Pika e zezë

Propozimi i Enno Bozdos / ‘Zbulohet’ Këshilli i të Urtëve në PD që do shpëtojë opozitën dhe kombin

2 Shtator, 12:32| Përditesimi: 2 Shtator, 13:41

  • Share

Pas propozimit të Enno Bozdos (me dy ‘n’) për ngritjen e një Këshilli të Urtësh në PD si një mekanizëm reflektimi të thellë dhe riorganizimi, besoj se këto figura të opozitës meritojnë të jenë pjesë e kompozimit të Udhëheqësisë të të Mençurve, që do t’i shkurtojë ditët në pushtet Edi Ramës, duke shpëtuar opozitën dhe kombin. Personazhet me kapele, në vlerësimin tim ajka e opozitarizimit në Shqipëri, duhet të kryesojnë Këshillin e të Urtëve.

Më e urta e të gjithë të urtëve, madje edhe mbi Latifin që erdhi, pa dhe mori paratë, ka qenë, është dhe do mbetet Familja Berisha, e cila pas çdo palë zgjedhjesh të humbura sajon një armik të ri për t’a gjuajtur me gurë deri në humbjen e radhës, kohë gjatë të cilës shumfishon pasurinë me një normë më të lartë se kur ishte në pushtet. Urtësia e Familjes Berisha është e parrokshme nga mendjet normale; Ka vendosur të shkojë në Parlamentin e ri, duke e ligjitimuar atë, sa për t’i thënë Edi Ramës në sy se nuk do t’i njohë zgjedhjet e 11 majit dhe Kuvendin produkt të këtyre zgjedhjeve! Që pas humbjes së fundit, perandoria financiare e saj është pasuruar me të paktën tre leje për resorte dhe kulla.

Jo pa qëllim, në Këshillin e të Urtëve kam përfshirë edhe ish Sekretarin Organizativ të PD-së, Sait Dollapin, i cili pas përplasjeve me policinë në 11 maj 2019, tregoi një urtësi të rrallë, shpërfaqur në tenderat e zhbllokimit të pusetave.

Këshilli i të Urtëve nuk ka kuptim pa dy Ballinjtë, të cilët pa punuar asnjë ditë në jetën e tyre (këtu nuk e kam fjalën për spiunazh, sekserllëqe dhe paçe/pilaf), kanë një pasuri me vlerë miliona euro.

Vendi i Belo Ezmerit në Këshillin e të Urtëve nuk vihet në diskutim, qoftë për parashikimet optimiste për ditën kur do t’i hiqet nongrata Berishës, qoftë për sulmet ndaj prokurorëve të SPAK që hetojnë linjat qeveritare nga të cilat financohet.

Ndonëse Shkëlzeni e ka futur tashmë në rreth të kuq për paratë që ka bërë pas kurrizit të tij duke prerë interevista dhe ‘krehur’ oligarkë, Çim Peka meriton gjithsesi të jetë pjesë e Këshillit të të Urtëve./Prapaskena

Në foto: Ervin Salianji, Eduard Ndocaj, Alma Kaçi, Çim Peka, Fahri Balliu, Pëllumb Pilinçi, Gjin Gjoni, Flamur Noka, Andi Mustafaraj, Sait Dollapi, Tritan Shehu, Jamarbër Malltezi, Selami Jenisheri, Alfred Lela, Albana Vokshi, Enno Bozdo, Kujtim Gjuzi, Gent Strazimiri, Xhelal Mziu, Adriatik Lapaj, Klevis Balliu, familja Berisha, Belind Këlliçi dhe Kristaq Papa.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha vijon të sulmojë drejtësinë, KLGJ nuk reagon: A ka dy standarde?