Ekonomi

Ekskluzive/ Pronat në Durrës mesatarisht 62% më shtrenjtë! Apartamentet në plazh do të shiten me 2 mijë € m² (NDARJA SIPAS ZONAVE)

21 Shkurt, 15:31| Përditesimi: 21 Shkurt, 16:07

  • Share

Sa më afër detit aq më shtrenjtë për xhepin. Vlera e apartamenteve në Durrës pritet të rritet me mesatarisht 62% pas miratimit të referencave të reja për bashkitë, të paralajmëruara për t’u bërë publike në pranverën e këtij viti.

“Çmimet e referencës ne kemi parë që kanë sjellë gjithmonë rritje. Çmimi i referencës është shumë abuziv. Vërtet në një zonë mund të ketë çmime sa është referenca por një pjesë e madhe e pronave janë nën çmimin e referencës”, pohon eksperti i tregut imobiliare Ervin Demirxhiu.

Propozimi që po shqyrton Ministria e Financave, siç Report Tv mëson ekskluzivisht, është që Durrësi të ndahet në 13 zona, ku çmimi i referencës për metër katror ndryshon nga njëra tek tjetra, ndryshe nga sa ndodh aktualisht ku i gjithë qyteti bregdetar ka vetëm dy referenca 472 euro dhe 675 euro.

Me referencat e reja një metër katror në zonën më të frekuentuar të bregdetit të Durrësit që është ‘Zona 13’ e njohur si lagjja e plazhit, një metër katror pritet të kushtojë 2000 euro me rritje 323% në raport me referencën aktuale prej 472 euro/metri.

“Mund të jetë real për 5% të atyre të pronave që janë në vijën e parë dhe që janë ndërtimet e reja. Zona e plazhit ka tridhjetë vite e ndërtuar”, pohon Demirxhiu.

Ndërsa në zonat afër qendrës së qytetit çmimi referencë për metër katror do jetë afro 1000-1400 euro, nga 472 euro/metri që është aktualisht. Kurse periferia e Durrësit do të ketë çmime afërsisht sa referencat e sotme.

Për përcaktimin e referencave të reja grupi i punës ka marrë në konsideratë shit-blerjet e deklaruara 2022-2023 në këtë qytet, si dhe është bazuar afërsia e me zonën qendrore të qytetit, afërsia me polet strategjike apo zonën historike të qytetit, si dhe afërsia me zonën bregdetare.

Referencat e reja që aktualisht nuk janë bërë publike pritet të prekin jo vetëm bashkitë e shtrira përgjatë bregdetit por edhe qytete të tjera që kanë marrë hov zhvillimi vitet e fundit.

Mungesa e referencave të pronave për të gjitha bashkitë e vendit u bë shkak edhe për shtyrjen e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme të paralajmëruar për të ndodhur gjatë vitit 2024 e deri në verën e këtij viti. Referencat e reja janë miratuar në vitin 2023 vetëm për Tiranën, e cila është e ndarë në 32 zona ku çmimi çmimet u rritën deri në 70% në pika të ndryshme të kryeqytetit.

*Shënim: Referenca përcakton tavanin nën të cilin nuk mund të shitet një pronë, ndërsa mbi këtë vlerë nuk ka kufizim.

ÇMIMI REFERENCË ZONA 13, DURRËS
Referenca e vjetër       472 euro/metri
Referenca e re           2,000 euro/metri
Diferenca               +1,528 euro/metri

 

ÇMIMI REFERENCË QENDRA E DURRËSIT
Referenca e vjetër        472 euro/metri
Referenca e re        1000-1400 euro/metri
Diferenca                +528-928 euro/metri

G.M./SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Goni: 22/02/2025 11:28

    Ngelen shqiptaret pa shtepi

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?