Ekonomi

Pronat në Shqipëri ‘marrosin’ të huajt, 34% e investimeve nga jashtë në 'real-estate'! Gjithsej 760 milionë euro në 6 muaj

15 Shtator, 16:12| Përditesimi: 15 Shtator, 17:28

  • Share

Investimet e huaja në Shqipëri po kanalizohen veçanërisht në blerje pasurish të paluajtshme, dhe jo më në sektorët tradicionalë si energjia, apo industria nxjerrëse. Banka e Shqipërisë thotë se në tremujorin e dytë të këtij viti vlera e investimeve të huaja direkte arriti në 398 milionë euro, me rritje prej vetëm 3 milionë euro në raport me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

34% e këtyre parave u ‘hodhën’ në sektorin e pasurive të paluajtshme, ose gati 135 milionë euro. Praktikisht një në tre lekë të investuara në Shqipëri nga të huajt në periudhën prill-qershor 2025, shkoi për blerje pronash.

Për ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme, Shqipëria është ende një treg me leverdi për të huajt, pasi çmimet e pronave për ata janë të përballueshme. Ndërsa vala e blerjeve të apartamentet nga shtetas jo rezidentë, po vijon të shtrenjtojë pronat në vend.

Praktikisht e gjithë rritja e investimeve ka ardhur nga sektori i pasurive të paluajtshme pasi të gjitha fushat e tjera janë në rënie referuar shifrave të bankës.

Sektori i dytë me vlerën më të madhe të investimeve është ai i aktiviteteve financiare dhe sigurimit me 67 milionë euro ndjekur nga industria nxjerrëse me 43 milionë euro dhe më pas energjia 23 milionë euro dhe komunikacioni me 8 milionë euro investime të huaja në këtë tremujor të dytë të vitit.

Ndërsa në gjashtë muaj vlera e investimeve të huaja direkte rezulton 760 milionë euro, me rritje prej 11 milionë euro krahasuar me vitin 2024. Edhe si periudhë 6-mujore paratë e huaja dominojnë në sektorin e “real estate”.

K.T./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Vendet nordike: 15/09/2025 19:41

    Nordiket mbarojne sidomos per bregdet Adriatic apo Jon shume shpejt edhe zonat liqenore per shembull Bovilla po I çmend turistët e huaj sidomos Nordik apo zelandës

    Përgjigju
    • Vendi: 15/09/2025 22:08

      Seriozisht mendon se po investojne nordiket ne shqiperi?? Nuk investon askush pervec ruseve, maqedonasve dhe ndonje italian i lodhur. Pjesa tjeter, ajo qe ka shtrenjtuar cmimet dhe ka nxitur masakrat e ndertimeve eshte pastrimi i parave.

  • Sondazhi i ditës:

    Sa të sigurt ndiheni nga mashtrimet online?