DURRËS- Pronarët e lokaleve të dasmave në Sukth të Durrësit janë mbledhur në një protestë përpara godinës së njësisë administrative të Sukthit.
Ata deklarojnë se ndjehen të diferencuar nga kolegët e tyre në njësitë apo bashkitë e tjera. Sipas tyre, në qendër të Durrësit nuk janë lejuar që të organizojnë dasmë, ndërsa klientët e tyre kanë shkuar në lokalet e tjera jashtë Sukthit dhe nuk janë ndëshkuar. Për pasojë, shprehen se të gjithë duhet të trajtohen njësoj, dhe jo me dy standarte, siç ata pretendojnë.
"Kemi dalë për t'u ankuar dhe për t'i bërë një kërkesë shtetit për të nxjerrë një ligj për arsye se policia ka marrë urdhër dhe nuk na lejon, Na vjen keq ku klientët tanë po bëjnë dasma në Sukth, Marikaj, Durrës dhe në Tiranë dhe ne nuk punojmë. Jemi të sigurt që janë klientët tanë dhe kanë ikur në lokale të tjera. Janë rreth 12 lokale në Sukth. Të nxjerrin një protokoll, sado pak persona, mjafton që të punojmë. Kam 30 vjet ysmeqar jashtë shtetit dhe i kam hedhur këtu. Kam pasur mbi 50 kërkesa për dasma, dhe të gjitha janë bërë jashtë Sukthit", tha një nga pronarët.
Duke shtuar se janë goditur shumë financiarisht nga mbyllja e bizneseve në kohë COVID-i, pronarët kërkojë një protokoll nga ministria e shëndetësisë ku të përcaktohen detyrimet e tyre dhe të lejohen të punojnë.