Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, ndryshimet ligjore kalojnë në komision! Privati do paguajë për shembjen! Debate te ‘Ekonomia’

14 Maj, 17:05| Përditesimi: 14 Maj, 17:33

  • Share

Pronat shtetërore do të mund të shkëmbehen me ato private të bizneseve të ndryshme. Ky vendim është pjesë e ndryshime ligjore të miratuara në komisionet parlamentare që rishikojnë aktin normativ për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta.

Për qeverinë ligjërimi i shkëmbimit, vjen si rezultat i rasteve të ndodhura gjatë këtyre viteve, ku procedura e shkëmbimit është bërë me procedurë të posaçme, sepse ligji nuk e parashikonte.

“Që nga viti 2008 kur është miratuar ky akt normativ, ke vendimet Ad-Hoc për projekte të veçanta”, tha kryetari i komisionit Shalsi.

Këto ndryshime nuk kaluan pa debate të forta në komisionin e ekonomisë.

“Do flas sa të dua. Ule zërin se po flas unë, pusho. Ligji për rregullimin e territorit është një ligj sektorial, dhe rregullimet në ligjin sektorial zoti Shalsi nuk mund ti rregullojmë me ligjin e privatizimit”, u shpreh Tabaku.

Ndërsa deputeti socialist Erion Braçe kërkoi shpjegime se cilat prona mund të shkëmbehen.

 

“Mund të më thoni rastet se kur mund të shkëmbehet prona, dhe kur nuk lejohet shkëmbimi me pronën private?”, pyeti ai.

“Kriteret për vlerësim e pronave që privatizohen apo shkëmbehet, format e privatizimit, mënyrat e shkëmbimit dhe rastet përjashtimore, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, tha deputetja Gjylameti.

Ndërsa opozita këtë lëvizje e konsideron të rrezikshme, antikushtetuese dhe korruptive.

“Tashmë po kalojmë në një ligj që më vjen keq ta them është komplet, shembulli i ligjeve të kapura, që për mua është antikushtetues, dhe krijon hapësira në zbatimin e tij të rrezikshme. Na kthehet shteti tashmë në një shkëmbyes pronash me transaksione private që ju takojnë individëve. Lënë hapësirë për korrupsion, janë të rrezikshme këto ndryshime. Kur ju thoni që do të bëjmë një reformë të plotë anti korrupsion, sillni këtë ligj që është shembulli më i mirë i arnimit. Hapeni debatit për ta diskutuar, pasi prekni dy ligje të tjera që lidhen me dhurimin e pronës, dhe i lini në dorë administratës të merret me transaksione pronash dhe së dyti i lini prapë administratës prishjen e pronave pa pasur një proces të drejtë”, tha deputetja Tabaku.

 

Po ashtu me ndryshimet e miratuara është vendosur që për projektet që do bëhen në prona shtetërore, kur duhet shembur objekti të paguhet aq sa është vlera e tij. Edhe në këtë pikë sipas opozitës fshihet pas interesi i bizneseve që duan të marrin pronat shtetërore.

“Nuk bëhet fjala t'i prishim dhe pastaj të japim objekte zhvillimorë, por flitet për disa objekte të amortizuara për të cilat është lidhur kontrata, e ka dhënë qeveria, ka dhënë lejen zhvillimore, i duhet të prishen objektet dhe aty ka një pengesë. Po vendosim që për këto objekte të amortizuara për vlerën e tyre kontabël, po vendosim që edhe subjektet duhet të paguajnë”, tha Shalsi.

“Përtej shitjes, privatizimit dhe shkëmbimit të pronës, po pjesëmarrja e shtetit në një investim madhor me aksione, pse nuk përfshihet? Pse një investitor duhet ta shtrijë gjurmën deri në pronën publike, dhe pronën publike duhet ta marrë falas, pse? Kush do të zhvillojë duhet të blej, falas s’ka pse merr kush”, u shpreh deputeti Braçe.

“Unë dyshoj se është porti i Vlorës, se ka shumë magazina atje pas dhe do të bëhen pallate. E njëjta situatë është për portin e Durrësit. E njëjtat situatë është në disa reparte ushtarake që janë nëpër male, por që kanë marrë vlerë turistike sot”, tha Dashamir Shehi.

“Kur pasuria shtetërore që përmban objekte apo ndërtesa shtrihet në gjurmën e projekteve për të cilat është miratuar leja e zhvillimit, objektet dhe ndërtesat shemben, shpenzimet e shembjes dhe vlera kontabël e objekteve paguhet nga zhvilluesi, ndërsa vlera kontabël përcaktohet nga ekspertë kontabël të miratuar për këtë qëllim nga Ministri i Ekonomisë”, u përgjigj Shalsi.

Pavarësisht debateve dhe akuzave në komision, projektligji u miratua me votat e mazhorancës dhe do të diskutohet në seancë plenare të enjten e 16 majit.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?