Më shumë turq, holandezë, italianë e austriakë po investojnë në Shqipëri. Sipas shifrave të fundit të Bankës së Shqipërisë nga janari deri në mars vlera e investimeve të huaja ishte 362 milionë euro nga 354 milionë euro vitin e kaluar.
Nga totali i investimeve të huaja, rezulton se një në shtatë leke të investuara nga të huajt në Shqipëri në tre muajit e parë erdhi nga Turqia. Edhe pse në rënie në raport me 3-mujorin e parë të 2024-ës, Turqia renditet e para me 50 milionë euro investime të huaja, ndjekur nga Holanda me 49 milionë euro, Italia 46 milionë dhe Austria me 31 milionë euro.
Shifrat e Bankës së Shqipërisë sinjalizojnë për një ngadalësim të investimeve në tremujorin e parë të vitit, pasi janë në rënie në raport me prill-dhjetor 2024. Shkak për këtë janë bërë pasiguritë e shtuara në botë, që i kanë bërë të huajt më të kujdesshëm në investimet që bëjnë.
Por edhe pse paratë po shpenzohen më me kujdes, përsëri sektori i pasurive të patundshme triumfon. Një në tre lekë të investuara në Shqipëri nga të huajt në tre muajit e parë të vitit, shkoi për blerje pronash. Shifrat e Bankës qendrore tregojnë se investimet e huaja në sektorin e pasurive të paluajtshme nga janari në mars arritën në 104 milionë euro nga 84 milionë euro vjet në të njëjtën periudhë.
Sektori i dytë me vlerën më të madhe të investimeve është ai i aktiviteteve financiare dhe sigurimit me 75 milionë euro me rritje të lehtë në raport me vjet. Më pas është industria nxjerrëse me 51 milionë euro të hedhura aq sa ishte vlera edhe vjet në këtë tremujor.
Komente
