Politikë
Ekonomi

Pronat do të rivlerësohen, Malaj: Gati projektligji, do bëhet me normë tatimi të reduktuar

11 Korrik, 17:50| Përditesimi: 11 Korrik, 19:46

  • Share

Qeveria po bën gati fushatën tjetër të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme. Ministri i Financave Petrit Malaj ka deklaruar gjatë takimit me kryebashkiakët se nisma e re ligjore do të kalojë për konsultim publik dhe se norma tatimore do të jetë e reduktuar.

“Ne do të bëjmë edhe prezantimin e rivlerësimit të pronave, që do të bëhet me një normë tatimore të reduktuar, kështu që do tu japim mundësi të gjithë qytetarëve shqiptarë që krahas vlerës së re të pronës së tyre të bëjnë edhe rivlerësimin e pronave që kanë aktualisht. Kjo është një çështje që ne jemi duke e diskutuar dhe patjetër do ta hedhim edhe në diskutim të gjerë me publikun”, tha Malaj.

Nisma për rivlerësimin e pronave u ndërmor në maj të vitit të shkuar nga deputetja Blerina Gjylameti, por me humbjen e mandatit në zgjedhjet e 11 majit dhe me mbylljen e legjislaturës parlamentare kjo nismë digjet. Por mesa duket projektligji për rivlerësimin e pronave do të ndërmerret nga qeveria këtë herë.

Përmes kësaj fushate, qytetarë e biznese mund të përafrojnë çmimin real të pronës në tyre me vlerat e tregut duke paguar një normë tatimore më të ulët se 15% që është tatimi për transaksionet e pasurive të paluajtshme.

Po kështu Malaj tha se me çmimet e reja të referencës që po ashtu do të hidhen për konsultim publik do të rritet ndjeshëm çmimet e pronave.

“Ne jemi drejt finalizimit të çmimeve të reja të referencës. Vlera e pronave është rritur rreth 26%, pra është një rritje që besoj do të shtojë dhe vlerën sa i përket të ardhurave në bashkitë”, tha Malaj.

Po ashtu nga viti i ardhshëm pritet të ndryshojë taksimi i shtëpisë, pasi ata që kanë dy ose më shumë banesa do të paguajnë më shumë tatim. Projektligji i ri i taksës së pronës që pritet të kalojë për konsultim publik, do të nisë të zbatohet nga viti i ardhshëm.

Ky diferencim në taksim në varësi të numrit të banesës vjen për shkak se 356 mijë apartamente në vend janë bosh sipas gjetjeve të CENS-2023, dhe kjo sipas ekspertëve ka shumë arsye, nga emigrimi, blerja e shtëpive të pushimit edhe për shkak se shumë qytetarë në vend kanë në pronësi dy ose më shumë prona.

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksioni ndaj objekteve pa leje në sezon turistik, a dëmtohet imazhi i vendit?