Promovohet revista shkencore 'Arkivat Shqiptare'! Bido: Brenda 2022 shërbim i unifikuar Shqipëri-Kosovë

29 Dhjetor 2021, 17:52| Përditesimi: 29 Dhjetor 2021, 17:54

  • Share

Historia dhe pasuria e trashëgimisë kulturore të institucionit të Arkivës së Kosovës dhe Shqipërisë do të jenë tanimë të përmbledhura në një revistë të përbashkët “Arkivat Shqiptare”. Në bashkëpunim me agjencinë e Arkivës Shtetërore të Kosovës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në Tiranë, promovoi numrin e ri të periodikut shkencor “Arkivat Shqiptare”, me qëllim unifikimin e punës arkivore të trevave shqiptare.

“Kënaqësi e veçantë për mua që sot marr pjesë në aktivitet për përurimin e revistës tonë të përbashkët që është fryt i punës sonë të përbashkët. Përgjithësisht kjo revistë ka shënuar një standard tjetër sidomos numri I fundit kemi shënuar një ngritje të cilësisë", tha kreu i Agjencisë Shtetërore e Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj.

Për Drejtorin e Arkivës Qendrore të Shtetit, Ardit Bido, brenda vitit 2022 përmes shërbimit të digjitalizimit do të mundësohet një akses i përbashkët për studiuesit në përdorimin e dokumenteve të dy shteteve.

"28 Nëntori i vitit tjetër do t’i gjejë dy arkivat tona që të shërbejnë njësoj, që në Tiranë të mund të studiohen dhe aksesohen dokumentet e Arkivit të Prishtinës. Dhe që në Prishtinë, në Podujevë apo në Ferizaj, në Maqedoni e Veriut, në Mal të zi e kudo në trevat shqiptare që të aksesohen njëkohësisht të dy arkivat tona pa e ditur mundësisht studiuesi se ku gjendet dokumenti”, tha Ardit Bido, Drejtori i Arkivës Qendrore të Shqipërisë.

Arkiva Qendrore e Shtetit ruan deri një fond arkivor prej 200 milionë dokumentesh ndërsa synimi i revistës shkencore është të unifikojë shërbimin hulumtues të botimeve e dokumentacionit mes dy vendeve.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?