Grupi i muxhahedinëve iranianë i vendosur në Shqipëri sipas marrëveshjes së vitit 2013, kanë qenë edhe më herët objekt shqetësimesh për aktivitetin e tyre që shpesh synonte të shtrihej jashtë vendit përmes rrjetit online. Në vitin 2021, Facebook mbylli mbi 300 llogari të anëtarëve të grupit disident iranian në mërgim Mojahedin-e Khalq, MEK, me argumentin se “sjellja e tyre” shkel politikat e kompanisë.
“Njerëzit pas këtij aktiviteti mbështeteshin në një kombinim llogarish autentike dhe të rreme për të postuar përmbajtje në lidhje me MEK dhe për të komentuar postimet e tyre dhe të njerëzve të tjerë, duke përfshirë ato të organizatave ndërkombëtare të lajmeve si Radio Liberty, Zëri i Amerikës dhe BBC”.
Pas fazës së parë të masave, Facebook njoftoi asokohe se do të vazhdojë të monitorojë çdo përpjekje për të ringritur rrjetin nga njerëzit që qëndrojnë pas kësaj fushate që mbështetej në llogari të rreme për të postuar dhe përhapur mesazhet.
Disa nga këto llogari ndryshuan vazhdimisht emër. Llogari të tjera përdorën emra të anëtarëve të vdekur të MEK. Disa pretendonin se ndodheshin në Iran, por operoheshin nga Shqipëria. Të gjitha llogaritë ishin të hapura në mbështetjen e tyre për MEK dhe në kritikat e tyre ndaj qeverisë iraniane”.
Bazuar në evidencat e Facebook, grupi ishte shumë aktiv në vitin 2017 dhe në gjysmën e dytë të vitit 2020. Ndërkohë faqet apo grupet që përdoreshin për propagandë dhe mesazhe kundër regjimit të Iranit, përdornin në mënyrë të rreme foto personazhesh të ndryshme me ndikim tek audienca. Synim tjetër i tyre ishte edhe sensibizilimi ndërkombëtar për mbështetjen e MEK.