Foto ilustruese

Ekonomi

Propozimet e Shoqatës të Përpunuesve të Qumështit për paketën fiskale, TVSH 6% për produktet shtazore, të hiqet akciza e gazit, 10 lekë subvencionim për litër qumësht për fermerët

9 Nëntor 2021, 16:35| Përditesimi: 9 Nëntor 2021, 16:44

  • Share

Propozimet e Ministrisë të Financave dhe Ekonomisë për ndryshimet fiskale 2022 për heqjen e TVSH-së të rimbursueshme 6%, vendosjen e akcizës për gazin 6 lekë/litër në industritë përpunuese, u kundërshtuan nga Shoqata Industria e Përpunuesve të Qumështit.

Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës, Donjaldo Hoxha kërkoi marrjen e masave urgjente fiskale në ndihmë të industrisë, si normë të reduktuar të TVSH-së në 6% për produktet shtazore, 10 lekë subvencion për çdo litër qumësht lope/dele/dhi të dorëzuar nga fermeri në pikat e licencuara të grumbullimit ose fabrikat e përpunimit të qumështit dhe heqjen e akcizës 6 lekë/litër për gazin për industrinë e përpunimit të qumështit.

Shoqata e Përpunuesve të Qumështit tha gjithashtu se në këtë industri nuk lejohet të përdoret masivisht qumështi pluhur për produktet e bulmetit. Sipas tyre qumështi pluhur në vend përdoret te pijet me bazë qumështi, akulloret, ëmbëlsirat etj.

Projektligji “Për taksat kombëtare” vendos taksë për qumështin pluhur e importuar dhe prodhuar në vend në vlerën 100 lekë për kg.

Kërkesat e Shoqatës “Industria e Përpunimit të Qumështit” janë:

1. Normë e reduktuar TVSH në vlerën 6% për të gjitha produktet me origjinë shtazore. Propozimi i një norme të reduktuar TVSH për sektorin e produkteve me origjinë shtazore në 6%, njëlloj si aktualisht në Republikën e Shqipërisë e ka sektori i turizmit. Bujqësia dhe turizmi janë prioritete të zhvillimit të vendit, prandaj duhet të mbështeten në të njëjtën mënyrë. Norma prej 20% e TVSH është shumë e lartë për industrinë e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit dhe aspak favorizuese, kundrejt eksperiencave të vendeve të tjera në rajon dhe Evropë, të cilët aplikojnë TVSH nga 5-7% për produktet e sektorit të qumështit. Theksojmë që industria jonë është në konkurrencë të përditshme me këto produkte dhe duhet të vihemi në kushte të drejta për të konkurruar në treg.

2. 10 lekë subvencion për çdo litër qumësht lope/dele/dhi të dorëzuar nga fermeri në pikat e licencuara të grumbullimit ose fabrikat e përpunimit të qumështit. Kjo skemë mbështetëse duhet të jetë pa limit, në mënyrë që çdo fermerë/fermë ta përfitojë subvencionin për çdo litër qumësht të prodhuar, njëlloj si në rajon.

3. Heqja e akcizës 6 lekë/litër për gazin për industrinë e përpunimit të qumështit, duke qenë se është një taksë që nuk aplikohet në asnjë nga vendet e rajonit. Në të gjithë rajonin industria përpunuese është e përjashtuar nga akciza e gazit dhe të njëjtin model duhet të implementohet edhe në vendin tonë.

4. Rritje e sigurisë ushqimore në sektorin e qumështit dhe mbi të gjitha eliminimin e fenomenit të qumështit të rrugës. Konkretisht:

  • VETËM 11% e sasisë së qumështit të prodhuar në vend rezulton të kalojë nëpërmjet një procesi kontrolli, përpunimi dhe paketimi të standardizuar në sektorin e përpunimit të qumështit
  • Pjesa tjetër prej 89% është totalisht ekonomi informale në sektorin e qumështit.
  • 30% e kësaj sasie përdoret për konsum vetjak,
  • Ndërsa 70% e kësaj sasie përpunohet në informalitet dhe jashtë çdo lloj standardi nga njësi përpunimi dhe baxho të padeklaruara.

Që shqiptarët të ushqehen me qumësht dhe nënprodukte të tij të kontrolluara dhe të përpunuara sipas standardeve të lejuara të ushqimit, është e domosdoshme ndërhyrja e menjëhershme në këtë sektor, duke ngritur një grup pune të përbashkët nga AKU (Autoriteti Kombëtar i Ushqimit), Drejtoria e Tatimeve, Polica Bashkiake dhe instanca të tjera shtetërore me përgjegjësitë përkatëse në ligjin e ushqimit. Ky grup pune të bëjë të mundur formalizimin dhe standardizimin e të gjitha baxhove dhe njësive të përpunimit të qumështit në vendin tonë.

Komunikim mbi qumështin pluhur:

Bazuar në:

Ligjin Nr. 9441, datë 11.11.2005 “PËR PRODHIMIN, GRUMBULLIMIN, PËRPUNIMIN DHE TREGTIMIN E QUMËSHTIT DHE TË PRODUKTEVE ME BAZË QUMËSHTI”;

VENDIM Nr. 434, datë 11.7.2018 “PËR ETIKETIMIN E USHQIMEVE DHE INFORMIMIN E KONSUMATORIT”,

Qumështi pluhur NUK lejohet të përdoret në qumështin masiv për konsum dhe në produktet si:

1. Kos

2. Djath i bardhë

3. Djath kaçkavall

4. Salcë kosi

5. Gjizë

Të gjitha këto produkte me këto emra, prodhohen vetëm me qumësht të freskët lope, dele ose dhie.

Bazuar përsëri në ligjet më sipër, qumështi pluhur lejohet të përdoret në:

1. Në industrinë e prodhimit të qumështit për foshnje si zëvendësues për qumështin e gjirit në ushqimin për foshnje.

2. Në industrinë e prodhimit të ëmbëlsirave.

3. Në industrinë e prodhimit të pijeve me bazë qumështi.

4. Në industrinë e prodhimit të çokollatës.

5. Në industrinë e prodhimit të akullores.

6. Në industrinë e prodhimit të bukës për të përmirësuar aftësinë ujëlidhëse.

7. Në industrinë e prodhimit të produkteve me bazë mishin.

Por, edhe në rastet kur përdoret, qumështi pluhur është detyrim ligjor që të deklarohet në etiketën e produktit, në të kundërt, çdo prodhues mban përgjegjësi penale para ligjit. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që konsumatori të ndërgjegjësohet dhe të lexojë etiketën kur blenë produktin për të kuptuar se çfarë është duke konsumuar.

Baza dhe bashkëpunimi i shoqatës sonë është i fokusuar te fermerët dhe aq më tepër ju sigurojmë që ne kemi kontrata si industri e përpunimit të qumështit që kemi financuar qoftë si garantë, qoftë si financues të drejtpërdrejtë, fermerë të ndryshëm për të rritur performancën në fermat e tyre. Nëse qeveria nuk plotëson kushtet e përmendura më sipër fermerët dhe prodhimi i qumështit shumë shpejt do falimentojë. Fokusi i industrisë së përpunimit të qumështit është prodhimi i fermerit shqiptar, prandaj kërkojmë që të gjitha masat fiskale dhe tatimore dhe mbështetja nëpërmjet subvencioneve të orientohen në nxitjen e prodhimit të blegtorëve shqiptarë dhe rritjes së cilësisë së qumështit të prodhuar dhe përpunuar. Nëse qeveria nuk plotëson kushtet e përmendura më sipër, do të ketë një përshkallëzim të reagimit tonë./Monitor.al

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?