Një në katër investime të huaja në Shqipëri shkon në sektorin e pasurive të paluajtshme. Janë afro 181 milionë euro të investime të huaja direkte që janë hedhur në tregun real-estate, duke bërë që 25% e investimeve që vijnë nga jashtë të përqendrohen në këtë sektor.
Ekspertët e tregut thonë se tregu i pronave është tërheqës për të huajt, pasi ofron çmime të lira për nivelin ekonomik që ata kanë. Ata po blejnë kryesisht në zona të shtrenjta të Tiranës dhe në bregdet, madje edhe i rishesin ato. Afro një e treta e pronave të shitura në vend janë blerë nga shtetas të huaj.
Nga ana tjetër nuk ka të ndaluar as kredia që bankat po japin për këtë sektor. Rreth 38% e kredisë së dhënë nga bankat nga janari deri në qershor ishte për pasuri të paluajtshme, duke bërë që stoku i kredisë për këtë segment të jetë 180 miliardë lekë në fund të gjashtëmujorit.
Përballë çmimeve të larta të banesave qytetarët po ju drejtohen gjithnjë e më shumë bankave për të marrë kredi. Më shumë se 50% e pronave të shitura prej vitit 2020 janë blerë me kredi bankare, që ka mbuluar mbi 60% të vlerës së pronës.
Por ekspozimi i bankave duke dhënë shumë kredi për sektorin e pasurive të paluajtshme do të kufizohet nga Banka e Shqipërisë, për të shmangur rritjen e kredive me probleme.
Bankat kanë nisur raportimin pranë Bankës së Shqipërisë për ekspozimin e tyre në ndaj këtij sektori. Pas analizimit të dhënave banka qendrore në rast rreziku do të caktojë tavane për masën e kredisë që do të japin bankat për blerje pasurie të patundshme.