Kronikë

Djegia e restorantit në Theth, pronarja: Dëmi rreth 150 mijë euro, ekspertët përjashtojnë si shkak shkëndijën elektrike! Nuk kam konflikte me njeri

10 Korrik, 09:08| Përditesimi: 10 Korrik, 09:28

  • Share

Aida Gjeçaj, pronarja e restorantit që u dogj në Theth, thotë se ekspertët kanë përjashtuar si shkak shkëndijën elektrike. Në një prononcim për mediat, ajo thekson se dëmi i shkaktuar është rreth 150 mijë euro, dhe se vjet kishin përfunduar punimet. Restoranti, thotë pronarja, ishte i pajisur gjithashtu edhe me panele diellore.

Gjeçaj hedh gjithashtu dyshime se zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm, ndërsa thotë se nuk ka pasur konflikte apo kërcënime nga njeri. Thotë se nuk ka ndërtuar asnjë pa leje dhe se objektet e saj nuk ishin në listën e objekteve që do të shemben nga IKMT. Më tej, shton se pret që drejtësia të bëjë punën e vet dhe të zbardhë ngjarjen.

"Nuk kam dijeni. Pasi mbrëmë isha në Tiranë për punë administrative. Kur më kanë njoftuar në dy të natës se kishte rënë zjarr në subjektin tim. Erdhëm, komshinjtë kanë fikur zjarrin, nuk kanë arritur të shpëtojnë gjë. Ishte restorant me panele diellore. Dhe ishte e pamundur që të fikej, zjarrfikësja nuk ka arritur të vijë në kohë. Gjithsesi ka ardhur,  ka bërë pjesën e saj të fundit. Falenderoj komshinjtë që kanë dhënë ndihmën e parë dhe për të evituar që zjarri të përcillej në godina të tjera, që janë kuzhina dhe bujtina. Nuk ka pasur dëme në njerëz. Falë zotit jemi mirë sa i përket jetëve njerëzore ndërsa hekurat shkojnë dhe vijnë. Restoranti është në pronësinë time si Aida Gjeçaj. Kemi mbi 15 vite që operojmë në këtë sektor. Ndër bujtinat e para që kemi punuar dhe promovuar Thethin në këto vite. E vetmja gjë që ekspertët kanë konfirmuar është se energjia elektrike nuk është shuar edhe pse godina kishte marrë flakë, gjë që përjashton incidentin nga ndonjë shkëndijë elektrike. Kështu që për shkaqe të tjera nuk kam dyshime, sepse nuk kam askujt borxh, s’kam asnjë konflikt apo kërcënime. Nuk e di nga se mund të ketë ardhur. Kemi vetëm 5 dhoma në pronësi, pasi nuk kam dashur të ndërtoj asnjë gjë pa leje. Nuk e di ku ta vë gishtin.

Nuk e di, koeicidenca është e keqe. Thashë nuk kam procedim për prishje sic mund të kenë një pjesë e banorëve sepse s’kam marrë veprime për ndërtime që mund të penalizohesha. Kam zgjedhur të punoj në nivel të ulët, me restorantin, me një kuzhinë të hapur, me 5 dhoma. Dëmi i shkaktuar në këtë godinë, e cila është ekologjike, është një strukturë parafabrikat, kostoja e ndërtimit të saj që e kemi përfunduar vitin e kaluar është afërsisht 150 mijë euro. Kështu që dëmet janë vetëm materiale, dëme kanë çdokush me dashje apo pa dashje. Përderisa nuk është energjitike, ia lë në dorë drejtësisë dhe ata që janë eksperta këtë punë. Ua lëmë atyre në dorë. Duke qenë se familjarisht jemi të lidhur me drejtësinë, ia kemi besuar. Besojmë te ligji dhe shteti dhe nuk e di, presim që veprimet të bëhen dhe e vërteta herët a vonë do të dalë.", thotë ajo. 


Lajmi kryesor:

Shkrumbohet restoranti i agjentit të BKH-së në Theth, bashkëshortja: Dëmi rreth 150 mijë €, s'kemi konflikte (FOTO+VIDEO)


Xh.D/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Aksioni ndaj objekteve pa leje në sezon turistik, a dëmtohet imazhi i vendit?