Armela Krasniqi, kryetare e AMA-s

Propozimet për ndryshime në ligjin ‘Për median audiovizive’! AMA zhvillon Tryezën e parë të Konsultimit me grupet e interesit

7 Dhjetor 2023, 20:12| Përditesimi: 7 Dhjetor 2023, 20:16

  • Share

Autoriteti i Mediave Audiovizive ka hedhur sot për konsultim ndryshimet e propozuara në ligjin “Për median audiovizive në Republikën e Shqipërisë”. Në tryezën e parë të konsultimit ishin të ftuar të gjithë përfaqësuesit e OSHMA-ve për tu njohur me ndryshimet nen për nen, duke i hapur rrugë kështu fushatës së konsultimeve, e cila do të pasohet edhe me tryeza të tjera ku do të diskutohen edhe propozimet që pritet të sjellin edhe vetë OSHMA-të.

Takimin e ka hapur Kryetarja e AMA-s Armela Krasniqi, e cila ka theksuar nevojën e këtyre ndryshimeve si pasojë e dinamikës dhe transformimit që ka pësuar tregu mediatik audioviziv nga zhvillimi i teknologjisë. “Pikërisht në këto kushte, kur ofertat dhe rrugët e komunikimit janë kaq të shumëllojshme, ka lindur nevoja e rregullimit të tregut me një legjislacion të përditësuar”, ka thënë ajo. “Kemi reflektuar në këto ndryshime të gjitha fenomenet që vihen re sot dhe kemi bërë përditësimet e nevojshme për të gjitha dukuritë që janë përhapur aq shumë në realitetin tonë mediatik”.

Tre janë pikat kryesore ku pritet të reflektohen ndryshime e propozuara nga AMA:

-Matja e audiencës e cila vjen edhe si një nga detyrat e lëna në Raport-Progresin për Shqipërinë, ku ky proces (pra matja e audiencës) theksohet si një nga instrumentet që ndihmojnë për transparencën e OSHMA-ve

-Ndryshimi i koncepteve OSHMA Rajonale dhe Lokale dhe ripërkufizimi i tyre ligjor si “OSHMA të mbështetura në rrjet/platformë numerike kombëtare”

-Pirateria ose shkelja e të drejtës së transmetimit

“Dua të theksoj se pika e fortë, tek e cila këmbëngulim është Pirateria”, ka thënë Krasniqi. “Jemi të bindur t’i shkojmë deri në fund luftës kundër piraterisë, shkeljes së të drejtave të transmetimit dhe çdo forme që kjo shkelje shfaqet në tregun mediatik audioviziv. Ju e dini se për çfarë e kam fjalën. Sepse, përveç konstatimeve të vërejtura në terren nga grupet tona të punës, shumë ankesa për shkelje të të drejtave të transmetimit kanë ardhur edhe nga vetë ju. Realiteti është shqetësues. Janë konstatuar - natyrisht edhe marrë masa - raste ku OSHMA-të piratohen hapur duke përfituar - fjala më e saktë do të ishte duke abuzuar - me mundësitë që ofron teknologjia, nëpërmjet shërbimit online, me oferta të paligjshme për transmetime, për të cilat nuk kanë të drejta. Për fat të keq kjo po ndodh rëndom. Prandaj për shkelësit, ligji duhet të jetë më i rreptë, përndryshe askush nuk do të dalë i fituar”.

Kryetarja e AMA-s ka ftuar të pranishmit që të studiojnë, të reflektojnë dhe të përcjellin në AMA të gjitha mendimet e tyre mbi ndryshimet e propozuara. “Jemi të gatshëm ta shtrijmë në kohë periudhën e konsultimit, më gjatë sesa parashikohet në ligj, në mënyrë që rezultati të jetë maksimalisht më i miri i mundshëm.” 

Për të pranishmit, propozimet për ndryshime nen për nen i ka shpjeguar në detaje drejtorja e Drejtorisë Juridike në AMA, Donika Daci. 

Tryeza e parë e Konsultimit do të pasohet nga të tjera me grupet e interesit dhe publikun.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?