Promovohet libri “Miqësi e trazuar”, Bashkim Zeneli: Sa më shumë të mësosh për Greqinë, aq më shumë e do atë

24 Nëntor 2018, 17:47| Përditesimi: 24 Nëntor 2018, 17:54

  • Share

U promovua libri “Miqësi e trazuar, Greqia në kujtimet e ambasadorit” i diplomatit Bashkim Zeneli. Libri vjen në një moment që diskutimet e ashpra midis dy shteteve, Shqipërisë dhe Greqisë nuk kanë munguar. Bashkim Zeneli vjen në këtë botim me një këndvështrim pozitiv ndaj Greqisë, duke e konsideruar marrëdhënien mes dy vendeve shumë të rëndësishme, që pas rënies së komunizmit,moment ky që vendit tonë i duhej të përballonte tranzicionin e vështirë. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili e konsideroi këtë botim si një ngjarje të rëndësishme, që flet më së miri për marrëdhënien miqësore mes dy vendeve.

Qëndroj fort tek miqësia, tek rrënjët e forta, njerëzore edhe kulturore, tek bashkëjetesa e njerëzve mes dy vendeve tonë. Fusha e marrëveshjeve janë më të shumta, se fushat e mosmarrëveshjeve, edhe numri i atyre që përfitojnë nga kjo miqësi është shumë herë më i madh, sesa nga numri i atyre që kërkojnë që të përfitojnë për çfarëdolloj arsyeje.

Ilir Meta, president i Republikës së Shqipërisë

Unë librin tim e kam filluar me një shprehje të tillë që: sa më shumë të mësosh për Greqinë, aq më shumë e do dhe sa më shumë ta duash, aq më shumë edhe kërkon të mësosh për të. E kam shkruar me dashuri këtë libër sepse nuk e njoh urrejtjen midis popujve. Nuk dua ta njohë askush atë urrejtje. Jemi fqinj, jemi miq, duhet të jetojmë në paqe, në harmoni. Ne duhet t’i jemi mirënjohës Greqisë jo vetëm për pritjen që ka bërë ndaj atyre 800 mijë shqiptarëve në këto tre dekada, por duhet t’i jemi mirënjohës për mbështetjen e gjithanshme që na ka dhënë në procese demokratike, në proceset integruese të vendit. Unë kam pasur kënaqësinë të punoj, të ndeshem edhe me sfida dhe vështirësi, dhe më vjen mirë që një pjesë e madhe e ish-stafit të ambasadës, kolegë të nderuar, diplomatë të shkëlqyer, kemi punuar bashkë për të ndërtuar ura. Kemi punuar për të kapërcyer dhe incidente të vogla dhe për të parë si të shkojmë përpara. Nuk ecet kurrë përpara duke mbajtur kokën mbrapa.

Bashkim Zeneli, diplomat

Zv. Ambasadori i Greqisë në Shqipëri, Grigoris Dekavekouras vlerësoi kontributin pozitivë të Zenelit në marrëdhënien mes dy vendeve fqinjë.

Greqia edhe Shqipëria janë dy vende fqinje, edhe marrëdhëniet mes fqinjëve kanë përherë momente të vështira edhe të mira. Roli i çdo ambasadori është që të bëhet katalizator, që të njohim njëri-tjetrin. Zoti Zeneli ja ka arritur këtij qëllimi. Zoti Zeneli më tha se duhet të shohim drejt së ardhmes, edhe unë e besoj këtë gjë, duke nxjerr mësime nga historia. Ka shumë mundësi që ne të gjejmë të gjitha pikat, që na sjellin më afër më njëri-tjetrin. Por, gjithë kohës në respekt të vlerave njerëzore dhe në respekt të komunitetit minoritar grek në Shqipëri edhe të emigrantëve shqiptarë në Greqi, të shikojmë drejt së ardhmes.

Grigoris Dekavekouras, Zv. Ambasadori i Greqisë në Shqipëri

Bashkim Zeneli është autor i studimeve të ndryshme për çështje të politikës së jashtme.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?