor i New York, për vepra penale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, ky shtetas ishte në kërkim nga Interpol Roma pasi me vendimin nr.71/05 1044/05R.G.C.A, datë 07.10.2005 të Gjykatës së Apelit të Salernos është dënuar me 25 vjet burg për veprat penale të “Organizatë kriminale, drogë, pengmarrje, heqje e paligjshme e lirisë dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për vendosjen e masës së sekuestros preventive, me qëllim parandalimin e tjetërsimit të pasurisë dhe ruajtjen e saj për konfiskim të mundshëm në përfundim të procesit penal..

K.B/V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria ndaloi përdorimin e monopatinave, si ju duket vendimi?