Ka nisur sot mbledhja e radhës e përbashkët e Këshillit për Legjislacionin dhe Komisioni për Çështjet Ligjore për të diskutuat mbi propozimet e Partisë Demokratike për ndryshime kushtetuese. Në mbledhje u bë caktimi i relatorit; miratimi i ekspertëve konstitucionalistë për ekspertizën përkatëse si dhe caktimi i detyrave për ekspertët.
Propozim për ndryshime kushtetuese ka bërë edhe Partia Socialiste, një propozim për zgjatjen e afateve të shkallës së parë të vettingut, pasi i mbaron mandati KPK dhe komisionerëve publikë më 17 qershor 2022.
Mbledhjet e Këshillit të Legjislacionit për të diskutuat këto propozime të PS, opozita i ka bojkotuar me pretendimin se çështjet duhen diskutuar të bashkuara në një mbledhje. Pavarësisht mungesës së opozitës, maxhoranca ka vijuar me procedurat duke dëgjuar ekspertët.
Kujtojmë se Partia Demokratike ka dorëzuar në Kuvend propozimet për ndryshime kushtetuese që kërkojnë në thelb zhbërje të ndryshimeve kushtetuese të korrikut 2020, që mazhoranca bëri me opozitën parlamentare që nuk ishte PD-LSI, kërkojnë ndryshime në hartën territoriale të Shqipërisë dhe me ndryshime për vettingun e politikanëve, që praktikisht bëjnë një Kushtetutë të re. Propozimi më i rëndësishëm i PD ka të bëjë me propozimin për veting të politikanëve. Një nismë deri diku të ngjashme me vitin 2018, që u kritikua dhe u hodh poshtë nga Komisioni i Venecias, duke vënë në diskutim vlerën e propozimit dhe theksuar rrezikun për shkeljen e të drejtave të themelore. Megjithatë, tre vite më pas, Lulzim Basha ka rikthyer draftin për Vetingun e politikanëve, përmes disa amendamenteve kushtuese, më të zgjeruara dhe të detajuara. PD propozon që të përjashtohen nga e drejta e për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, ose shtetasit që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose pasuri të pajustifikuar ligjërisht, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.