Politikë

Disfata e 11 majit/ Propozimi i Kasos e Bozdos: ‘Këshill të urtësh’ për analizën e PD, Berisha të mos 'preket'

1 Shtator, 15:32| Përditesimi: 1 Shtator, 16:35

  • Share

Shtatori erdhi, e pas një vere të nxehtë që PD kaloi duke denoncuar atë që e quan farsë elektorale të 11 majit, vjen edhe nevoja për reflektim.

Në selinë blu po artikulohet një tezë e re: ngritja e një “Këshilli të urtësh”, me personalitete të saj ndër vite, që do të kalojnë në ‘lupë’ punën e kujtdo iu besua drejtimi i ekipit të zgjedhjeve të 11 majit, por kësaj analize sipas tyre duhet t’i shpëtojë Berisha.

"E kam artikuluar këtë ide sepse PD si çdo parti e madhe ka nevojën të shohë edhe nga vetja dhe të shohë ato të meta në nivel organizativ ose në çdo lloj niveli tjetër që mund të ketë patur.

Berisha nuk duhet të zbatojë nenin e dorëheqjes? E kam thënë sepse aktiviteti i tij politik në drejtimin e fushatës apo edhe fushatës së tij personale ka qenë i barabartë me të thuajse gjysmës së partisë”, shprehet Ivi Kaso.

“Analizën do ia ngarkoja një grupi që nuk ka qenë pjesë e zgjedhjeve, nuk po themi vetëm jashtë konfliktit të interesit, por një grupi që e njeh mirë politikën, të mençurish, të urtësh”, shprehet Bozdo.

Kaso dhe Bozdo, që drejtuan dy qarqe jo të lehta më 11 maj, Korçën dhe Beratin, janë të mendimit se kjo analizë nuk duhet të vijë si gjueti shtrigash brenda partisë por si nevojë e një strategjie që selisë blu do t’i shërbejë për gjatë.

“Çdo lloj analize nga vetja duhet të ketë një dimension strategjik që t’i shërbejë strategjisë së PD, dhe jo një gjueti shtrigash”, tha Kaso.

“Nuk bëhet fjalë për një analizë grup-seksioni, por për një analizë shumë më të madhe se kaq, analizë ku duhet ta shohim realitetin siç është”, vijoi Bozdo.

Dy deputetët që futen në parlament për herë të parë, thonë se PD nuk e ka luksin të humbasë përballjen nga foltorja e Kuvendit, ku gjykojnë se duhet bërë beteja më e ashpër.

“PD është në kushtet kur nuk ka luksin të braktisë asnjë betejë", thotë Kaso

“Tezat duhet të ngrihen atje, sepse është një platformë shumë e rëndësishme” thotë Bozdo. 

PD ende nuk i ka thirrur grupin e ri parlamentar dhe kryesinë për të diskutuar strategjinë politike të vjeshtës. Ata pritet të mblidhen javën e ardhshme, kur PD duhet të ndajë edhe anëtarët e saj në komisionet parlamentare.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 02/09/2025 04:41

    Ju jeni te mbaruar politikisht! /Te mos preket Berisha/! Po pse cfare na qenka Berisha,lule /mos me prek/,apo mbret pa kurore?! Ai eshte strumbullari,pergjegjesi dhe shkaktari i cdo gjeje,po nuk larguat ate dhe sejmenet e tij,do te vazhdoni te shkoni nga humbja ne humbje.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se Kuvendi i ri do jetë më efikas për qytetarët se ai i kaluari?